Me këtë turizëm, të huajt më mirë të mos vijnë…!

23/08/2012 00:00

ARBEN MANAJ – Për të mos më paragjykuar apriori, kini mirësinë dhe më
gjykoni pasi të keni lexuar argumentet që do të parashtroj. Është një
konstatim dhe konkluzion që më dhemb për vendin tim, por është më mirë
kështu, sesa të vritet për dekada të tjera, dëshira e të huajve për të
ardhur dhe pushuar në Shqipëri si turistë.

Ka një mit që po krijohet frikshëm këto vitet e fundit me zhvillimin e turizmit shqiptar dhe më e keqja akoma, me dyndjen e supozuar të të huajve në Shqipëri, që unë pa frikë e quaj fiktive.

Në këtë mashtrim shifror dhe propaganda zyrtare diletante, abuzohet me mallin e shqiptarëve të natyralizuar në Perëndim, të cilët përdorin pasaportat e shteteve ku jetojnë dhe regjistrohen në pikat e kalimeve kufitare me cinizëm nga shteti, si turistë të huaj.

Me siguri edhe unë dhe familja ime jemi regjistruar si të tillë, edhe pse mund të kemi ardhur ndonjëherë edhe për turizëm patriotik.

Por nëse flasim për ardhjen e të huajve për turizëm, me siguri që ne nuk jemi as të huaj dhe as turistë të huaj të ardhur në Shqipëri. Të tillë ma do mendja, nuk janë as shtetasit nga Kosova dhe as shqiptarët që hyjnë e dalin në Shqipëri me pasaportë maqedonase, edhe këta shtetas zyrtarisht të një shteti tjetër.

Në këto shifra, me siguri, futen si turistë edhe ata që marrin pjesë në seminare zyrtare dhe ndërkombëtare apo vijnë për biznes, si dhe delegacione zyrtare në Shqipëri, por që rrinë aq ditë sa rrinë në Tiranë e jo të shullëhen në Dhërmi apo Velipojë. Praktikisht, të huajt e mirëfilltë po i quaj, janë shumë të pakët në shifra dhe shyqyr Zotit që janë të tillë. Janë të pakët, pasi nuk di që në Rinas të ulen avionë Charter që sjellin anglezë, francezë, gjermanë, rusë, ukrainas, polakë a danezë e suedezë që vikan me paketa turistike nëpër plazhet shqiptare. Nuk ka dhe ky është fakt.

M’u desh sërish të shkoj këto ditë në zyrat e agjencive turistike këtu në Londër, si “Thomas Cooke” apo “Going Places” për të parë nëse kishin në broshurat e tyre oferta për Shqipërinë.

Ashtu siç e prisja, po për të qenë i qetë me veten edhe për këtë shkrim, shkova…, për të marrë përgjigjen negative. Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe.

Edhe nëse mund të prenotosh në Shqipëri privatisht në ndonjë hotel nga jashtë shtetit, online apo në telefon, të qëllon, po them me zbritje, të mos kesh kontratë detyruese për të të garantuar dhomën dhe mundet edhe të ta anulojnë në minutën e fundit, nëse del një tjetër që ofron më shumë në atë periudhë.

Por kur flitet për turizëm dhe ardhje të të huajve, kam parasysh atë që ndodh në Turqi, në Tunizi, në Egjipt apo në Greqi, ku nga Anglia apo vende të tjera europiane, mund të prenotosh ose online ose pranë agjencive të specializuara, që nga fluturimi, hoteli, transferimi nga aeroporti deri në resort, gjithçka brenda një pakete turistike.

Dhe kjo në Shqipëri nuk ekziston praktikisht. Por kjo nuk është e gjitha.

Edhe nëse shkon, ke probleme të mëdha që nuk i gjejnë të huajt në vende të tjera, ose nëse gjejnë qoftë vetëm një për qind të atyre që gjen në Shqipëri, do kishin vendosur të mos shkonim më kurrë në atë vend, plus do bënin pa as më të voglin dyshim propagandën më të keqe për atë eksperiencë.

Aq më tepër, që në epokën e sotme të teknologjisë e internetit është praktikë e rëndomtë që çdo perëndimor të verifikojë nëpër website të caktuara komentet e pushuesve të tjerë paraardhës për një resort apo hotel të caktuar, për të marrë një opinion të dytë për përzgjedhjen e tij se ku do të pushojë.

Ndërkohë, në Shqipëri, mund të jenë me gishtat e njërës dorë të numërueshëm resorte të karakteristikave të atilla që gjen rëndom si all-inclusive, apo half-board, për më tepër me pishina, për shembull, dhe me ato përmasa, siç i gjen në vende të tjera.

Përpos kësaj, ka probleme të mëdha me pastërtinë apo ujin, që janë gjëja më e patolerueshme dhe e paimagjinueshme për çdo pushues perëndimor, pa folur pastaj për periudhën e pas plazhit.

Fatkeqësisht në Shqipëri nuk ka një sistem të organizuar apo të instaluar, ku një i huaj apo edhe shqiptar, të mund të prenotojë një shëtitje me anije përgjatë bregdetit apo edhe të peshkojë për një ditë apo disa orë në det të hapur, apo të ndalojë nëpër shpellat apo gjiret e bukura të Jonit apo lagunat e Adriatikut.

Nuk ka një ekskursion që të shkojë po them nga Vlora apo Dhërmiu, Himara e Saranda për një ditë drejt Syrit të Kaltër, Gjirokastrës, apo Ujit të Ftohtë në Tepelenë apo Grykës së Këlcyrës, apo të vizitojë Kalanë muze të Gjirokastrës, ose atë të Tepelenës sime, me dhimbje e them, është më mirë ta përdorin si vendpushimi për të çliruar veten nga nevojat personale, ashtu siç është katandisur sot turpësisht apo paturpësisht.

E njëjta gjë nuk ekziston për një ekskursion drejt Beratit, apo Apolonisë, apo drejt Kalasë së Rozafës apo vendeve të tjera me interes në Veri.

Në qendrat e mëdha të pushimit në Shqipëri, me përjashtim të Durrësit të ndotur nga dora e njeriut, ka mrekulli të virgjëra deri-diku, të natyrës, me ujëra të pastra, sidomos në detin Jon.

Por përveç kësaj, thuajse asgjë për t’u argëtuar në pasditet dhe mbrëmjet, përveç diskove dhe bareve apo restoranteve, që janë më shumë për të rinjtë dhe më pak për grupmoshat e tjetra dhe fëmijët.

Janë të pakta dhe aspak konsistente promenadat, apo ambientet e tjera të argëtimit, rrugë të tëra me dyqane për shopping turistik, ku mund të gjesh dyqane, butikë, apo edhe vende ku mund të blesh artikuj karakteristikë e prodhime artizanale vendase, apo një dyqan, ku mund të marrësh një makinë apo motoçikletë me qira, një farmaci apo zyrë mjeku që një i huaj të shkojë të marrë një shërbim, nëse do t’i duhet si ndodh në Bodrum apo në Tenerifë, në Kretë apo në Majorka.

Për këto arsye që thashë më sipër që me këtë turizëm alla shqiptar, është më mirë që të huajt të mos vijnë për momentin në Shqipëri, pasi të jeni të sigurt, siç lind dielli çdo mëngjes, se do t’i bëjnë një reklamë shumë-shumë të keqe vendit tek aspirantë të tjerë, që mund të kenë kuriozitetin e ardhjes në një vend të panjohur për ta, apo tek ata pushues potencialë të lodhur nga tejngopjet me vende tradicionale, ku pushojnë prej dekadash nëpër Mesdhe.

Në Shqipëri nuk është se nuk ka zhvillim të turizmit, por ai nuk klasifikohet dhe nuk krahasohet me asgjë në ato që gjen lehtësisht dhe vetëkuptueshmërisht në destinacionet më popullore, ku shkojnë e pushojnë në masë europianët.

Ajo që kurrë nuk arrij ta kuptoj, është se si ka mundësi, që mirë që nuk jemi në gjendje të krijojmë një variant apo model origjinal dhe unik për mirë, por përse nuk kopjojmë me të drejtë autori ato eksperienca, që tashmë kanë rezultuar të suksesshme gjetkë?!

Aq më tepër që për një vend si Shqipëria, ku turizmi është e tashmja, por edhe e ardhmja e ekonomisë, ku nuk prodhohen edhe për shumë vite apo ndoshta kurrën e kurrës, nuk do mund të prodhohen makina Toyota, apo nuk ka qendra të tipit Call Center të telefonisë së vendeve të zhvilluara, si alternativa zhvillimi dhe punësimi.

Ajo që të trishton ende me këtë vendin tim, është mos-serioziteti që qeveritë e njëpasnjëshme i kanë kushtuar këtij sektori, që edhe nëse është zhvilluar në këtë format defektoz gjithsesi, është më shumë mbi baza voluntare e private dhe në formën më të keqe e më të shëmtuar të mundshme.

Ky sektor ka nevojë për njerëz me vizionin e know-how e duhur që ta drejtojnë, e që janë jo të pakët në tregun administrativ, pasi i duhen njerëzit e duhur postit të duhur, dhe jo t’i gjendet dikujt nga aleancat politike fluide një vend pune që të drejtojë këtë industri fitimprurëse.

Nga ana tjetër, nuk është se këta administratorë a funksionarë apo edhe ata që mund të influencojnë profesionalisht në këtë industri, nuk kanë parë dhe nuk kanë pushuar vetë në vende të tjera.

Jam i sigurt që ata kanë ndjerë të njëjtin përjetim dhe brengë si e imja, kur sa herë pushojmë, jo në Shqipëri, kur mendojmë dhe pyesim veten; Po pse të mos ishte kështu edhe në Shqipërinë tonë, për të cilën realisht duhet t’i falemi Zotit që na lindi në një vend po kaq të mrekullueshëm nga bukuritë dhe resurset natyrore, sa edhe fqinjët tanë në Veri dhe në Jug apo në Perëndim, të renditur në top-destinacionet turistike jo vetëm më të reklamuarat, por mbi të gjitha, më të frekuentuarat në botë për turizëm.

Nëse nuk u bindët sapo pak, nga sa më sipër… nuk kam koment… por të paktën le të biem dakord që të mos biem dakord.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA