Siri, qyteti Azaz në qendër të sulmeve

16/08/2012 00:23

Avionët ushtarakë siriane vunë në shënjestër qytetin Azaz, 48 km në veri të Alepit dhe disa milje në jug të kufirit turk. Të paktën 30 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sipas raportimeve të pakonfirmuar mes viktimave janë edhe katër libanezë shi’itë që ishin marrë peng nga kryengritësit. Një grup libanez, të mërkurën deklaroi rrëmbimin e 20 sirianëve në Liban si kundërpërgjigje për pengmarrjen e një libanezi nga kryengritësit, të hënën në Damask. Sipas rebelëve ai ishte Hasan Al Mekdad, anëtar i “Hezbollah”, pretendim që rrëzohet nga grupi militant libanez. Ndërkohë Arabia Saudite urdhëroi shtetasit të largohen nga Libani nga rreziku i rrëmbimeve.

Raporti i OKB-së për Hulan          

Hetuesit e OKB-së dolën në përfundimin se masakra më e rëndë, ajo e Hula-s, ku u vranë 108 persona është kryer nga ushtria dhe milicia siriane.

Ngjarja u konsiderua si sulmi më i rëndë kundër civilëve prej nisjes së kryengritjes kundër rregjimit të Bashar Al Asadit, marsin e vitit të kaluar.

Në raportin prej 102 faqesh, të  kërkuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB shkruhej për vrasje, tortura, përdhunime, shkelje të rënda nga ana e ushtrisë siriane prej muajit shkurt të këtij viti deri në korrik.  

Gjatë kësaj periudhe, janë përdorur edhe taktika të tjera edhe më brutale.

Megjithëse qeveria në Damask nuk lejoi ekipin e hetuesve të OKB-së, ata mundën të flasin dhe të mblidhnin dëshmitë e mbi 700 personave; civilë, ish-ushtarë dhe refugjatë.

Në raportin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB thuhet se krime janë kryer edhe nga grupet e opozitës, por jo me të njëjtat përmasa, si ato të ushtrisë siriane.

Raporti i OKB-së vjen disa orë pas një shpërthimi në qëndër të Damaskut, pranë hotelit ku qëndronin vëzhguesit e OKB-së. Të paktën tre persona u plagosën kur një bombë e vendosur në një kamion cisternë, shpërtheu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA