Ilir Yzeiri – Thuajse në të njëjtën kohë, opinioni u njoh me dy lajme.
Në fillim Kryeministri i vendit, gjatë mbledhjes së radhës të qeverisë, deklaroi se do t’u jepet toka falas atyre që ndërtojnë spitale e shkolla dhe një apo dy ditë më pas u njohëm të gjithë me renditjen e universiteteve në botë dhe aty, në atë renditje, ne pamë se ndodhemi në fund të listës, krahas Kamboxhias apo Etiopisë. Nga ky rankim ne vumë re se sistemi ynë arsimor universitar është ndër më të dobëtit e planetit. Natyrisht, kjo gjendje e universiteteve shqiptare nuk lidhet vetëm me këtë qeverisje, por kjo qeverisje do të mbahet mend si varrmihësja e shkollës së lartë si institucion dhe kjo qeveri do të kujtohet si kabineti që e shkatërroi sqimën dhe grintën e këtij institucioni. Pse e them këtë? Liberalizimi i universiteteve dhe dhënia e licencave si të ishin jo universitete, po autoshkolla, ka qenë krimi më makabër që i është bërë ndonjëherë shkollës së lartë në Shqipëri. Po le të shpjegohem pak më shkoqur.
Kulti i dijes
Më 1088, disa mjeshtër të gramatikës, të logjikës dhe të retorikës nisën të hartojnë tekste për nevoja të studimit dhe të transmetimit të dijeve që lidheshin me njohuritë juridike të epokës. Me këtë sipërmarrje ata themeluan Universitetin e Bolonjës, i njohur me emrin Alma mater studiorum. Peirce, një filozof amerikan(1839-1914) e përkufizoi universitetin më 1891 “si një bashkim njerëzish të aftë dhe të privilegjuar prej shtetit në mënyrë që populli të përfitojë prej tyre një formim intelektual dhe që problemet teorike që do të dalin në rrjedhë të zhvillimit e qytetërimit, të mund të zgjidhen prej tyre”. Përkufizimi i Pierce të çon në epokën e latinishtes klasike ku universiteti thirrej universitas hominorum. Më tej perceptimi mbi universitetin ka qenë i larmishëm. Sot të gjithë e dinë se universitetet nuk janë gjë tjetër veçse manastire moderne, thonë disa. Njerëzit që hyjnë aty, mbyllen, kyçen brenda dhe kalojnë vite të tmerrshme pune e stërmundimi për të mësuar të vërteta që të tjerët nuk mund t’i arrijnë dot. Në themel të shoqërive moderne qëndron dija dhe kulti për të është shtylla që mban drejt ato shoqëri. Është e kotë të përmendësh me këtë rast shkëlqimin e universiteteve amerikane apo hijen e rëndë të atyre angleze dhe aureolën filozofike e letrare të atyre franceze. Në ditët e sotme edhe universitete nga Kina apo vende të tjera në zhvillim renditen në vende dinjitoze. Po të vështrosh kriteret, në krye është kriteri shkencor. 40% të pikëve i merr ai universitet që ka numrin më të madh të pedagogëve me “Nobel” apo me studime shkencore të njohura në botë. Edhe i dyti është përsëri kriter shkencor. 20% të pikëve i merr ai universitet, studentët e të cilit arrijnë të punësohen e të botojnë më pas studime e vepra shkencore me impakt global. Pra, siç shihet, në themel të universitetit sot e gjithë ditën qëndron respekti për dijen. Universiteti vijon sot e gjithë ditën që të përfillet si një manastir modern ku të rinjtë në kuptimin më të mirë të fjalës “thyejnë” kokën në libra e “nxjerrin” sytë në kompjuter. Nëse do të duhej të bënim një paralele pak të largët, do të duhej të ngjiteshim në kohë e të përkujtonim veprën e madhe të katër B-ve shqiptare: Buzukut, Budit, Bogdanit e Bardhit. Këta kolosë të mendimit shqiptar kishin kryer universitetet më të mira të kohës në Romë. Bogdani, veçanërisht me veprën e tij të famshme “Çeta e profetëve”, llogaritej si një nga dijetarët e mëdhenj të Europës. Dhe të mendosh që veprën e tij ai e shkroi për dhjetë vjet dhe në dy gjuhë. Po jo vetëm kaq. E shkroi në mënyrë të tillë që gjysma e faqes të ishte italisht dhe gjysma shqip. Pra, barazoi shqipen me italishten deri edhe në përmasë. Për ungjin e tij, Pjetër Bogdani, tregojnë se nga zelli për të studiuar udhëtoi nga fshatrat e Prizrenit e deri ne Romë në këmbë. Po të vështrojmë në radhë, do të duhej të përmendim ndihmesën e pashoqe të kolosëve të klerit katolik në Veri me gjimnazet e periodikët që çelën në fillim të shekullit XX, për të vijuar me Normalen e Elbasanit. Dija pra, si të thuash, ishte e shenjtë në këtë vend. Ndërsa ajo që ndodhi me komunizmin, është shumë kontradiktore e komplekse. Në fillim komunizmi kreu krimin makabër duke eliminuar gjithë atë traditë europiane e perëndimore që ishte mbjellë këtu dhe më pas, duke vrarë martirët e klerit katolik të arsimit e të dijes shqiptare, komunistët thuajse e zhbënë dijen në këtë vend. Mirëpo, ashtu siç ndodh me diktaturat e me ato të Lindjes komuniste në përgjithësi, komunistët me të njëjtën energji zhdukën analfabetizmin e ndërtuan një rrjet të paparë shkollash dhe më 1957 edhe universitetin e parë shqiptar. Shkolla e socializmit është një temë më vete dhe nuk është argument i këtij shkrimi. Por ajo që duhet theksuar me këtë rast, është një e vërtetë e njohur që diktaturat ndërtohen edhe mbi kultin e dijes, vetëm se dija në këtë rast shtrembërohet e deformohet, sepse diktatura e shpall veten Zot dhe të vërtetë mbi të vërtetat. Po kjo është një temë më vete.
Eliminimi i kultit të dijes dhe shkatërrimi
Ndërsa në këta vjet tranzicion, sistemi që u gërrye më së shumti, ishte universiteti. E kam përmendur edhe në një shkrim tjetër që pas viteve ’90, elitat e universiteteve i braktisën auditorët dhe ose u larguan jashtë vendit, ose ndërruan profesion, ose u morën me biznes. Këtë boshllëk e shfrytëzuan aparatçikët e nomenklaturës së diktaturës që u kthyen dhe gjetën në universitete një strehë që nuk binte në sy. Deri nga viti 2004 universiteti jo vetëm që nuk po rimëkëmbej, por kishte nisur të kthehej në pjesën më të madhe në një ndërmarrje biznesi. Megjithatë, ruhej ende hija e rëndë e dijes dhe, të fitojë një diplomë, nuk ishte gjithaq e lehtë. Ndërkaq, nëpërkëmbja dhe injorimi i shtresës së profesoratit u korrigjua me grevën e famshme të pedagogëve që çoi në dyfishimin e rrogave të tyre. Nga ajo kohë e deri sot, të vetmet rroga që nuk janë prekur, janë rrogat e pedagogëve. Por edhe kjo është një temë më vete. Ndërkaq, sapo erdhi në pushtet qeverisja demokratike, e shembi përgjithmonë kultin e dijes. Gjithmonë kur sjell ndërmend se si është sjellë kjo qeveri me arsimin e lartë dhe me universitetet, më vjen në sy pamja makabre e talebanëve që hedhin në erë statujat e Budës. Në konceptin vrastar të kësaj qeverie, universiteti nuk është më dije, por një dëshmi që ta lëshon gjithkush. Rrallë mund të gjesh njeri që ta ketë urryer universitetin publik sa kjo qeveri dhe Kryeministri i saj. Universitetet nisën të mbijnë në çdo cep dhe tani mjaft që të kesh pesë lekë dhe mund të sigurosh një diplomë. U zhduk kështu distanca hyjnore midis atij që di dhe atij që nuk di, midis atij që duhet të ketë një vend më të merituar në shoqëri për shkak se di më shumë dhe atij që nuk di. Administrata e kësaj qeverie që u kthye me ngut nga emigracioni, u pajis me diploma brenda një viti dhe universiteti pushoi së qeni vendi ku mësohej, pushoi së ekzistuari si manastir modern ku i riu apo e reja thyejnë kokën mbi libra.
Nxënësit që vijnë sot në universitet nuk kanë ankthin e së panjohurës. Ata e dinë se, nëse të duhet një diplomë, atë mund ta blesh te privati. Ndaj qysh në bankat e fillores nëna nuk e mëson fëmijën me magjinë dhe vështirësinë e dijes. Të mos harrojmë se gati 5 apo 6 mijë nxënës ndër më të mirët largohen nga ky vend dhe e kryejnë universitetin jashtë dhe shumica e tyre nuk kthehet. Si mund të dilet nga kjo krizë? Është shumë e vështirë të thuhet. Në fillim do të duhet të shpallet dhe të pranohet nga të gjithë se universiteti është një vend ku mësohet, se diploma nuk mund të merret nga cilido. Universitetet private do të duhet të përballen me kritere të ashpra dhe se të çelësh një program studimi ose të fitosh një të tillë duhet të plotësosh të gjitha kriteret që plotëson sot një universitet në Perëndim. Një mënyrë tjetër mund të jetë edhe klasifikimi i diplomës. Ministria e Arsimit ka detyrën që të bëjë transparente në çdo kohë gjendjen e universiteteve private e publike në Shqipëri. Jo më kot universiteti “Marin Barleti” qëndronte mbi të tjerët në rankimin botëror të universiteteve. Kjo ndodh pse aty është ruajtur masa dhe Universiteti ka çelur pak programe, sepse vetëm ato kushte plotëson dhe i plotëson në mënyrë të shkëlqyer. Është i vetmi universitet privat që nuk ka fitimin e të tjerëve, por që ka cilësinë më të mirë në vend. Këtë e kishte vënë re edhe rankimi i fundit. Për të ringjallur edhe njëherë magjinë e dijes, doja të kujtoja një thënie të Sokratit: “Një jetë pa provime nuk ia vlen të jetohet” Socrate (469-399 av. J.-C.)
Magjia e Harvardit
Harvardi është një mit. Përsëri universiteti prestigjioz amerikan është në krye të klasifikimit. Nga ky universitet janë marrë 44 çmime “Nobel”, 46 çmime “Pulicer”, kanë dalë 8 presidentë të SHBA-së. Harvardi pranon elitat intelektuale në të dhjetë fakultetet e tij që shkojnë nga mjekësia tek arti, duke kaluar më pas te drejtësia dhe ekonomia. Sociologia Stéphanie Grousset-Charrière ka punuar atje si lektore në vitet 2004-2008 dhe ka mundur të zbulojë nga brenda “sistemin Harvard”. Në rend të parë janë mësimdhënësit, profesorët, shkruante kohë më parë ajo në gazetën “Le Monde” dhe vazhdonte: Kur kam marrë letrën e pranimit, pashë të shkruar mbi të këto radhë: “Në Harvard nuk formohen vetëm studentët, formohen edhe mësimdhënësit, duke ua riformatuar atyre imazhin që duhet të shfaqin. Nuk ke të drejtë të sëmuresh, madje edhe sikur të jesh me temperaturë 39 gradë C; duhet të vishesh mirë, të jesh gjithmonë i buzëqeshur dhe harmonioz në sjelljen me të tjerët, duhet të jesh shembull. Përpikmëria, dashamirësia, përunjësia, mirëkuptimi, efikasiteti, përkushtimi, aftësia, performanca, rreptësia janë të gjitha cilësitë që duhet të shfaqë personazhi i profesorit në Harvard”. Por ajo që e hutonte më shumë një profesor francez në Harvard, ishte mënyra e vlerësimit të punës së studentëve. Në kampusin bostonian vlerësimi mesatar nuk ekziston dhe vlerësimet duhet të jenë gjithmonë pozitive dhe konstruktive. “Asnjëherë nuk duhet t’i zhvlerësosh studentët. Toni i zymtë i praktikuar në anët tona, nuk ka vend në sistemin amerikan. Nuk thuhet kurrë “jo, e ke gabim”, por “ja një gabim, le të shohim se nga ka ardhur ky ngatërrim që të mos ta përsëritim më”, vëren sociologia franceze.
Mirëpo, kur Harvardi është një magji për një pedagoge franceze, mendoni si duhet të jetë për ne. Për të ringjallur edhe njëherë magjinë e dijes, doja të kujtoja një thënie të Sokratit: “Një jetë pa provime nuk ia vlen të jetohet”, Socrate (469-399 av. J.-C.)
Top Channel