Vapa afrikane, turisti italian dhe çezmat publike tirana(s)e

15/08/2012 00:00

DORIAN DERVISHI – SMS-të e panumërta e të ndryshme që s’u ndahen
talk-show-ve, sidomos kur në të është i ftuar një personalitet politik
institucional, më shtynë t’jua nis dhe unë një syresh, z. Basha:

Në një nga këto valët e vapës me origjinë afrikane, ngjashmërinë e secilës meteorologët e gjejnë disa vite më tej (gjë që s’na e lehtëson aspak vapën), m’u desh t’i bëja guidë turistike një mikut tim italian. Ai kishte klikuar, dëgjuar, shfletuar për metropolin tonë Tiranën, dhe tani, ishte kurioz maniakal. Zelli i tij turistik ma prishi gjumin e djersitur të natës dhe i shpërfilli parashikimet e motit të emisioneve mëngjesore. Me këmbënguljen e pashkulshme më detyroi të dalim në këmbë.

Në rrugë, sensacion i parë, vapë!; i dyti, trafik njerëzor e automobilistik: njerëz të qullur në djersë, që nxitimthi driblonin shitësit ambulantë duke bërë ndonjë faull moskokëçarës me shpatull; makina hungëritëse, pjesa më e madhe të klimatizuara, që shklimatizonin ambientin ose më saktë habitatin.

Duke parë e ndier që vapa ishte më sfilitëse se guri i Sizifit, propozova të pinim një kafe.

U ulëm te bar-disku, mbi Sky Tower-in, i cili të lejon një planpamje interesante të Tiranës. Nga aty lart, që iu duk e veçantë mikut tim, nisa t’i bëja guidën e parë urbanistiko-socialo-kulturore-institucionale.

Si fillim i tregova vilën e diktatorit që në kohën e shtëpive elbasanase e apartamenteve kotec, dukej si pallat ëndrrash; i shpjegova zonën “Bllok”, të kthyer në një bllok lokalesh, me akses nga kushdo, kurdo dhe sidoqoftë.

I fola për “revolucionin urbanistik”, i kryer me shumë sukses nga njerëzit e lirë të lëvizjes së lirë që lirshëm ndërtuan, fillimisht kioska, më pas përbindësha shumëkatësh që u pagëzuan me emrin pallate. Lulishtet duhet t’i kërkoje, pasi përbindëshat-pallat i gjëmonin e ushqeheshin me to.

Ngjyrosjen e pallateve të vjetra, të ndërtuara me punë vullnetare, u mundova ta zbukuroj me idenë e Borgesit për barakat e peshkatarëve argjentinas, që në Tiranë u shit si ide revolucionare, pjesë e një projekti “Kthim në identitet”, i cili kanalizoi interesat e vet, ashtu si Lanën.

Pallatet e reja u rritën shpejt. Ato qëndronin sup me sup, të paepura kundrejt çdo plani urban që parashikonte ndonjë rrugicë për mjetet e emergjencës.

Vapë!!! Po djersija, pavarësisht ajrit të kondicionuar. Ky rrëfim maratonomak tempestiv, më lodhi mua dhe çoroditi mikun tim. Për të arritur në finishin e tij, vrapova t’i tregoja transformimin në kohën rekord të sheshit “Skënderbej” nga ju dhe stafi i ri i freskët bashkiak, pa harruar rrethimin sfilitës dyvjeçar që historisë së Skënderbeut i shkon për shtat dhe sigurisht, planin e ri ambicioz urbanistik.

Për të përmbushur kureshtjen turistike zbritëm në rrugë, ku u ritakuam me vapën. Dielli punonte me intensitet të lartë, aq sa hijet shkëlqenin. Vizita e parë i takoi Muzeut Kombëtar (interesant, sipas opinionit ndërkombëtar) dhe ajo e fundit, çezmës grykëtharë pranë Parlamentit që, së bashku me shatërvanin e tharë (monument historik), krijonin një duet thatësie monumentale, nën hijen e një rrapi shumëvjeçar… Atëherë, vapa e bezdisshme u bë e padurueshme, aq sa refleksionet u përzien me mirazhet; m’u shfaqën fragmente të një kronike lajmesh të “Canale 5”: njerëz, shumica turistë, që hidratoheshin në çezmat e panumërta të Romës ose shuanin etjen me shishet e ujit, të shpërndara gratis nga operatorët e Mbrojtjes Civile, ose freskoheshin në shatërvanët me ujë (edhe ata monumente historike); pa folur, për “luftën” e animalistëve me karrocierët e pajtoneve, për shfrytëzimin çnjerëzor të kuajve në orët e pikut të vapës. Ç’humanistë këta animalistët! Sa afër dhe larg Italia, z. Basha!

Një shishe me ujë të ftohtë e blerë shtrenjtë në një kioskë e pyetja sa është ora e një plake me çadër shiu në dorë që me zor zvarriste këmbët, më shumë nga vapa sesa nga pleqëria, më përmendën.

– Dymbëdhjetë! – u përgjigja i vetëdijshëm.

– Pisku i vapës, mor bir! – shfryu ajo me zërin e mekur, sa mezi dëgjohej.

Po, pi(s)ku i vapës!, siç thotë populli, zëri i të cilit duhet të dëgjohet!!!

P.S. Më falni për “SMS”-në e gjatë me karakter letrar, por prioriteti Juaj i tretë, i pjesëmarrjes së komunitetit në menaxhimin e qytetit, më frymëzoi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA