Mijëra besimtarë myslimanë festojnë festën e Fiter Bajramit.

Në orën 6:15 të mëngjesit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur plot me burra dhe gra myslimane  që sipas traditës fetare kanë falur namazin e Bajramit të Madh.

Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditë agjërimi të muajit Ramazan, ku besimtarët myslimanë ushqehen vetëm në vaftet syfyr (në mëngjes) e iftar (në darkë) si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit.

Pas 30 ditë agjërim besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre. Sipas traditës, festa e Fiter Bajramit vijon më pas në shtëpitë e  besimtarëve myslimanë me drekën tradicionale ku ftohen  më të afërmit për ta kaluar bashkarisht dhe të gëzuar këtë ditë të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.

Presidenti Nishani uron myslimanët

Me rastin e Fiter Bajramit besimtarët myslimanë kanë marrë një urim edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni. Është kënaqësi dhe nder për mua që urimin e parë si President i Republikës t’ua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë. Gëzuar festën e Fiter Bajramit!
Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet.
Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë. Nëpërmjet jush gjej rastin të uroj të gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha: bashkëjetesën fetare. Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar përpara njerëzimin. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin.”

Festime masive edhe në Shkodër



Fiter Bajrami është festuar edhe në qytetin e Shkodrës. Me mijëra besimtare muslimane janë mbledhur para xhamise Ebu Beker në qendër te qytetit, që në mëngjes ku jane falur duke mbushur edhe rrugën kryesore.

Ceremonia më e rëndësishme që kulmon mbylljen e muajit të Ramazanit është drejtuar nga myftiu i Shkodrës, Muhamed Syrtari, i cili falenderoi të gjithë besimtarët dhe uroi ata për kalimin me sukses të muajit të Ramazanit.

Pas rritit të faljes, besimtarët kanë vijuar festimet për këtë ditë pranë shtëpive të tyre.

Top Channel