DENION NDRENIKA – Shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Informativ të
Shtetit, Bahri Shaqiri, dhe emërimin e Visho Likës e shoh në dy
drejtime. Njeri është gjykimi, vlerësimi, interpretimi politik dhe
tjetri profesional apo rezultatin për punën e institucionit.
Për drejtimin e parë, thuajse nuk do të merrem aspak, sepse dashur pa dashur, cilido qoftë, do të nisë interpretimin se ndikimi politik është i pashmangshëm. Kjo është normale, ndonëse mund të mos më pëlqejë. Por, nuk është e drejtë që ky interpretim të vendosë kufi se ndryshimi në krye të SHISH-it është patjetër gabim.
Me drejtimin e dytë do të ndalem pak më gjatë. Më shumë pëlqej në këndvështrimin rezultativ. Dy janë rastet e së keqes që simbolizojnë krimin dhe vdekjen: Policia e Brendshme e Shtetit apo sekrete e Gjermanisë Naziste, (Geheim Staat Polizei “Gestapo”) dhe KGB-ja e ish-Bashkimit fatmirësisht të shpërbërë Sovjetik. Shembulli tjetër është funksionimi i Agjencisë Qendrore të Zbulimit CIA dhe Mosadit të Izraelit.
Besoj që qartësova se nuk kam lidhje aspak me pëlqyeshmërinë e dy të parëve, Gestapo apo KGB. Natyrisht, që më shumë me të dytët, CIA dhe Mosad. Të gjithë kanë një të përbashkët: Informacionin e plotë, të bollshëm, të qartë, të saktë, të pakundërshtueshëm, veprues dhe në shërbim të interesave kombëtare dhe shtetërore. Ndarja ka një vijë: Gestapo dhe KGB për të dhunuar dhe shkatërruar individin dhe për t’i shërbyer krimit partiak kundër vendit, pavarësisht se këtë e lexonin si të mirë të tij. CIA dhe Mosad për të mbrojtur kombin, shtetin, të drejtat.
Ne, vendi ynë, vjen nga një e shkuar jashtëzakonisht e hidhur e përdorimit të sistemit të informimit për së keqi, tmerrësisht shkatërrues për individin, familjen dhe shoqërinë. Ngjashëm me Gestapon dhe KGB-në. Ishte Sigurimi i Shtetit, themeli i së gjithës. Mirëpo, Sigurimi i Shtetit, pavarësisht keqdashjes, urrejtjes, merrte vesh gjithçka që ndodhte. Sigurimi i Shtetit nuk përtonte aspak që të përdorte çdo gjë në shërbim të partisë. Në këndvështrimin e të drejtave të njeriut, kjo është vdekja vetë! Sepse, askush nuk mund të të kontrollojë jetën, punën, familjen dhe aq më shumë të ta shkatërrojë atë. Andaj, Sigurimi i Shtetit si mendësi duhej jo shpërbërë, por zhdukur. Në këndvështrimin profesional të Sigurimit të Shtetit, nëse i heqim urrejtjen, funksionimi kishte vlerë, sepse asgjë nuk i shpëtonte.
Në këto pak rreshta qëndrimi është i qartë: Një strukturë e mirinformuar vlen kurdoherë më shumë se sa interpretimet e përdorimit të një drejtuesi apo të vetë strukturës.
Shërbimi ynë Informativ kaloi me problematikë të madhe pas shpërbërjes së Sigurimit të Shtetit. Në arkiva gjeje dhe ndoshta gjen gjithçka që është keqpërdorur. Mirëpo, në arkiva vëren gjithashtu se informacioni mblidhej ngado dhe për këdo. A e ka bërë Shërbimi Informativ i Shtetit në gjithë këto vjet këtë punë?
Rastet e 14 Shtatorit 1998, Gërdecit të 15 Marsit 2008, 21 Janarit 2012 duken pika kulmore e cenimit dhe mosfunksionimit të politikave të rendit dhe sigurisë dhe nuk dëshmojnë për ndonjë punë të fortlëvdueshme. Krimet e përditshme që ndodhin në vend dëshmojnë pazgjidhshmërisht mosfunksionimin e strukturave të rendit dhe sigurisë. Një operativ i Sigurimit të Shtetit dinte çfarë ndodhte në zonën e tij. Një Inspektor i Shërbimit të sotëm Informativ, dyshoj se e di këtë, ose së paku nuk e transmeton për ndonjë arsye, ose nuk e vlerëson për aftësi apo paaftësi profesionale. Normal, nuk po them që të përdoren mënyrat e Sigurimit të Shtetit. Po them që informacioni besoj se mungon. SHISH-i i sotëm nuk e ka atë orientim ligjor funksionimi dhe ndjekja e individit apo ngarkimi me detyra jashtë praktikës ligjore, është i ndëshkueshëm. Unë arsyetoj se diçka duhet ndryshuar në ligj.
Nëse një inspektor shërbimi që ngarkohet apo duhet të ngarkohet me shtyllën e krimit të organizuar apo jo, trafiqeve të lëndëve narkotike apo keqbërësve, apo dhe me shtyllën e terrorizmit, mund të jetë një ndihmë shumë e madhe për politikën, inspektorët e krimeve dhe deri në grupin hetimor të prokurorisë dhe trupën e gjykatës. Shpesh ka dosje me informacion të mangët nga ndonjëra prej hallkave, për të mos thënë mosdhënie me apo pa qëllim. Nuk po them që shërbimi sekret të rikthehet në ruajtjen e njerëzve, por ndoshta një ristrukturim në këtë drejtim do të kishte vlerë. Nëse një informator di gjithçka, ai mund t’ia përcjellë policisë e ajo të parandalojë vrasjet e grave me thika për një varëse, krimet e rrugës dhe patjetër që po trafiqet, krimet e tjera dhe terrorizmin. Askush nuk di, nuk sheh, nuk dëgjon më shumë se sa një informator i thjeshtë. Kjo duhet rivënë në lëvizje. Për interesa kombëtare dhe shtetërore. Një inspektor policie e ka të vështirë që të mbulojë detyra në hapësira të gjera, me një popullatë të përzier, të ardhur nga kultura përgjithësisht të ndryshme, së paku krahinore.
Andaj, ristrukturimi i Shërbimit Informativ dhe çdo organizmi të rendit dhe sigurisë ka shumë rëndësi. Të kuptohemi, përsëris që nuk po them të dilet jashtë hapësirës ligjore. Nuk po them dhe në fakt as që më intereson se çfarë do të mbrojë një drejtor apo një Shërbim Informativ, kryeministrin, opozitën që drejtësisht dyshon në çdo hap qeveritar (dhe kjo është detyra që ka) apo çfarëdo tjetër.
Nëse një shërbim sekret do të funksiononte më së miri, nuk do të dëgjonim në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për shembull, që një gjyqtari, një i afërm që jeton në kontinentin amerikan i ka falur qindra mijëra dollarë. Shërbimi sekret do të duhet ta dinte këtë, të informonte Presidentin e Republikës. Presidenti të fliste me kandidatin për anëtar të një trupe të lartë gjyqësore, të mos e propozonte për këtë funksion, pa vërtetuar çdo informacion, të thërriste prokurorinë, çdo strukturë përgjegjëse, të kërkonte nga shteti ku jetonte i afërmi, vërtetësinë e pasurive, të dhuratave, a ishin të lejueshme se ndoshta quhen nxjerrje e parasë jashtë shtetit, të faturave tatimore apo taksave e mandej, ta propozonte. Shërbimi Informativ duhet të dinte gjithçka dhe nëse ka ditur, të raportonte për rastet kulmorë që përmenda më lart. Nëse ka ditur dhe nuk ka informuar apo heshtur, pas ngjarjeve, përgjegjësia duhet të shpallej, kush e kishte dhe si e bëri, mirë apo keq.
Dikush mund të thotë që kjo mund të sjellë edhe ndërhyrje në jetën private. Mundet, por vetëm nëse përdoret për sulme personale, publike, për shantazh apo për të përfituar nëse individi shkonte në një detyrë të lartë. Nëse individi tërhiqej dhe vërtetonte çdo të ardhur monetare, atëherë, cilido të ishte ai individ, profesioni, apo detyra që kryente, nuk do të merrej si ndërhyrje në jetën private, por si një informacion i plotë që parandaloi angazhimin në strukturat e shtetit të një personi që mund të ketë të ardhura të pavërtetuara, si kanë lindur apo shumëfishuar. Në rastin më të mirë, verifikimi i plotë i veprimtarisë jetësore të cilitdo shtetas, do ta bënte atë të rrinte kokëlartë për të ushtruar çdo funksion ose për të jetuar lirisht, apo siç thonë në Kosovë “të flej dath”, që do të thotë “të flejë zbathur”, pa pasur frikë se dikush mund t’i trokasë në derë.
Ky shembull nuk ka lidhje fare me ndonjë dëshirë për të sulmuar ndokënd. Madje, as për të paragjykuar pasuritë e askujt. Ka lidhje vetëm me nevojën që Shërbimi Informativ të mos përdoret politikisht, me partishmëri, tarafe, për zgjedhje apo zgjidhje jashtë, larg apo në dëm të vendit dhe shoqërisë. Kjo ka lidhje me domosdoshmërinë që Shërbimi Informativ duhet të dijë gjithçka, të mbledhë ngado informacion, të raportojë për material të bollshëm në strukturat përkatëse dhe pastaj të thotë që punën e bëri.
Drejtimi politik, përsëris, në fund që nuk më intereson aspak. Dyshimet e partnerëve ndërkombëtarë padyshim që më bëjnë të vëmendshëm për lëvizjet në SHISH apo struktura tërësore të rendit dhe sigurisë. Thjesht unë besoj se çdo shërbim partner ka interes që shërbimi ynë të dijë gjithçka. Jo të thotë që nuk kisha informacion apo që për ne një informacion nuk përbënte rrezik. Se, kur të nesërmen del ndryshe, çfarë duhet të bëjë drejtuesi apo vetë shërbimi?
Mosadi izraelit ka kryer një ndër operacionet më të mëdha në vitet ‘70-të, kur zbuloi dhe rrëmbeu në Argjentinë një kriminel nazist të luftës me udhëtimin e parë përurues të linjës ajrore Tel Aviv-Buenos Aires. Krimineli u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Argjentinës u cenuan, por e drejta u vendos në vend. Mosadi mund të ketë shkelur çdo ligj, mund të ketë dhunuar të drejtën e njeriut. Por, me pak paralelizëm dhe jo vullnet, do të isha i lumtur nëse informatorët tanë sekretë kryenin një shërbim të madh në interes të popullit dhe të vendit, qoftë edhe si Mosadi.
Top Channel