AK, mbështetje për aftësinë e kufizuar

15/08/2012 00:00

Aleanca Kuqezi zhvilloi një tryeze diskutimi me drejtues të shoqatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuar.

AK e shpalli si prioritet mbështetjen e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare.Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu u shpreh se te gjithe jane te afte te kontribuojne ne riberjen e Shqiperise, përveç kryeministrit, të cilit sipas Spahiut i mungon largpamësia.

“Me aftësi të kufizuara është kryeministri ynë i cili e ka shikueshmërinë shumë të kufizuar për të ardhmen e Shqipërisë. Të verbër janë ata të cilët nuk shikojnë se si rrënohet çdo ditë Shqipëria. Dhe këta e shikojnë më qartë se çdokush. Shikueshmëria dëgjueshmëria është absolutisht më e qartë për vizionin e të ardhmes të një Shqipërie që bëhet. Për këto arsye ne duhet të ngremë standarte të reja së pari duke ngritur si një lëvizje e re për herë të parë në histori Departamentin e Politikave për qytetarët me aftësi të kufizuar”, tha Spahiu.

Sinan Tafaj, president i Shoqatës të së Verbërve ka përshëndetur këtë iniciativë të AK-së.

“Kjo tryezë për ne është shumë e rëndësishme sepse është një parti e re politike që në hapat e parë të saj ka vënë në fokus problematikën e personave me aftësi të kufizuar, duke e konsideruar atë si një çështje thelbësore të të drejtave të njeriut”, tha Tafaj.

Dhjetëra persona me aftesi te kufizuar në përfundim të tryezës iu bashkuan kësaj force politike.

Top Channel