Mustafa Nano – Në një intervistë të filozofit francez, André Glucksmann, dhënë gazetës
gjermane “Spiegel International”, që ishte e tëra e fokusuar tek Europa,
të bënte përshtypje vizioni i zymtë i tij mbi punët e sotme e të
nesërme të kësaj Europe.
Ky pesimizëm i buronte prej krizës së sotme ekonomike, por edhe prej një krize të përhershme, të cilën projekti i BE-së e bart në mënyrë fiziologjike qysh në krye të herës, për shkak të kontrastit midis vlerave të përbashkëta dhe interesave individuale të çdo vendi anëtar (filozofi francez përmendte me të drejtë që BE-ja nuk ia del dot as të ketë një plan të përbashkët lidhur me energjinë, gjë që i bën vendet anëtare, sidomos vendet e rëndësishme, të rendin pas egoizmit të tyre; secili po negocion për hesap të vet me Rusinë e rrezikshme të Putinit në lëmin e naftës e të gazit; Gjermania po synon të ndërtojë tubacionet e Detit Baltik, pavarësisht nga rezistenca e nervozizmi i Polonisë e i Ukrainës; ose Italia po punon për një pipeline tjetër, që fillon në Detin e Zi). Çfarë Europe do të kemi nesër? Glucksmann-i nuk kish një përgjigje për këtë, dhe sipas shumë gjasash nuk kanë përgjigje as udhëheqësit e rëndësishëm të kontinentit, s’ka gjë se herë pas here flasin për thellimin e nënvizimin e dimensionit politik të Bashkimit. Shkurt, BE-ja është në një krizë që mund të thellohet. Me sa duket, vlerat e përbashkëta (Glucksmann-i flet për një societal model të njëjtë, për një qytetërim europian e për një mënyrë europiane të menduari) nuk mjaftojnë për të bërë të mundur një shtet federal të Europës, apo një konfederatë europiane. E në qoftë se federata apo konfederata europiane është e pamundur, çfarë është e mundur? Ja, këtu ngec arsyetimi. Për Glucksmann-in pesimist po se po, por edhe për udhëheqësit politikë të kontinentit të vjetër.
Por ne të këtushmit, d.m.th. ne shqiptarët, ia kemi dhënë përgjigjen kësaj pyetjeje. Ne nuk kemi ndërdyshje. Ne e duam integrimin në Europë; e duam të gjithë, e do ai robi që vret të bijën për çështje nderi, ashtu siç e do edhe Kryeministri që vret qytetarët e vet, ngaqë ata kanë guximin të protestojnë paqësisht kundër tij. Dhe siç mund të merret me mend, një dreq e di se ç’dreq Europe duam. Por puna është se ne e duam, e duam symbyllazi; e duam edhe kur na zhgënjen, edhe pse na zhgënjen; edhe pse e kuptojmë se ajo nuk është siç e kemi menduar. Me sa duket, e shohim si një zgjidhje që e kanë bërë të tjerët për ne; e ne nuk jemi mësuar t’i japim të drejtë vetes të vëmë në diskutim zgjedhjet që të mëdhenjtë, dhe udhëheqësit tanë, bëjnë për ne.
Opozita, në radhë të parë PS-ja, nuk ka ditur të bëjë gjë tjetër këto kohë, veçse të heqë vallen e hareshme të anëtarësimit në BE. Në gjithë aksionin e opozitës lidhur me këtë argument nuk ka asgjë për t’u vënë re, apo për t’u veçuar. Nuk kanë asnjë vështrim kritik për të bërë, nuk kanë folur për asnjë kolaudim të procesit që është në rrugë e sipër, nuk kanë folur për asnjë rishqyrtim të gjërave. Thjesht, bëjnë çmos të shfaqen si të vetmit që e duan seriozisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa mazhoranca është në kurthin e mistifikimit retorik që i ka bërë anëtarësimit të vendit në BE. E ka shitur gjithë kohën si një gjë të madhe, dhe tani që s’po mundet ta shtyjë sadopak këtë proces përpara, për shkak të përthyerjes autokratike që u ka dhënë ngjarjeve në Shqipëri, po kërkon ta heqë fajin nga vetja e ta hedhë gjetkë, konkretisht tek opozita që me demek po e saboton këtë proces.
Është e çuditshme pra se si nuk ka dalë gjatë viteve të fundit një zë kritik ndaj këtij berihaji për t’u anëtarësuar në BE. Dhe arsye ka pasur sa të duash. Ne kemi dështuar në këtë proces. Kemi vite që, në vend që të afrohemi drejt Europës si një entitet politiko-kulturor, ne praktikisht kemi bërë hapa pas; në mos, kemi dëshmuar në fund të fundit se fibra jonë nacionale a identitare është shumë pak europiane. Nga ana tjetër, në këtë histori ka dështuar edhe vetë Europa, e cila nuk ka ditur të imponojë zhvillime në një vend si Shqipëria, ku është pranuar në mënyrë somnambuleske si përparësi numër një integrimi në BE, e ku e gjithë dialektika demokratike vërtitet rreth kësaj dogme a mantre.
Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që e çmoj ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, për atë që bën nel suo piccolo, por ai as nuk e rregullon, as nuk e prish dot imazhin e Bashkimit Europian ndër shqiptarë. Ky imazh është vepër e tjetërkujt. Për një pjesë të mirë shqiptarësh, BE-ja ka fytyrën e ca deputetëve të Strasburgut, të cilët, sa herë që flasin në Shqipëri, apo për Shqipërinë, janë gati të harrojnë e injorojnë çdo gjë, me përjashtim të faktit që “ata janë social-demokratë apo demokristianë”, rrjedhimisht përveç faktit që atyre “u duhet të marrin në mbrojtje sivëllezërit e tyre ideologjikë në Shqipëri”. BE-ja ka, gjithashtu, fytyrën e 12 kërkesave për t’u realizuar si detyra shtëpie, të cilat duket sikur janë shpikur për ta bërë qesharak procesin e integrimit në BE. “12 kërkesa, kaq është e gjitha” – kjo është ajo që thuhet me synimin për të përcjellë idenë se me plotësimin e këtyre 12 kërkesave Shqipëria integrohet vetvetiu në Europë. Është afërmendsh një rrenë me bisht. Një rrenë dhe shkuar rrenës. Ja, ka ndonjë europian, fjala vjen, që mund t’i përgjigjet pyetjes, se “çfarë rëndësie ka plotësimi i këtyre 12 pikave në një kohë kur Garda e Republikës vret mizorisht katër qytetarë, faji i vetëm i të cilëve ishte se protestojnë me duar në xhepa kundër qeverisë?”; ose pyetjes tjetër: a mjafton plotësimi i këtyre 12 pikave të nëmura për t’u pranuar në BE, në një kohë që ne kemi një Kryeministër që, jo vetëm nuk i është bindur urdhrit të kryeprokurores për të dorëzuar katër gardistë të dyshuar si autorë të ekzekutimit të atyre katër qytetarëve në bulevard, por e ka cilësuar këtë kryeprokurore faqe botës si ‘lavire bulevardi’? Vërtet mund t’na pranojnë në BE në këto rrethana? Epo, nëse na pranojnë, kjo s’është BE-ja që ne kemi kërkuar; kjo është një Europë tjetër, kjo është një Europë eurokratësh derrkucë të sojit të Joseph Dahl-it, që vijnë këtu për t’na broçkullisur në favor të satrapit tonë, që është kanakari i tyre.
Kjo lloj Europe ta shpif, e prandaj të vjen të çuditesh se si nuk është ngritur një zë kritik ndaj saj, të vjen çudi se si nuk ka dalë askush të thotë se ky provim me 12 ushtrime për të marrë një notë kaluese (statusin e kandidatit) është një pesë me hiç, se ky lloj anëtarësimi nuk na lipset, se më shumë se një integrim burokratik e procedural na duhet një europianizim real i vendit. Ne nuk na duhet integrimi në BE i një Shqipërie që sundohet prej një bande rrugaçësh. Mirëpo këtë gjë nuk kemi mundur ta themi. Na sillet si tabú. Të gjithëve. Në një kohë që është gjëja më e parë që duhet thënë.
Top Channel