FATOS BAXHAKU – Zyrtarisht, në deklaratat e shtetarëve, të përfaqësuesve të qeverisë, të vetë Kryeministrit, çdo gjë të lë të kuptosh se ne tashmë i paskemi larë duart, madje një herë e mirë, me armikun tonë më të madh: me vetë varfërinë.

Jashtë kufijve tanë zyrtarë për dekada e dekada me radhë, ne jemi njohur si një popull “i çuditshëm”, si popull “i maleve”, si “një popull që ende zbaton doke të vjetra”, si një popull që pranoi të jetojë afër 50 vjet në izolim të plotë. Këto kanë qenë disa nga epitetet, prej të cilave disa të merituara e disa të tjera të sajuara, porse kjo nuk ka edhe aq rëndësi, sepse sikurse thotë një filozof i vjetër: në këtë botë nuk ka rëndësi se çfarë ka ndodhur vërtet, porse vetëm ajo çka është thënë për të. Më i përhapuri nga të gjithë epitetet që na janë vënë, ka qenë “populli më i varfër i Europës”. Tani zyrtarët tanë, me në krye Kryeministrin, na bëjnë me dije se ky epitet nuk qëndron më. Ne e paskemi shporrur plagën tonë të kahershme, atë me të cilën ishim gati-gati të mësuar, atë pa të cilën nuk mund të rronim dhe as të sajonim ekzistencën tonë. Në qoftë e vërtetë, kjo është një mrekulli!

Kryeministri, dhe plot të tjerë vartës të tij, citojnë edhe shifra. Është e drejta e tij, sidomos tani që fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme ka nisur të trokasë në prag, që të bëjë propagandë të fortë për ato që ai i quan “arritje”. Politika nuk na paska qenë gjë tjetër veçse propagandë. Është e drejta e Kryeministrit që të krahasojë shifra me 2005-n njësoj sikurse bëhej dikur “në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 1938”. Autori i këtyre radhëve do të ishte fort i lumtur që të jetonte në një vend të begatë, aq më tepër që ky vend është Atdheu i tij, porse ka ardhur radha që të flasim pak më gjatë për varfërinë, për atë të shifrave dhe për atë të dëshpërimit, të dyqaneve që ende shesin veresie, të njerëzve që mbledhin kanoçe, të minatorëve që punojnë njësoj si në Mesjetë. Këta të fundit nuk janë më shifra, por qenie njerëzore, dhe pikërisht andaj meritojnë shumë herë më tepër respekt, i cili deri më tani ka munguar thuajse plotësisht.
 
Varfëria si uri

Shenja më e parë e varfërisë është uria, të mos kesh me se të mbushësh barkun. Prej barkut bosh vijnë të gjitha të tjerat, sytë e mjegullt, mendja që nuk mbush mirë, mospërfillja ndaj vetes, pa le pastaj ndaj të tjerëve. Kryeministri mbase nuk ka pasur rast të shohë njerëz që mbllaçiten bash e mbi kazanin e plehrave, as ata të tjerët që kanë ngritur baraket në kufirin mes njerëzisë dhe fushave të plehrave. Ai nuk ka edhe aq faj, sepse nuk ka se si t’i shohë njerëzit që mbledhin kanoçe, shishe qelqi, çfarë të munden, për të shtyrë edhe një ditë më tepër të jetës së tyre të mjerë. Kryeministri është Kryeministër, ai nuk e bën pazarin në dyqankat e vogla të lagjeve sikur ne të tjerët. Po ta bënte njëherë do të shihte mbi banakët e thjeshta disa fletore të lyrosura. Këto janë fletoret e familjeve që marrin mall veresie. Aq shumë janë shtuar këto lista të varfërisë, saqë kanë nisur të varfërojnë frikshëm edhe shitësit e vegjël, ata njerëz që normalisht bashkë me zanatlinjtë, duhej të përbënin shtresën e mesme, pra themelin e një shoqërie të shëndoshë. Kjo nuk ka ndodhur. Paratë janë mbledhur gjithnjë e më tepër në një grusht njerëzish që grinden për pushtet, këta u hedhin të tjerëve, atyre njerëzve të veresies, atë çfarë ka mbetur nga një natë më parë. Dhe kështu vazhdon tashmë thuajse përjetësisht, lufta jonë me varfërinë. Sikur “poeti i mjerimit”, Migjeni, të ishte gjallë, me siguri që do të shkruante kështu për ata që brohorasin për fitoren tonë ndaj varfërisë: “Krahët e zez të një nate pa fund/ e varrosën lagjen pranë/ dritë, jetë, gjallsi – askund/ vetëm errsinë e skam./ U harrrue jeta e ditës/ ndër shtresat e natës, e pagja/ u derdh nga parzm i errsinës…/ n’andrra përkundet lagja./ Njerzit ndër shpija flejnë me gjoksa të lakurt e të thatë/ e gratë… fëmi po u lejnë/ pa ushqim në gji, pa fat./ Pushojnë gjymtyrtë e shkallmueme në punën e ditës së kalueme,/ shërohen trutë e helmueme/ në gjumin e natë s’ardhurueme./ Veç zemrat e njerzve të lanun me të rrektunit prralla rrfejnë:/ mbi barrat e jetës së namun që shpirt dhe korriz kthejnë./ Prralla mbi fëmi rrugaça/ bark-jashtë e me hundë të ndyta, që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë e ngihen me fjalë të ndyta”. Këto vargje janë shkruar këtu e afër 80 vjet më parë. Për dreq ato tingëllojnë ende aktuale, jo te “Blloku”, as në qendër të qyteteve të tjera të mëdha dhe as në supermarketet, që janë shndërruar në vitrina të sukseseve, por në periferitë dhe fshatrat tona, atje ku njerëzit ndihen vetëm përballë betejës më të ashpër, që shqiptarët po zhvillojnë qëkurse kanë lerë, atë kundër mjerimit. Mbase, një ditë, këto vargje të Millosh Gjergj Nikollës do të na duken si një pikturë e vjetër e një mjeshtri të madh, por ndryshe sa pretendohet, ajo kohë mjerisht, ende nuk ka ardhur, dhe ne vazhdojmë të rrëfejmë përralla.
 
Varfëria që ngjiz të ligën

Një i uritur zakonisht është edhe i paditur, në të shumtën e rasteve të paktën. Një i uritur e ka zemrën të mbushur me helm, ai hera-herës është ziliqar, i duket se Perëndia diku ka gabuar teksa në piskun e vapës sheh një bashkëmoshatarin e tij që lëpin me shumë zell një goxha akullore. Një i uritur është i dëshpëruar, ai nuk ka më se ç’të humbasë. Çfarë është dënimi për të? Burgu? Po ku ta gjejë të shkojë në burg! Atje të paktën ka për të ngrënë e për të fjetur falas. Nuk ka dënim për të dëshpëruarin nga varfëria, por këtë vetëm ai vetë e di. Për shembull Kryeministri me siguri e njeh zonën e Gomsiqes së Pukës dhe ua di vlerat malësorëve të atyre anëve. Ky popull që ka jetuar me pak, por me dinjitet, ka pasur si të shenjtë besimin fetar. Askujt, asnjëherë, asnjë malësori nuk i ka shkuar ndonjëherë ndër mend se mund të vidhen gjërat e kishës. Por ja që para pak ditësh na erdhi haberi se dy kambanat e mëdha prej bronzi të kishës së Gomsiqes ishin vjedhur, me siguri për t’u shitur për skrap. Ata që e kanë vjedhur, sigurisht hajdutë e të papërgjegjshëm, a janë nga ata që i kanë dhënë fund varfërisë? Po në Pukë, një djalosh me mbiemrin Djaloshi u arrestua nga policët, sepse kishte vjedhur telat e bakrit të një nënstacioni apo të një gjëje të tillë të ngjashme. Edhe ky me siguri nuk e ka ditur se ne tashmë i kemi dhënë dërrmën varfërisë, sikurse nuk e ditkan edhe të dëshpëruarit e tjerë, vëllezërit që i bien njëri-tjetrit me lopatë për një copë tokë, hajdutët e vegjël që shtohen si hithrat rrugëve të qyteteve e kështu me radhë.
 
Varfëria si fantazmë

E ka pas thënë kohë më parë një njeri i mençur: Akti më djallëzor i djallit vetë është se i bëri njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston. Mbase jo krejt kështu, por në mënyrë të ngjashme edhe neve na ka ndodhur pak a shumë njësoj. Jemi mësuar me varfërinë. Tashmë ajo nuk na ngjall as pikën më të vogël të reagimit, pa le më pastaj të ndihmës apo të solidaritetit. Por jo vetëm kaq, kemi nisur t’i besojmë si të mirëqena të gjitha përrallat që politika brohoret me ndihmën e shifrave pa kuptim. Ndërkaq, ndër rrugët e sheshet tona, fëmijët vazhdojnë të shesin cigare, lypësit bëhen gjithnjë e më profesionistë, aq sa janë bërë gati të bëjnë sindikatën e tyre, kanoçexhinjtë, shisheçinjtë, rrangullaxhinjtë janë shndërruar tashmë në profesione të lakmuara e dinjitoze, këto të paktën “pa gjë nuk të lënë”, ndërsa ne të tjerët mbajmë shënim shifra, dëngla, rrena propagandistike e teksa kthehemi ndër shtëpitë tona e kthejmë kokën mënjanë sapo shohim të parin të varfër që na kalon përbri. Të zënë sikurse jemi me “gjëra të mëdha” i kemi harruar minatorët e Bulqizës, njerëzit e fushës së plehrave, naftëtarët e zonave naftëmbajtëse, fëmijët e kryqëzimeve, klientët e veresieve, të dëshpëruarit e pashpresë, njerëzit me aftësi të kufizuara, pensionistët që nuk kanë zë të ankohen, të gjithë hallexhinjtë me një fjalë. Ndaj dhe duhet ta pranojmë: sa kohë që harresa, shpërfillja, propaganda, intelektualizmi fals, egoizmi pa fre, egocentrizmi dhe individualizmi të mbretërojnë në zemrat tona, për aq kohë varfëria do ta ketë fituar betejën me njerëzinë, sepse ajo do të na ketë në dorë, më shumë se stomakun, vetë shpirtin.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA