Alarm për bombë në fluturimin NY-Moskë

16/08/2012 00:00

Një avion rus që fluturonte nga Nju Jorku në Moskë ka bërë një ulje emergjente në Islandë për shkak të një kërcënimi për bombë.

Agjencia e lajmeve “Interfax” citoi një kontrollor të trafikut ajror në Moskë që thoshte se një telefonatë anonime ishte bërë për të paralajmëruar praninë e nje bombe në bord.

Kërcënimi faktikisht u bë tek institucionet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, zëdhënësja e linjës “Aeroflot”, Irina Dannenberg deklaroi se ishte piloti që vendosi të ulte avionin për arsye sigurie.

Aktualisht mjeti fluturues po kontrollohet. Telefonuesi anonim paralajmëroi se në bord ndodheshin pesë valixhe që përmbanin eksploziv dhe që do të shpërthenin sapo avioni të mbërrinte në Moskë.

Ndërkohë, një avion tjetër në rajonin jugor të Rusisë, Voronezh, është inspektuar nga forcat e policisë pas një kërcënimi anonim, por në të nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB