Artan Lame – Shumë gjëra kanë pasur inat shqiptarët jetë e mot, por mbi të gjitha kanë urryer shtetin e tyre. Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë parë shtetin e tyre si një mekanizëm që e kanë krijuar vetë, për t’u shërbyer me qëllim që të përmirësojë e organizojë jetën e tyre shoqërore. Jemi mësuar denbabaden ta shohim shtetin si një armik që na vjedh e na vret, që na shtyp e na zhvat. Në më të shumtit e këtyre 100 vjetëve nuk e kemi zgjedhur vetë shtetin tonë, por na është imponuar nga sipër dhe ne kemi qenë të detyruar veç të ulim kokën e të durojmë, apo të përpiqemi t’i bëjmë bisht kur kemi pasur mundësi.
Edhe tani në kohët moderne, pak gjëra kanë ndryshuar në këtë marrëdhënie me shtetin tonë, por ambienti demokratik ndërkombëtar sidoqoftë ia ka vështirësuar disi punën shtetit tonë, që vazhdon si gjithmonë të na rrijë mbi zverk, duke mos bërë asgjë për ne. Dhe me ç’duket, janë pikërisht këto kohë të demokracisë që po na japin mundësinë që edhe të hakmerremi ndaj tij. Kjo e hakmarrjes ndaj shtetit tonë, është shpikje tipike e jona, se në Angli a në Holandë do përpiqeshin të ndryshonin shtetin që t’u përshtatet e t’u shërbejë, ndërsa ne, të paaftë ta ndreqim, thjesht përpiqemi të hakmerremi kur na del në shteg. Dhe tani na ka dalë vërtet në shteg. Kemi një shtet të shkalafitur që s’komandon më gati asgjë dhe që mbahet më këmbë vetëm me parimin bëni çfarë të doni por më lini edhe mua të bëj ç’të dua.
Herë pas here, për t’u dukur sikur dëshiron të barazohet me ne, palo-shteti ndërmerr ndonjë masë gjasme për të hequr apo pakësuar privilegjet e veta. Do heq makinat e pushtetarëve, të drejtorëve e të zv/ministrave – tha Saliu dhe ne u gëzuam. Në vend që të themi: jo, pushtetarët duhet të kenë makinë e shofer, duhet të kenë kushte optimale pune, që kështu t’a kenë mendjen tek puna dhe jo se ku të gjejnë një makinë; ne i biem shkurt, themi mirë bëri që ua hoqi, ata legena le që na vjedhin por kishin edhe makina.
Do ul pagat e larta dhe do pakësoj privilegjet e zyrtarëve – na thotë Saliu dhe ne lumturohemi. Në vend që të kërkojmë që zyrtari të ketë rrogë të lartë, se vetëm kështu ndjehet i sigurt ekonomikisht dhe pas kësaj t’i kërkojmë ta bëjë punën mirë, ne i biem shkurt, e ulim atë në nivelin e mbijetesës dhe pastaj çuditemi që zyrtari e ka mëndjen të vjedhë. E mbani mënt atë barsaletën me doganierin që u çudit në fund të muajit kur firmosi në bordero: “si, paska edhe rrogë kjo punë?!”.
Do heq imunitetet që deputeti dhe gjykatësi të jenë të barabartë me ju, o populli im i thjeshtë dhe punëtor – na thotë Saliu. Dhe ne lumturohemi e thërrasim hiqua legenëve se na shuan e na përvëluan. Në vend që të kërkojmë që gjykatësi e deputeti të ketë imunitet e mbrojtje ligjore, se vetëm ashtu mund të presim të ketë kurajë që, pasi të jetë i mbrojtur vetë të na mbrojë edhe neve e interesat tona.
Shkurt, edhe tani në kohët moderne, kemi zënë udhën e shtrembër. Që shteti që kemi ngritur nuk është serioz kjo bën belí, por kjo nuk më duket arsye e mjaftueshme që të vazhdojmë njësoj.
Duhet të kërkojmë që zyrtarët të trajtohen mirë, të mbrohen me ligje, të kenë rroga të larta, makinë, kredi për shtëpi, e të tjera benefice që do t’i bënin ta kishin të sigurt jetesën dhe pas kësaj t’u kërkonim llogari për punën. Ja, ua dhamë të gjitha, rroga, zyra, makina, mbrojtje, tani ulni kokën e punoni. Por ne nuk bëjmë këtë. Kënaqeni ta lëmë zyrtarin e shtetit pa asnjë mbrojtje sa për të mbijetuar dhe pastaj e mallkojmë kur ai e ka mëndjen të vjedhë e të plaçkisë për të mbijetuar.
Top Channel