ANDREA STEFANI – Vështirë të besohej se dredhia e lashtë greke e Kalit
të Trojës mund të gjente zbatim në politikën e jashtme apo diplomacinë e
një shteti anëtar të Bashkimit Europian (BE) sikundër është Greqia e
sotme.
Por ja që ajo ka ndodhur dhe po ndodh në marrëdhëniet e shtetit helen me Shqipërinë fqinje me ndryshimin, jo thelbësor, se kali i drunjtë është ndryshuar me një kalë uji apo siç quhet kalë deti. Krejt në kundërshtim me parimet dhe standardet europiane, politika e jashtme greke po përpiqet të përfitojë më shumë se i takon nga ujërat detare në kufirin me Shqipërinë, duke e shantazhuar këtë të fundit, me nevojën që ka për të marrë, sa më shpejt që të jetë e mundur, statusin e kandidatit të BE-së. Një diplomaci dinake dhe e pandershme që gjen terren edhe te predispozita aspak patriotike e qeverisë shqiptare aktuale, e cila, për të zgjatur jetën e vet, ka faktuar tashmë gatishmërinë për të hyrë në pazare të tilla “qiud pro quo” (më jep të jap), që bien në kundërshtim jo vetëm me interesat kombëtare, por edhe me parimet e Europës, ku pretendon se do ta çojë Shqipërinë.
***
Çfarë vartësie ka mes marrjes nga Shqipëria të statusit kandidat për anëtar i BE-së dhe caktimit të kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë? Normalisht asnjë lidhje. Por çuditërisht është shteti grek që po përpiqet ta trajtojë si të tillë. Pra, nëse qeveria shqiptare bie në marrëveshje për një kufi detar që kënaq disa ambicie të qeverisë greke për rezerva nënujore nafte, qeveria greke do të japë OK që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, por nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet, Greqia do të votojë kundër kandidaturës së Shqipërisë. E drejta e kërkon që kufiri detar të përcaktohet në bazë të konventave dhe të drejtës ndërkombëtare, ndërsa marrja ose jo e statusit të kandidatit nga Shqipëria nga fakti sesa i ka realizuar ajo të 12 prioritetet e caktuara nga BE-ja, sesa i është përafruar ajo Europës në të gjitha sferat e jetës. Të përpiqesh të shmangesh nga këto kritere, do të thotë t’i largohesh së drejtës. Dhe çfarë nuk është e drejtë, nuk është as e mirë si për Greqinë ashtu dhe për Shqipërinë apo edhe Europën.
***
Supozojmë për një moment se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë vend kandidat i BE-së. A do të ishte e drejtë që qeveria e Greqisë të votonte kundër të drejtës që i lind Shqipërisë, vetëm sepse qeveria e këtij shteti, ende më i varfri në Europë, nuk pranon të bëjë një padrejtësi ndaj kombit dhe popullit të vet duke i dhënë Greqisë, më shumë se i takon me të drejtën ndërkombëtare, nga ujërat detare që ndajnë dhe bashkojnë të dy shtetet fqinje? Në këtë rast padrejtësia do të ishte e hapur dhe Greqia do të shfrytëzonte statusin e saj si anëtar i BE-së, në një konflikt të hapur interesi me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Europës. As kufiri detar apo as gazsjellësi TAP nuk mund të përdoren si plaçkë tregu duke këmbyer me to aspiratën e ligjshme që kanë shqiptarët për t’u anëtarësuar në BE. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është favor që i bëhet një shteti, por është meritë. Dhe si i tillë ai nuk kërkon që t’i bësh favore askujt në kurriz të së drejtës ndërkombëtare apo kombëtare. Qeveria shqiptare e Kryeministrit Sali Berisha nuk duhet të kishte hyrë në të tilla pazare të turpshme që vënë në rrezik pasuri dhe hapësira që shqiptarëve ua kanë lënë të parët. Ajo duhet të ketë parasysh se ujërat detare janë pasuri kombëtare e shqiptarëve dhe se kombi shqiptar nuk kufizohet vetëm me shtetin shqiptar. Prandaj në rastin e çështjeve si ajo e kufirit detar me Greqinë, jo qeveria, por edhe vetë Parlamenti i Republikës së Shqipërisë ka një sovranitet mjaft të kufizuar përballë gjithë kombit. Ata mund të marrin vendime për këtë çështje, por vetëm në përputhje me interesin e gjithë kombit shqiptar dhe kjo është e mundur vetëm mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
***
Por çfarë e detyroi qeverinë Berisha të ndërmarrë një pazar të ulët për faljen e ujërave detare Greqisë, pazar që, pas denoncimit nga një patriot si Myslym Pashai, u hodh poshtë si i padrejtë edhe nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë? Asgjë më shumë dhe asgjë më pak veç dobësisë dhe korruptimit të vet. Ndërsa po mbush 8 vjet qeverisje, kabineti Berisha është aq i korruptuar dhe aq autokratik sa e ka të pamundur plotësimin e prioriteteve të vëna nga BE-ja. Ai nuk mund të pranojë që gjyqësori në Shqipëri të pavarësohet, sepse kjo do të sillte automatikisht hetimin dhe gjykimin e korrupsionit të saj që po i merr frymën shtetit. Ai nuk mund të pranojë ndarjen e pushteteve, sepse vetëm me përqendrim dhe komandim të të gjitha institucioneve dhe pushteteve, do të mund të zgjasë jetën e vet. Kabineti Berisha nuk mund të pranojë që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, sepse kjo do të thoshte humbje të sigurt të pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Korrupsioni dhe autokratizmi janë dy patericat që mbajnë në këmbë qeverinë Berisha, prandaj, ndërsa betohet se po punon për 12 prioritetet, ajo bën të kundërtën. Janë faktet që zbulojnë maskaradën e integrimit. Sepse, ndërsa 12 prioritetet dhe integrimi kërkojnë që Presidenti të jetë i pavarur, Berisha caktoi në këtë post një besnik të tij. Ndërsa prioritetet dhe integrimi kërkojnë që kreu i SHISH-it të jetë i pavarur, Berisha jo rastësisht nxitoi të caktojë në gusht në këtë post një besnik të tijin. Integrimi kërkon ndarje pushtetesh dhe prokurori të pavarur po krejt në kundërshtim me këtë, Berisha do të caktojë shumë shpejt kryeprokuror një “qelesh” të tijin, duke shkarkuar Ina Ramën, e cila nuk është më një “Silvia Konti” vetëm sepse nuk i shërbeu Berishës. Dhe është kjo mungesë dëshire për të pavarësuar dhe europianizuar pushtetet dhe institucionet që e shtyn qeverinë Berisha të hyjë në pazare antiatdhetare me qeverinë greke. Sepse vërtet nuk do europianizim real në Shqipëri (ndarje pushtetesh, pavarësi institucionesh dhe luftë reale kundër korrupsionit), por ama dëshiron që gënjeshtra e integrimit të zgjatet edhe ca vjet me marrjen e statusit të kandidatit, një status që do të shërbente edhe si gjethe fiku e hallateve autokratike dhe e korrupsionit të saj. Dhe Greqia mund të japë një dorë të mirë në realizmin e kësaj ëndrre. Por që ajo ta bëjë këtë favor për qeverinë Berisha, duhet që kjo e fundit t’i bëjë asaj një favor, duke i falur një pjesë të ujërave detare. Një pazar “quid pro qou”, “tit for tat”. Një favor për favor. Por asgjë në favor të integrimit të Shqipërisë me Europën dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.
Top Channel