Masakra në Fier, zhvillohen ceremonitë mortore

25/08/2012 00:00

Krimi i ish-bashkëshortit, Gentian Nushi, i cili tre ditë më parë vrau
ish-vjehrrin e më pas veten në fshatin Seman të Rrethit të Fierit, ka
sjellë në vendlindje edhe vajzën e Dhimitër Koçit, Aida, së bashku me
një prej fëmijëve, djalin e saj të madh 15-vjeçar.

Në të dy banesat që ndodhen pak metra larg njëra-tjetrës, janë hapur dyert e mortit dhe qindra të afërm, banorë të fshatit e miq kanë shkuar për të ngushëlluar. Nëna e dy fëmijëve, ish-bashkëshortja e Gentianit, Aida, së bashku me djalin e saj, ka zgjedhur të marrë pjesë vetëm në ceremoninë mortore të të atit.

Ceremonia e Koçit

Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme ka nisur kortezhi për të përcjellë për në banesën e fundit trupin e pajetë të 65-vjeçarit Dhimitër Koçi. Ndërsa ka dalë arkëmorti jashtë portës së shtëpisë, është krijuar një situatë disi e tensionuar. Familjarët dhe të afërmit e tij, duke qarë, kanë shprehur indinjatë për atë që ndodhi.

Këto thirrje janë drejtuar për nga banesa përballë, ku banonte ish-dhëndri i familjes së tyre. Në ceremonitë mortore të të dyja familjeve kanë marrë pjesë edhe punonjës të policisë, të cilët kanë vëzhguar situatën me qëllim parandalimin e çdo konflikti të mundshëm.

Ceremonia e Nushit

Pak pasi ka përfunduar ceremonia mortore e Dhimitrit, rreth orës 13:00 është mbajtur edhe ceremonia mortore ku i është dhënë lamtumira e fundit 41-vjeçarit Gentian Nushi. Edhe në këtë ceremoni kanë marrë pjesë dhjetëra të afërm, bashkëfshatarë e miq. Por Aida dhe djali i saj i madh nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni.

 
Vrasja dhe vetëvrasja

Rreth orës 11:50 të së enjtes, 41-vjeçari Gentian Nushi nga fshati Seman i Rrethit të Fierit, qëlloi me armë zjarri ish-vjehrrin Dhimitër Koçi, në pragun e derës së banesës së tij. Burimet e policisë pohuan se ata janë konfliktuar më parë e më pas Nushi, që dyshohet të ketë qenë edhe nën efektin e alkoolit, ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë armën e gjahut, duke qëlluar mbi ish-vjehrrin. Ndonëse 65-vjeçari Koçi është shoqëruar nga të afërmit për në Spitalin Rajonal të Fierit, nuk mundi të mbijetojë për shkak të dëmtimeve të shkaktuara në organet jetësore dhe në kokë prej saçmave, si dhe të gjakderdhjes. Më pas, autori i vrasjes së të moshuarit Koçi është kthyer në banesën e tij, pak metra larg nga vendi i krimit që kreu.

Pas pak minutash, Gentian Nushi ka qëlluar veten në kokë me armën me të cilën vrau ish-vjehrrin. Sipas burimeve të policisë, por edhe të banorëve të fshatit është mësuar se 34-vjeçari Gentian Nushi kishte qenë dhëndër i familjes Koçi, por ishte divorcuar me bashkëshorten rreth dy vite më parë. Çifti Nushi ka emigruar në Greqi pas martesës. Pas ndarjes, dy fëmijët kanë qëndruar me të ëmën, Aidën. Ndërsa Gentiani është kthyer në vendlindje tre muaj më parë. Ai ka fajësuar vjehrrin e tij se kishte ndikuar në ndarjen e tyre. Për këtë arsye janë konfliktuar shpeshherë dhe dy ditë më parë, 41-vjeçari, ka vendosur t’i japë fund jetës së ish-vjehrrit dhe vetes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA