Krerët e shtetit dhe opozitës i bashkohen festimeve

19/08/2012 15:15

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, si edhe përfaqesues të një pjese të madhe të trupit diplomatik në vend kanë zhvilluar vizita në selinë e Komunitetit Musliman në Tiranë për të uruar Fiter Bajramin.

Kreu i qeverisë, Berisha ka vlerësuar devotshmërine e besimtarëve muslimane duke agjëruar dhe ka uruar një vit sa më të begatë dhe të lirë deri në festën e ardhshme.

”Vendimi i muslimanëve për të përkushtuar dhe nderuar Zotin në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit, është frymëzues për të gjithë njerëzit. Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit. Gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit të sakrificës”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në të njëjten linjë urimi ishte edhe Kryetarja e Parlamentit, e cila ka uruar të gjithë shqiptarët në cdo shtet që ndodhen.

”Edhe një herë, me zemër ju uroj gëzuar, besimtarëve në Shqipëri dhe emigracion, atyre që janë në Kosovë, Maqedoni e trojet shquptare kudo, duke besuar se gëzime më të mëdha, një jetë më të mirë, më mirë ekonomikisht e më të lumtur me njëri-tjetrin do të jemi në të ardhmen”, uroi Topalli.

Në emër të opozitës, ka uruar Sekretari Organizativ i PS-së, i cili është shprehur se të gjithë duhet të punojnë për një Rilindje të Re. “Në emër të familjes sonë të madhe, Partisë Socialiste dhe kryetarit Rama, kërkoj që në këtë ditë të sakrificës, mirësisë dhe respektit për njëri-tjertrin të urojmë mbarësi, të marrim nga kjo bukuri e kësaj feste e t’i japim vendit një rilindje të re, më shumë begati dhe solidaritet në familjet tona e mes nesh”, tha Klosi.

Vizita kryen edhe liderët e komuniteteteve të tjera fetare, duke shprehur edhe një herë harmoninë që ekziston mes tyre në Shqipëri.

Top Channel