Qyteti Studenti, këtë vit me konvikt për të dashuruarit

15/08/2012 00:00

Këtë vit në Qytetin Studenti do të inaugurohet një godinë speciale.
Kapaciteti do të jetë për 100 persona, por në fakt, atje do të banojnë
50 shpirtra binjakë.

Në këtë godinë me të gjitha parametrat, përfshirë edhe dushet në dhomë do të strehohen çifte të reja të dashuruarish ose fejuarish.

Bujtina

Të gjithë ata studentë që do të përfitojnë nga kjo “ofertë”, duhet të paraqesin një kërkesë në drejtorinë e konvikteve në Qytetin Studenti e më pas të marri miratimin e bordit përzgjedhës. “Pas kërkesave të shumta që kemi pasur ndër vite nga çifte të fejuarish, apo të dashuruarish, morëm vendimin për çeljen e një bujtine të re, me të gjitha kushtet, me dushe brenda, ku do të mund të qëndrojnë bashkë çiftet e reja. Në këtë mënyrë kemi shembur edhe barrierat e mentaliteteve apo paragjykimeve. Çiftet duhet të bëjnë kërkesë. Për vite me radhë në drejtori kemi pasur kërkesa për të mundësuar qëndrimin në një dhomë bashkë, të vajzave dhe djemve, ndërkohë që këtë vit, në këtë bujtinë të gjithë këto çifte do të jetojnë bashkë, pas nisjes së vitit akademik”, deklaroi drejtori i konviktit të Qytetit Studenti, Bujar Brovina. Sipas tij, të gjithë të interesuarit duhet të bëjnë kërkesë pranë drejtorisë për të vendosur më pas çiftet që do të strehohen në bujtinën e re. Qyteti Studenti për këtë vit do të pranojë rreth 1800 konviktorë të rinj, të cilët do të regjistrohen në vitin e parë në universitet. Nga statistikat dhe planifikimet e drejtorisë së konviktit, këtë vit akademik do të jenë rreth 7 mijë studentë, por numri mund të jetë edhe më i madh.

Qyteti Studenti

Aplikimet për t’u regjistruar si banor në Qytetin Studenti do të çelen fill pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin e ri akademik. Dy javë përpara do të hapen procedurat e regjistrimeve, dokumentet dhe pagesat që do t’u duhet studentëve për të siguruar qëndrimin e tyre për një vit. Për këtë sezon nuk do të ketë rritje të çmimit të tarifës së strehimit.

“Megjithëse kemi rritje të shpenzimeve, mirëmbajtje, investime, rritja e energjisë elektrike, kemi vendosur të mos propozojmë rritje të çmimit të tarifës. Ajo do të vijojë të jetë 40 mijë lekë”, sqaroi kreu i drejtorisë së konvikteve të Qytetit Studenti. Sipas tij, kushtet në godina janë të mira, janë marrë masat për rregullimet dhe restaurimet e nevojshme, pritet vetëm vendimi i çeljes së vitit akademik për shpalljen e datave zyrtare të regjistrimeve, që kryesisht nisin pas javës së dytë të shtatorit. Edhe në vitin akademik 2012-2013 do akomodohen tre veta në një dhomë. Dy vitet e fundit janë bërë investime të rëndësishme, duke nisur me ristrukturimin e 26 bujtinave, ndriçimin publik, funksionalitetin e mbi 6 mijë m2 hapësirë të gjelbër, mbjelljen e pemëve, ambiente dekorative, shtrimin e rrugicave, asfaltimin e akseve kryesore dhe të rrugicave. Është realizuar ndryshimi i itinerarit të mjeteve motorike që shkaktonin kaos dhe investime në përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel