Hakmarrja e grekëve dhe heshtja e Tiranës

24/08/2012 00:00

MARKO CAKA – Incidenti i fundit i ndalimit të gazetarit të TCH, Marin
Mema, është masakrimi i radhës që bën shteti grek ndaj të drejtave të
qytetarëve shqiptarë në lëvizjen e lirë të tyre. Një masakrim që është
vazhdim i pak muajve më parë nga ana e doganës greke të kthimit të tre
gjyqtarëve të Korçës, Afërdita Maho, Entela Prifti dhe Brunilda Malo.

Është një veprim i turpshëm i radhës i palës greke ndaj qytetarëve shqiptarë pas liberalizmit të vizave. Këto veprime, jo se nuk kanë funksionuar edhe më përpara, që kanë qenë me kohë edhe më masive, por kanë qenë të padukshme dhe të zhytura në botën mistere të shërbimit informativ grek (EYP), ngaqë refuzimet e vizave po me të njëjtin qëllim kanë qenë burokratike dhe të pashpjegueshme nga ana e zyrtarëve të konsullatave greke në Shqipëri. Është e paprecedentë që shteti fqinj grek vepron në mënyrat më primitive, duke përdorur metodën e hakmarrjes ndaj qytetarëve shqiptarë, aq më tepër ndaj gazetarëve dhe funksionarëve të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar. Grekëve u dhemb e vërteta e gazetarit Marin Mema, i cili e bën shumë mirë punën e tij, pa përdorur dhunë dhe fyerje, por duke zbardhur me profesionalizëm një të vërtetë të hidhur disadekadëshe, që ka sjellë plagë të pashërueshme ndaj komunitetit të përzënë etnik çam. Të tilla incidente janë të pafalshme ndaj një shteti që aderon me dekada në familjen më demokratike dhe emancipuese, siç është Bashkimi Europian. Por për shtetin helen, asgjë nuk ka ndryshuar që nga dita e parë që është bërë pjesë e familjes europiane. Për të nuk është hera e parë që përdor të tilla metoda diskriminuese dhe fyese ndaj një fqinji të përjetshëm që kërkon marrëdhënie normale. Mirëpo ky avaz ndaj shqiptarëve nuk është se ka nisur tani, por e ka zanafillën që në fillim të viteve ‘90, kur qeveria konservatore e Micotaqisit u ndalonte rrugën drejtuesve çamë, që sapo kishin krijuar shoqatën e tyre për të mbrojtur të drejtat themelore të tyre të kthimit në tokat e të parëve. Një arsye tjetër e qeverisë greke të asaj kohe, që do vijonin edhe me qeveritë pasardhëse, ishin qëndrimet politike të tyre që për t’u hakmarrë ndaj homologëve të tyre, Berisha, Nano (sado që në darkat private deklaroheshin shumë miq) ata zhvilluan reprezaljet më shtazarake me operacionin e famshëm të koduar “Fshesa”. Një operacion që vazhdoi për vite me radhë edhe nga pasardhësit e tyre të PASOK-ut, sado që edhe binomi Simitis-Nano, apo simotrat PASOK-PS ishin shumë afër me njëri-tjetrin ideologjikisht, por praktikisht me politikën e tyre u treguan të përmbajtur, duke shfryrë gjithë mllefin ndaj shtetasve shqiptarë nëpër pikat doganore greke. Me mijëra shqiptarë u torturuan qelive greke, në pritje të dëbimit vetëm e vetëm se pala shqiptare nuk u ishte “sjellë” mirë apo nuk u kishte qëndruar korrekte interesave greke. Aq më tepër në situatat e rënduara që krijoheshin nga protestat e komunitetit çam në kërkim të të drejtave të njeriut dhe që vazhdojnë të jenë të ngrira për disa dekada nga shteti grek. Kështu ka funksionuar edhe me radhët e gjata nëpër pikat kufitare me pretekstin se u janë prishur kompjuterët, por në realitet hallka e tyre ishte gjetkë. Ishte hakmarrja e radhës, që kishte ardhur pas një incidenti apo një tensioni politik që ishte shkaktuar nga rrethanat e ndryshme gjatë një takimi të krerëve të lartë, apo gjatë një tubimi paqësor në përvjetorët e gjenocidit famëkeq të Napoleon Zervës. Dhe përsëri haraçin e paguanin emigrantët bashkë me qytetarët e thjeshtë shqiptarë që vizitonin shtetin fqinj. Pra, pala greke është treguar gjithmonë e gatshme për t’u hakmarrë ashpër ndaj palës shqiptarë, edhe në rastet kur drejtues të minoritetit i frynin kosit, si në rastet e herëpashershme të incidenteve të Himarës. Greqia, me dhëmbët e saj, të kujton më tepër shtetet konfliktuale ballkanike apo diktatoriale, sesa një shtet që i përmbahet parimeve dhe rregullave demokratike që përmban Kushtetuta e Bashkimit Europian. Prandaj nuk ka paturpësi më të madhe kur dy vende fqinjë zyrtarisht deklarohen për marrëdhënie të shkëlqyera dhe praktikisht funksionojnë me rregullat e mesjetës. “Si të më sillesh, të sillem”. Dhe këtë e vërteton më së miri edhe mbajtja në fuqi e ligjit të luftës nga grekët. Vetëm që të mbajë nën kontroll të drejtën legjitime të popullsisë çame. Edhe sot në Greqinë moderne çamëve u refuzohet hyrja, me pretekstin për rrezikshmëri të sigurisë publike kombëtare. Çfarë rreziku mund të sjellin ata pleq të mbijetuar që i shpëtuan për mrekulli masakrës së ushtarëve grekë dhe tani duan të shohin varret dhe trojet e të parëve të tyre.

Rastet i fundit me kthimin e gazetarit Marin Mema dhe të gjyqtarëve të Korçës, pala greke tregon se akoma nuk është pastruar nga ideologjitë e vjetra megalomane dhe absurde të cenimit të Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut. Dhe kur kjo ndodh ndaj funksionarëve të shtetit shqiptar, ajo bëhet akoma më shpërfillëse ndaj marrëdhënieve të reciprocitetit të dy vendeve. Madje sipas gjyqtares së Shkallës së Parë të Korçës, Afërdita Maho, ndalimi i saj u krye në kohën që po udhëtonte bashkë me foshnjën tremuajshe, që e bën edhe më të pafalshëm veprimin e autoriteteve greke.

Por shteti grek ka gjetur se më kë të luajë, me një shtet që nuk u del aspak në mbrojtje qytetarëve të vet. Tirana zyrtare pret të reagojë vetëm pasi skandale të tilla të publikohen në media. Pra, vetëm atëherë kemi deklarata për shtyp, se për masa konkrete dhe nota proteste as që bëhet fjalë. Nga përvoja ime disavjeçare si reporter i diplomacisë greke për mediat shqiptare në shtetin fqinj, sa herë që kishte incidente në marrëdhëniet turko-greke, këta të fundit as që e ngrinin zërin. Madje, edhe kur kishte shkelje të hapësirë territoriale nga ana e flotës ajrore dhe detare turke, Greqisë as që ia mbante të fliste dhe jo më të hakmerrej me ndonjë reprezalje ndaj popullsisë turke në veri të vendit, siç janë mësuar me shqiptarët. Por me Shqipërinë e kanë gjetur shumë të lehtë, sepse pas zyrtarëve të lartë fshihen interesa personale shumë të larta ekonomike dhe fitimprurëse. Prandaj, edhe hakmarrjet shkarkohen te pjesa më e dobët e shoqërisë shqiptare, te qytetarët e thjeshtë që përballen dita-ditës me presione psikologjike dhe fizike të dorës së hekurt të autoriteteve greke. Grekët në këto 20 vjetët e fundit kanë ditur të luajnë shumë mirë në dëm të shqiptarëve, pa llogaritur përfitimet në kurriz të tyre.

Kush na qenka ky Naum Disho që na paska vënë gjithë Greqinë në këmbë, se me dënimin e tij qenka cenuar e drejta e minoritetit. Përse duhet të kenë imunitet zotërinjtë Disho, Bollano e Dule?!

Me qindra shqiptarë dergjen edhe sot burgjeve greke, me dënime ekstreme vetëm e vetëm se janë shqiptarë.

Ka ardhur koha që ne të ngremë kokën. Krijimi i një partie politike me identitet të qartë nacionalist është një sinjal i mirë. Ndaj kësaj force politike po lëshohen një sërë akuzash nga qarqet politike brenda dhe jashtë kufirit, por për shumicën e shqiptarëve, mendoj se kjo është një dritë shprese për të çuar në vend dinjitetin e nëpërkëmbur prej 20 vjetësh.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA