Andrea Stefani – Edhe këtë verë, Kryeministri nuk mungoi të thyejë rekordin e vetvetes me
not. Thonë se nuk di të notojë, thonë se i thyen “rekordet” me këmbë në
tokë. Në fakt nga mënyra si i lëviz krahët dhe si e mban kokën
rosakërisht mbi ujë, nuk është vështirë të kuptosh se pak lidhje ka
pasur dhe ka me notin.
Atëherë përse i ka shkrepur të shitet si një Majkëll Felps shqiptar? Aq më tepër kur akte të tilla të propaganduara me të madhe si “rekorde” kanë qenë tipike edhe për diktatorë si Musolini apo Mao Ce Duni. Mos vallë Kryeministri Berisha rreket të duket i ngjashëm me diktatorët? Ka pak të ngjarë. Por problemi është se nevojat politike dhe propagandistike e detyrojnë këtë autokrat që të ecë në gjurmët e diktatorëve duke u bërë pashmangshëm fort i ngjashëm me ta.
***
Rekordet e “notit” të Sali Berishës janë një formë e shndërruar e kultit të tij prej lideri të përjetshëm që e ka bërë njet të largohet nga pushteti vetëm kur të jetë i pamundur fizikisht. E ka pohuar publikisht edhe vetë se do të largohet vetëm kur ta thërrasë i Plotfuqishmi. Jo ai i lagjes, po ai i Qiellit. Pa mbushur 3 dekada nga vdekja e diktatorit komunist Enver Hoxha, një segment në pushtet i politikës shqiptare i është kthyer modelit të liderit të përjetshëm që largohet nga pushteti vetëm për shkak të vdekjes natyrore. Kur hyri “demokracia”, jo pak shqiptarë kanë menduar se ky model i shëmtuar nuk do të përsëritej dhe se qëndrimi i një lideri në majë të politikës apo të shtetit do të kishte, në radhë të parë, kufij politikë. Që do të thotë se lideri edhe top fare fizikisht, do të largohej nga pushteti pas 5–10 vjetësh me anë të rotacionit demokratik të diktuar nga zgjedhje të lira e të ndershme. Besohej se kryeministrat apo presidentët e epokës së “demokracisë” do të largoheshin nga timoni i shtetit edhe sikur të ishin jashtëzakonisht të aftë në qeverisje. Se edhe sikur qëndrimi i tyre për më gjatë në pushtet të mbështetej nga shumica e shqiptarëve, ata vetë do të refuzonin, duke pasur parasysh se Shqipëria ka nevojë të fshijë nga bagazhi i saj politik, traditën e liderëve dhe diktatorëve të përjetshëm e aq më tepër të Enver Hoxhës që e sundoi Shqipërinë për 40 vjet rresht. Shpresohej se do të vepronin me vetësakrifikim të ambicies personale në favor të një sistemi politik tipike për të cilin nuk është ngulja jetëgjatë në majë të pushtetit apo politikës, por rotacioni i shpeshtë i liderëve. Shpresohej se liderët e parë të tranzicionit, Sali Berisha dhe Fatos Nano, do të vepronin si Uashingtoni, Garibaldi apo Cincinati. Por këto shpresa dolën utopike dhe naive përballë cinizmit anektodik të babaxhanit Namik Vehbi Fadile Hotit, që një herë deklaroi për Berishën se kur i hip kalit të pushtetit nuk i zbret më. Berisha ra nga kali në vitin ’97 ose më saktë u qorrollis bashkë me kalin në greminë. Por u ringjit prapë 8 vjet më vonë, për shkak se qeverisjet socialiste, ndonëse jo aq anadollake sa ato të Berishës, nuk u bashkuan me drejtësinë kundër korrupsionit pra, edhe korrupsionit berishist. Dhe tani, pas rreth 8 vjetësh në pushtet, Berisha është i vendosur të qëndrojë edhe më. Megjithëse është më i dobët se kurrë më parë edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe fizikisht. Arma e tij e vetme për të kapërcyer këto vështirësi dhe për t’u jetëgjatësuar në pushtet janë manipulimi dhe falsifikimi. Dobësinë politike shpreson ta kompensojë me “ponërinë” e tij që po përsos mekanizmin e vjedhjes dhe manipulimit të votës në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe, si në traditën e tij më të hershme edhe me SHISH dikur SHIK. Dobësinë ekonomike kërkon ta kompensojë me propagandë plot shifra të manipuluara për “mrekullinë” shqiptare që shmangu krizën, si dhe me mbushjen e buxhetit të zbrazët duke privatizuar shkel e shko dhe shpejtësi asetet e mbetura publike. Shpresë për Berishën në këtë rrafsh është edhe aftësia e jo pak shqiptarëve për t’u rezistuar pa bërë zë privacioneve të krizës, për shkak të kërkesave të pakta që kanë për jetesën. Mbytja e pakënaqësisë që natyrshëm sjell varfëria pakëson votat kundër qeverisë. Pjesën tjetër të punës e kryen vjedhja e votave. Tashmë, edhe pse në “demokraci”, pushteti i Berishës nuk kërcënohet realisht nga rotacioni politik. Më problem janë limitet fizike të pushtetarit. Ndaj dobësinë fizike, që rritet pashmangshëm te çdo njeri bashkë me pleqërinë, Berisha shpreson ta kamuflojë duke bërë sikur “noton” për t’u treguar të gjithëve, mbështetësve, por edhe kundërshtarëve, se nuk ka pleqëri për Sali Berishën. Por e keqja më e madhe është se ky epsh i panginjur për pushtet i liderëve si Berisha e kanë ndarë Shqipërinë në dy kampe. Tamam si nën komunizëm. Në njërin i urojnë Berishës, si dikur Enver Hoxhës, jetë të gjatë dhe të rrojë sa malet! Në tjetrin vëzhgojnë si me mikroskop se mos i ka dalë ndonjë puçërr ndjellakeqe dhe ngrenë veshët pas çdo alivanie publike të Kryeministrit. Gjëra cinike që do të ishin të pakuptimta nëse fati apo fatkeqësia e njerëzve do të formësohej jo nga kulti dhe pushteti pa fund i një lideri, si rëndom në Lindje, por nga rotacioni i pandërprerë politik sikundër rëndom ndodh në të gjithë Perëndimin.
Top Channel