Vetëcensurimi, tirania jonë e brendshme

24/08/2012 00:00

Prej disa ditësh në komunitetin amorf të gazetarëve të Shqipërisë
diskutohet dhe flitet për rastin e refuzimit nga autoritetet kufitare
greke të kolegut Marin Mema.

Rasti në vetvete zbulon një problematikë komplekse mes burokracisë së shtetit fqinj, vendimit të afishuar me tone të një ortodoksizmi politik dhe një individi profesional në gazetarinë shqiptare. Rasti është një kazus, rreth të cilit dhe për të cilin, shoqëria jonë dhe pjesa më e ndërgjegjshme e segmenteve institucionale duhet të investohet seriozisht. Reagimet nevojiten për të zbuluar me dinjitet dhe kuraje civile, atë çka administrata e shkapërdarë e shtetit fqinj e ka sendërtuar si sjellje dhe marrëdhënie të pakontestuar prej qytetarëve, kategorive dhe komuniteteve të ndryshme shqiptare.

Ky rast duhet përdorur si kampion që zbulon realisht sjelljen margjinare që ushtrojnë nëpunës apo segmente të strukturave shtetërore në Greqi, të cilat e dëshmojnë realisht Greqinë aktuale institucionale si të jetë një vend në tranzicion apo edhe më keq, sesa përdhosëse e të drejtave, lirive dhe konventave të përthyera në legjislacion njeri-mbrojtës.

Në këtë aspekt, listimi zyrtar, pranuar një gjë e tillë edhe zyrtarisht prej palës shtetërore të vendit fqinj, i disa emrave me veprimtari dhe artikulime publike, si “persona non grata”, përbën një skandal të rëndë politik dhe aq më tepër edhe një shkelje të ligjeve që mbrojnë lirinë e veprimtarisë, lëvizjes dhe mendimit në raportet mes dy vendeve fqinjëruese. Në Kushtetutën e së sotmes Greqi, janë të shkruara si në çdo Kushtetutë të vendeve të bashkësisë europiane se liria e lëvizjes dhe e veprimtarisë për informim nuk mund të pengohet nga kufijtë e vendeve. Ky princip i ligjëruar, natyrisht që pas listës së pranuar me emra shqiptarësh profesionistësh, mes të cilëve së fundi edhe ai i gazetarit Marin Mema, zbulon thelbin dhe substancën reale se një pjesë e strukturave periferike greke, pra atyre kufishërbyeseve dhe krerëve të inteligjencies zyrtare, vijojnë të jetojnë me mitin e mitologjisë helene të konvertuar në një politikë.

Pa iu larguar kazusit, reagimet dhe në mënyrë solidariteti i gjithë gazetarëve duhej të ishte dhe të jetë i plotë, pa kontraste dhe aq më tepër pa diferenca hezitimesh dhe refuzimesh mes editorëve dhe reporterëve, pavarësisht marrëdhënieve mes poseduesve mediatikë.

Ky kazus nuk është politik. Ky rast mbart gjithë mundësinë të përdoret dhe administrohet si një substancë për koordinime të mëtejshme veprimesh dhe ndërhyrjesh mes diplomacisë institucionale të dy vendeve, mes asosacioneve që përfaqësojnë komunitetet respektive të gazetarëve shqiptarë dhe grekë dhe institucioneve europiane në Bruksel. Rasti i listës së pranuar nga autoritetet greke, zbulon një tërësi faktologjike, të cilën mediat e të dy vendeve pa humbur kohë duhet ta zbulojnë e ta sjellin në sytë e publikut e dy shoqërive. Greqia ka qenë një lloj alteregoje e politikëbërësve shqiptarë në këto dy dekada. Partneriteti politik i manifestuar dukshëm si paternalizëm pragmatist nga Athina zyrtare, ka qenë tejet i padinjitetshëm prej klasës sonë politike. Kjo disbalancë e dëshmuar në jo pak herë si nënshtrim apo si bindje e një realpolitike të korruptuar dhe me korruptime në Tiranë, ka shtuar gjatë dekadave të tranzicionit postkomunist shqiptar ngarkesat negative dhe sipas të gjitha gjasave edhe më e mbarsur ka për të qenë e ardhmja.

Por ky është një aspekt që bëhet edhe më evident në kontekst të rastit të gazetarit Mema. Aspekti tjetër që zbulohet dhe ekspozohet jo si fasadë, por si brendi reale, në përmasa kritike është vetëcensurimi që dëshmon komuniteti i gazetarëve. Vetëcensurohen për të dhënë solidaritet, për të kërkuar dinjitet, për të fituar kapërcim të kësaj gjendjeje plehërake që dominon si realitet i dhënë një herë e përgjithmonë, për të krijuar raportin jetik të kontrastit mes së keqes dhe së mirës. Ndërgjegjja e pabesimit për tjetërsim të gjendjes, është formë fatale e vetëcensurës. Në Greqinë fqinje, nuk është kjo gjendje e ndërgjegjes dhe e kulturës së komunitetit të kolegëve tanë. Jemi të pakrahasueshëm plotësisht. Aty jepen vijueshmërisht prova të shumta dhe tronditëse të triumfit të dinjitetit kolektiv, profesional, kurajës, guximit dhe sidomos, ekziston kulti i solidaritetit brenda llojit. Ky pushtet, i katërti, në Greqinë e sotme është shumë herë më i cilësishëm dhe më funksional se pushtetet e tjera të rrënuara të kësaj shoqërie. Kulturalisht dhe qytetarisht ne këtë aleancë “brenda llojit profesional”, jo vetëm që nuk kemi bërë përpjekje për ta fituar, por vijojmë të dëshmohemi infernalë duke e refuzuar në distancë. Për të mos qenë listues, por besnik i faktit të pohuar, po veçoj dy prej tanëve, Robert Goro dhe Gazmend Kapllani janë aktualisht përfaqësues të shkëlqyer të ekspresionit profesional shqiptar në Greqi gjatë dy dekadave të fundit. E shoh me vend që duke e thyer tabunë e vetëcensurimit apo vetëparagjykimit tonë komunitar, të sugjeroj që në rastin e skandalit me gazetarin Mema apo të tjerë figura publike të shpallur tashmë “non grata”, të nisim një strategji të re reagimesh dhe solidaritetesh brenda dhe me sojin fqinj të gazetarëve. Askush nuk i vë në dyshim apo nihilon skeptikët dhe taborët e radikalëve, por solidariteti mes profesionistëve është më universal sesa ai politik. Antagonizmin që gazetarët kanë me politikat preventive, nuk meritohet ta kenë në marrëdhëniet mes vetes apo aq më keq brenda vetes. Mavijosja e këtij antagonizmi, mbarsja e pareshtur e tij në një vend ku tranzicioni shfaqet i pakohë dhe ku ndërgjegjja e demoralizimit ngrefoset frikshëm, nuk është gjë tjetër veçse një tirani që buron së pari prej vet’hesë dhe së dyti prej rrethanave që imponon dominimi prej politikës. Vetëcensurimi ndër ne, është një ndër alarmet në shoqërinë që jeton në alarme të padëgjueshme.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA