Në jug kalohet bukur, por…

21/08/2012 00:00

Mustafa Nano – Para ca ditësh, e përditshmja “Panorama” publikoi një shkrim, ku autorja Mirela Kumbaro kish hedhur ca shënime qortuese mbi turizmin në jug të vendit, bazuar te një përvojë personale në Drimadhë, një vend afër Dhërmiut, një si gji i vogël, ku është improvizuar një plazh. Ata që e kanë vizituar e dinë se Drimadha është një vend fantastik, një trill i bukur i natyrës, por Mirela Kumbaro nuk ecte kësaj ane. Nuk është se nuk thosh fjalë të mira; thosh që ç’ke me të, fliste për ndonjë hotel të mirë, për kamerierë të sjellshëm e të zhdërvjellët, për gatime të mira (në fushën e shërbimeve vihen re përparime për çdo vit, s’ka gjë se shërbimet nuk janë vetëm akomodimi e ushqimi, e s’ka gjë se oferta turistike është shumë më tepër se sa kaq), por kryesisht bënte kritika.

Dikush që e kish lexuar, më thosh në “Facebook”, se Kumbaro ka kërkuar qimen në vezë; ai kish qenë dhe vetë në Drimadhë, dhe kritika i dukej e kërkuar, në një kohë që, sipas atij, pushimet në jug, e sidomos në Drimadhë, bëhen për mrekulli. Nukkishndonjë gjë për të thënë lidhur me vëzhgimet konkrete të bëra prej autores, por ekishme “qasjen kritike qysh në start”. “Autorja është nisur për të shkruar keq”, më tha.

Biseda online me lexuesin plot xanxa të Mirelës u shndërrua në një diskutim disa minutash mbi turizmin në Shqipëri, dhe problemi, sipas meje, nuk është i Mirelës, por i tij, gjë që ia thashë. Dhe nuk është vetëm ai që e ka këtë problem. Njerëz të tillë, të cilët janë të shumtë në këtë vend, e mbajnë ulët, fare ulët, stekën e gjykimit e të vlerësimit. Kanë, me sa duket, një optikë mazokiste në jetën e tyre; kanë jetuar tërë kohën në mizerie, ashtu si dhe unë e Mirela, dhe çdo përparim minimal u duket si hap kolosal; ose mjaftohen me çfarë natyra u ofron (dhe natyra atyre anëve të ofrohet e të zbulohet me një bujari të pashoqe e me të gjitha hiret e veta), pa i çarë kryet për dhjetëra gjëra të tjera që s’shkojnë, që janë bërë keq, që nuk janë bërë, që nuk funksionojnë, që ta nxijnë jetën. E keni vënë re? Pothuaj të gjithë ata që kthehen nga pushimet në jug të vendit, janë të prirur të fokusohen tek ana e bukur e pushimeve. “O Zot, çfarë deti!”, thonë.

Isha vetë këto ditë në Dhërmi, e një copë herë edhe në Drimadhë e në Jalë, mirëpo e dini çfarë: Unë nuk shoh gati asnjë ndryshim; shkoj çdo vit, dhe çdo herë është i njëjti Dhërmi. Sigurisht, ka ndonjë lokal të shtuar, ndonjë vilë e ndonjë hotel më tepër, por sfondi fizik është po ai, me rrugët e ngushta, me makinat që parkojnë si t’ua japë në kokë në anë të këtyre rrugëve duke i ngushtuar aq shumë, sa në ndonjë rrethanë të duhet të bësh indietro tridhjetë a dyzet metra për t’i hapur rrugën tjetrit, e me atë rrjepje karakteristike të peizazhit; një pallat tre a katërkatësh, që ka qenë kampi i punëtorëve në kohë të komunizmit, vijon të jetë gërmadhë prej më shumë se një dekade; vetëm muret i kanë mbetur, e nuk kuptohet pse e lënë ashtu. Ajo gërmadhë e qëmotshme, edhe e vetme, ta rrëzon sa kaq çdo pretendim për Dhërmiun si ofertë serioze turistike; por nuk është vetëm ajo që “prish syrin e keq”. Rruga që të çon në diskon “Havana” është si e bombarduar, ashtu siç është edhe rruga tjetër që të çon në ca apartamente e vila përtej shtëpisë qeveritare (atje rri Kryeministri, dhe është bash atje që e kap ajo gjendja idiotike që e bën të flasë për rekorde në not), të cilat merren me qira gjatë sezonit turistik; dhe është fjala për dy rrugë të shkurtra e të ngushta; secila është jo më e gjatë se dyqind metra.

Në Dhërmi ka energji elektrike, por puna është se është një energji elektrike që mbrëmjeve e netëve nuk të vlen për asgjë tjetër, veçse për të shquar mezi tiparet e ndokujt që është afër teje. Tensioni është i ulët, aq i ulët sa ndonjëherë ti jeton me idenë e blackout-it; në fakt është tensioni që është ulur deri atje, sa të ngjan se energjia ka ikur për fare. Nuk lexon dot mbrëmjeve, nuk sheh dot TV, nuk vë dot lavatriçen në punë. E mos kujtoni se unë po shes një ngjarje të një dite të caktuar për një gjendje të çdo dite. Jo, është fjala për një gjendje të çdo dite. Unë duhet të prisja orën 00.30 të natës, kur të tjerët kishin rënë në gjumë, që t’i gëzohesha një tensioni afër normales, e të ulesha të shkruaja ndonjë gjë në laptop; para kësaj ore, ish e pamundur, pasi tastiera më zhytej në terr, e tastat më dukeshin të gjitha si buburreca. Lokali në qendër të zonës së plazhit, nga i cili dilnin tinguj muzike që i mbërrinin gjithkujt, në të gjithë zonën, në vesh (i mbërrijnë edhe Kryeministrit gjatë kohës që është aty, e ai, ndonëse lëshoi bubullima para ca javësh kundër kësaj dukurie, nuk e ka bërë qejfin qeder), nuk vuante prej këtij problemi; me siguri, ka gjenerator.

Po pse shkon andej, kur qenke kaq i pakënaqur?, do t’më thoshte, e jam i bindur që do t’më thotë, ai lexuesi i Mirela Kumbaros. Shkoj – dhe këtu po jap një përgjigje banale; banale, ngaqë është e ditur, e pritshme dhe e kollajtë për t’u thënë – sepse më pëlqen deti Jon, sepse më pëlqen, e shpesh edhe më mjafton, thjesht të jem në një zgëq buzë ujit të kthjellët të këtij deti, nën një çadër, me një libër në dorë, sepse është bukur të shkosh në Drimadhë e në Jalë, ku ca investime private bëjnë që dita të të kalojë pa u ndier e mes një karari prej parajse (unë shkova në Drimadhë e në Jalë për të kaluar një copë herë të ditës, e jo gjithë natën, si Kumbaro).

Por me të ikur prej këtyre vendeve, ballafaqohem me problemet që numërova më sipër, të cilat, në ndryshim nga shumë të tjerë, ndoshta të shumtit, nuk bëj dot sikur s’i shoh, e nuk bëj dot sikur nuk më krijojnë asnjë bezdi. Madje, çuditem me ata që nuk gjejnë arsye të ngrenë zërin për një ofertë turistike që ta nënkuptojë dhe rrugën e mirë, dhe trafikun e rregullt, dhe qetësinë, dhe mjedisin e bukur, dhe shërbimin shëndetësor, e gjithçka tjetër që të bën të pushosh në kuptimin e plotë të fjalës.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA