Opozitarë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni!

18/08/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Tashmë nuk jemi më vetëm në kritikat për Berishën si
një lider autokrat që kërkon të ndërtojë një demokraturë që i largohet
idealit për liri e demokraci në Shqipëri duke u përafruar, në thelb, me
totalitarizmin e djeshëm komunist.

Dhe që komunisti i cili nuk arriti të bëhet realisht antikomunist është bërë sot kërcënim për idealet e shpallura në nisje të tranzicionit, e deklarojnë edhe jo pak prej ish-bashkëpunëtorëve të Sali Berishës. Një nga më kryesorët është ish-presidenti Bamir Topi. “Ka një tendencë të qartë, e cila po implementohet çdo ditë. Ka shenja, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, të cilën Shqipëria e ka flakur tej qysh në vitin 1992. Ka tendenca për të kapur të gjitha pushtetet…” – deklaroi Topi menjëherë pas shkarkimit, me urdhër të Berishës, të kreut të SHISH-it. Dikur figura e dytë pas Berishës, sot Bamir Topi e akuzon liderin historik të PD-së për totalitarist. Zhvillimi është shumë dramatik dhe mjaft komprometues për kampin e “demokratëve” që tashmë shihet qartë se vetëm mbiemrin e kanë të tillë. Rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zhgënjimit nga Berisha është dhe krijimi i Frymës së Re Demokratike, kryesimin e së cilës pritet ta marrë vetë Topi. Por reagimi në rritje kundër Berishës në krahun e djathtë të spektrit politik nuk mbaron me kaq. Edhe Aleanca Kuqezi (AK) nuk ka qenë më pak e ashpër në kritikat ndaj Kryeministrit dhe kreut të PD-së. “Regjimi i Sali Berishës është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare, sepse ai tashmë ka marrë nën kontroll të gjithë institucionet, të cilat ka ditur t’i transformojë në institucione të dhunës, shantazhit dhe zhdukjes së qytetarëve”, citohet në media të jetë shprehur kreu i AK, Kreshnik Spahiu. Madje ka shtuar edhe se Berisha po përgatitet ta mbajë “me dhunë dhe shantazh pushtetin”. Fraza të ashpra që përpiqen t’u thonë shqiptarëve se natyra e vërtetë e pushtetit të sotëm nuk është ajo demokratike, por autokratike madje, diktatoriale. Se ç’është diktatura veçse një mbajtje e pushtetit me dhunë?

***

Pra nuk është vetëm opozita e majtë, ajo që Berisha kohë pas kohe e akuzon si neokomuniste, që e denoncon publikisht Berishën si një politikan me tendenca të qarta autokratike për përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij. Tashmë është edhe një krah i djathtë opozitar në formësim e sipër që denoncon fort rrezikun e rivendosjes së sundimit dhe zhdukjes së lirisë në Shqipëri. Sepse liria mbetet një fjalë e zbrazët nëse njerëzve nuk u jepet mundësia të kufizojnë pushtetin e kujtdo që ata kanë ngarkuar t’i qeverisë. Në këtë rast, qeveritari, shërbyesi i publikut, e kthen këtë të fundit në shërbyes të vetin. Kritikat që po ngrihen edhe nga një e djathtë e re (dhe shpresojmë që kjo të jetë e vërtetë e djathtë) janë plotësisht të faktuara. Ndërkaq, ato duan të thonë se një bashkëqeverisje me autokratin pas zgjedhjeve për, gjoja, mos e lënë Shqipërinë pa qeveri (sikundër ndodhi me LSI-në), do të ishte një tjetër poshtërsi e hapur politike në kurriz të lirisë e demokracisë në Shqipëri.

***

Por, ndërkaq, vërehet një inkoherencë në qëndrimin e këtyre partive. Ndërsa denoncojnë autokratizmin, ato kanë shfaqur ngurrim deri më sot për të bashkëpunuar me krahun e majtë të opozitës, me PS-në dhe aleatët e tjerë të saj, që janë prej vitesh në përplasje të fortë me këtë autokratizëm. Në librin e tij të njohur “Vala e tretë”, Samuel Hantington paralajmëron se një nga kushtet fillestare për të mposhtur një pushtet autokratik, është bashkimi i opozitës. Dhe është plotësisht evidente që nëse ky bashkim nuk ndodh, fitorja mbi autokratizmin do të jetë e vështirë në mos e pamundur. Pushtet autokratik do të thotë aftësi e pushtetit për të mobilizuar pa asnjë pengesë, me ose pa ligj, resurset e shtetit në synim të jetëgjatësimit të një pushteti. Ky avantazh i pushtetit mund të eliminohet vetëm me kanalizimin e të gjitha energjive dhe përpjekjes opozitare dhe qytetare, në përmbysjen e pushtetit antidemokratik me mjete demokratike. A ka mes së majtës dhe së djathtës së re dallime politike? Sigurisht, ndryshe edhe krijimi apo ekzistenca e këtyre krahëve do të ishte e panevojshme. Por a duhet të kenë një e majtë dhe një e djathtë normale disa pika, disa vlera ku përbashkohen? Sigurisht, ndryshe nuk do të kishim bashkëjetesë pluraliste, bashkëjetesë në diversitet, por vetëm konfliktualitet pa fund. Do të kishim pikërisht këtë konfliktualitet kronik, nga i cili Shqipëria lëngon prej 20 vjetësh. Konfliktualitet kronik që i ka rrënjët në faktin që PD-ja dhe PS-ja nuk ndajnë bashkë vlerat themelore të demokracisë që janë ndarja e pushteteve, liria e votës apo edhe e fjalës. I vetmi moment që Berisha e propagandon edhe sot e kësaj dite, si kompromis historik PD-PS, është ai i ndryshimeve të Kushtetutës në 2008-n që ka cenuar rëndë pikërisht atë ndarje pushtetesh që e bën të pamundur sundimin autokratik dhe krijon hapësirë për lirinë. Por mos vallë PS-ja është edhe ajo një forcë autokratike, me të cilën e djathta e vërtetë demokratike nuk mund të bëjë aleanca? Zhvillimet nuk e pohojnë një gjë të tillë. Edhe gjatë 8 viteve në pushtet, e majta, pavarësisht korrupsionit shqetësues, nuk shfaqi shenja të një autokratizmi agresiv si ky që manifeston sot Berisha. Ndërkaq, nuk mund të mos reflektohet edhe mbi faktin që tashmë jo vetëm Edi Rama, por edhe një sërë figurash të larta në PS, e kanë pranuar si një gabim të rëndë dhe me pasoja për sistemin, amendimin e Kushtetutës në bashkëpunim me Berishën. E kanë pranuar si një gabim, por nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim politik si, për shembull, eliminimin e rrjedhojave të tij me anë të korrigjimit të Kushtetutës. Por, ndërkaq, figura brenda PS-së, si Erion Braçe, kanë kërkuar që një gjë e tillë të ndodhë. Dhe një e djathtë vërtet demokratike, mund ta vinte si kusht të bashkëpunimit të saj pikërisht korrigjimin e Kushtetutës për të restauruar ndarjen e pushteteve, pa të cilën demokracia dhe liria janë fjalë boshe dhe maska të një sundimi autokratik. Por, ndërkaq, refuzimi i një pjese të opozitës për t’u bashkuar me një pjesë tjetër të saj, me qëllim përmbytjen me votë të mekanizmit manipulativ të pushtetit autokratik të Berishës, do të ishte shfaqje e një steriliteti politik që nuk e çon askund as të majtën dhe as të djathtën opozitare. Se ç’rëndësi do të kenë idealet e tyre demokratiko-liberale nëse në pushtet vazhdon të mbetet varrmihësi i këtyre idealeve? Mposhtja e autokratizmit berishist në zgjedhjet e 2013-s është sot po aq imediat për t’i hapur rrugë idealit demokratik, sa ç’ishte përmbysja e regjimit komunist në vitin 1990, për t’i hapur rrugë pluripartitizmit. Mjaft më me gënjeshtrën e “demokracisë” pa demokraci, të “integrimit” pa integrim dhe “lirisë” pa liri. Sot nuk është në lojë një pushtet, një qeveri. Sot është në lojë sistemi politik. Do të jetë Shqipëria një vend me apo pa demokraci dhe liri? Prandaj për të gjithë ata që duan me të vërtetë një Shqipëri me “Liri-Demokraci” ka vetëm një moto: Opozitarë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA