Tiranë, mbeturinat pushtojnë varrezat

15/08/2012 20:10

Sipas traditës, në ditë të shënuara, siç ishte dhe Nata e Kadrit, besimtarët myslimanë vizitojnë varret e të afërmve të tyre, por një pamje trishtuese i ka prekur të gjithë. Çdokush mundohet të pastrojë ferrat apo barin nga varri i të afërmit të tij.

“Shumë turp sepse paguajnë njerëzit dhe s’bëjnë pastrimin. Ne pastruam varret e të tanëve dhe mbeturinat i hodhëm në rrugë”, thotë një grua. “Këtu nuk ka shtet. Ça normaliteti do ketë këtu kur nuk ka shtet”, shprehet një tjetër person që viziton varret e të afërmve të ndjerë.

Përveç mbeturinave, qytetarët ankohen se tashmë janë zënë dhe rrugët ekzistuese dhe vështirë të gjesh varrin e të afërmeve. “Është një katastrofë. Unë kam ardhur këtu, kam një orë që kërkoj dhe s’po gjej dot varrin e vëllait”, thotë një person tjetër.

Pikërisht në varreza, aty ku duhet të mbizotëronte pastërti dhe qetësi, përkundrazi gjen pisllëk e rrëmujë dhe zhurmë shkaktuar tregtarët e luleve dhe varrmihësit që kërkojnë punë.

Punëtorët e bashkisë që mirëmbajnë varrezat, duket se kanë kohë që nuk kalojnë këndej. Ndërsa vetë qytetarët që nuk ndjehen mirë nga ky imazh, kanë kontribuar më së miri për ndotjen e tij, duke hedhur edhe këtu, ashtu si në çdo mjedis tjetër, mbeturinat.

Top Channel