Për të katërtën ditë rresht zjarre të mëdha shkrumbojnë zonat pyjore të ishullit Hios në lindje të detit Egje. Mbi 18.000 hektarë tokë pyjore dhe e kultivuar janë djegur.

Vlerësimet e para bëjnë fjalë për një shkatërrim të të paktën 40 përqind të drurëve që japin lëndën e parë në prodhimin e çamçakëzit apo të mastikës në gjuhën vendase, drurë që rriten vetëm në këtë ishull dhe që duhen të paktën 6 vjet që të japin prodhimin e tyre.

Deri tani dëmi përllogaritet në mbi 4 milion euro, kur gjithë të ardhurat vjetore nga ky prodhim tradicional me mbi 150 ton rrëshirë çamçakëzi, shkojnë në 15 milion euro. Por nga zjarret rrezikohen tashmë edhe shtëpitë e disa fshatrave në ishull banorët e të cilave janë zhvendosur. 

Sipas Ministrit të Marinës Tregtare të gjitha hetimet për zjarrin e madh në këtë ishull tregojnë se është vepër e qëllimshme e zjarrvënësve. Greqia ka javë që përballet me zjarre të shumta në të gjithë territorin e saj, pas valëve të mëdha të të nxehtit dhe erërave të fuqishme që po mbizotërojnë pothuajse gjithë verën.

Vetëm në tre ditët e fundit janë regjistruar mbi 282 zjarre në gjithë vendin, të cilat përbëjnë një sfidë për qeverinë e re e cila në përpjekje për të paguar borxhet, lufton për reduktimin e shpenzimeve në mes të një krize të paparë ekonomike që ka pllakosur vendin.

Në kujtesën e shumë grekëve ende nuk janë shuar pasojat e zjarreve vrastare të vitit 2007 ku humbën jetën 67 persona, midis të cilëve edhe dy shqiptarë, u dogjën mijëra hektarë pyje dhe u rrezikuan monumente arkeologjike në gadishullin e Peloponezit.

Top Channel