Berat, alarmi i mbeturinave

19/08/2012 16:55

Qyteti i Beratit vuan mungesën e një landfildi për grumbullimin e mbeturinave, të cilat rëndom hidhen në lumin Osum.

Ky lumë që kalon në mes të qytetit është shume i ndotur nga këto mbeturina dhe ujrat e zeza që shkarkohen aty.

”Në stinën e verës, për shkak të prurjeve të pakta dhe temperaturave të larta të stinës, ku uji avullon dhe mbetet vetëm uji i ndotur, bëhet problem gjendja higjenike. Ne kemi kryer disifektim aktualisht përgjate shëtitores, por është një mase e pamjaftueshme. Vatër ndotjesh është edhe sheshi i mbeturinave. Kemi lobuar për një landfild rajonal, por tani tani nuk është ndërtuar asgjë”, u shpreh Mirela Buhuri, një inspektore e mjedisit.

Atë që e vuajne më së shumti këtë masakër mjedisore janë banorët e zonës pranë vendit ku hidhen mbeturinat. Grumbullimi i mbeturinave që shpesh digjen në qiell të hapur është fare pranë banesave të tyre.

Problemi i mbetjeve është një problem që mbartet nga viti në vit, ndërsa projektet nuk rreshtin për të gjetur një zgjidhje, asnjë dritë jeshile nuk duket Qytetin e “UNESCO”-s, që pret e përcjell vizitorë vendas e të huaj e prezanton në hyrjen e tij një pamje tepër të trishtë, plehrat.

Top Channel