Fermerët grekë vijojnë protestat, bllokime rrugësh dhe kufijsh gjatë gjithë festave
Policia japoneze po transporton një grup aktivistësh që qëndruan në
ishujt e diskutuar të Okinauas, për t’i marrë në pyetje lidhur me atë që
mund të konsiderohet një incident diplomatik me Kinën.
Grupi lundroi nga Hong Kongu për në ishujt e njohur si Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë. Disa prej tyre u hodhën nga varka dhe notuan drejt një ishulli.
Autoritetet po shqyrtojnë dëbimin e grupit të aktivistëve, bëjnë të ditur mediat kineze dhe japoneze. Nga ana e tij Pekini zyrtar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të arrestuarve.
Ata janë 14 persona, disa prej të cilëve dyshohet se janë gazetarë, ndërsa të tjërë anëtarë të ekuipazhit të anijeve.
Pesë aktivistë që zbarkuan në një ishull me flamuj në duar kanë mbërritur tashmë në Naha të Okinauas dhe shtatë të tjerë pritet të transferohen më vonë gjatë ditës, bëjnë të ditur mediat japoneze.
Gupi mund të dëbohet nëse vendoset se ai nuk bëri asgjë ilegale, thotë një raportim i agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon transmetuesin televiziv japonez NHK.
“Ata mund të dërgohen në Byronë Japoneze të Emigracionit dhe më vonë të kthehen në Hong Kong”, ka deklaruar një zëdhënës i Rojes Bregdetare Japoneze, i cituar nga mediat kineze vonë të mërkurën.
Top Channel