Andrea Stefani – Ndodhem në Francë për ca ditë pushimi pranë të afërmve të familjes që kanë emigruar vite më parë.
Saktësisht në Orlean, një qytet që, për nga përmasat, mund të krahasohej me Tiranën, ngjasim që nuk shtyhet dot më larg. Prapa kam lënë Shqipërinë me qytete të zhytur në vapën, pluhurin e verës, por edhe të debatit politik për imunitetet. Po i hoqëm do të futemi në Europë, po nuk i hoqëm nuk futemi – më jehon ende në veshë propaganda e qeverisë. Vërtet, kaq e thjeshtë qenka?! Orleani, qyteti i Zhan d’Arkës, më ka rrethuar dhe më jep përgjigje me pamjen dhe gjithçka të tijën, duke më treguar se ç’është në të vërtetë Europa dhe sa larg jemi ne prej saj.
Dallimi është i dhimbshëm, trullosës. Duke ia nisur që nga ndërtesa (“pallati” si i quajmë ne) ku po qëndroj. Në hyrje të saj ka një portë me citofon dhe sa hyn, më të djathtë është zyra e administratorit të “pallatit”. Ai paguhet nga kuotat e banorëve dhe kujdeset që gjithçka të jetë siç duhet, që një xham i thyer të zëvendësohet apo që ndërtesa të pastrohet apo të lyhet kur i vjen koha. Dhe më faniten shumica e pallateve të Tiranës që vazhdojnë të jenë me hyrje pa porta, që nuk mund të mos të kujtojnë shpellat. Gjithkush mund të trokasë në derën e apartamentit pa asnjë pengesë. Gjë që dikur i pëlqente regjimit. Pallatet me mure, bojë të roitur deri edhe suva të kalbura, thuajse mbështjellë me një “lesh” kaotik fijesh të panumërta kabllosh tensioni a telefonike, ndërsa nga tarracat varen tubat e gomës së depozitave të ujit. Këtu nuk ka të tilla dhe në lulishtet pranë, shquan saraçineskat e kuqe të disa tubacioneve nëntokësore, të gatshme të furnizojnë me ujë të bollshëm zjarrfikësit në rast incidentesh. Në Tiranë jo vetëm që as mendohet për investime të tilla, por hyrjet gjëmojnë nga pompat ujëngritëse. Ka 20 vjet që politikanët premtojnë 24 orë ujë për Tiranën, por pa dobi. Vetëm depozitat e pompat “bëjnë hall”. Jo rrallë, çdo familje ka nga një pompë të vetën, edhe pse e mira e donte të kishte vetëm një pompë për të gjithë hyrjen. Një kaos që mund të shmangej fare lehtë nëse do të zbatohej ligji për bashkëqeverisjen e banesave me kontribute të përbashkëta të banorëve dhe me një administrator të paguar prej tyre. Si në Orlean dhe kudo në Europë. Por edhe kjo këmbëngul të mos ndodhë prej vitesh…
Disa qindra metra larg pallatit ndodhet një stacion treni dhe nga lartësia e apartamenti kam mundësi të shoh trenat që shkojnë e vijnë, pa shumë tërsëllimë. Mund t’ia hipësh njërit prej tyre dhe për 1 orë, duke udhëtuar mes një komoditeti të qetë e të shpejtë, je në Paris. Kur zbret të shfaqet ai rrjet i pafund shinash, vagonësh e lokomotivash që kapilarëzohen në drejtime të ndryshme, mbi dhe nën ura, për të mbuluar gjithë Francën. Një mekanizëm i sinkronizuar dhe madhështor. Dhe nuk mund të të vijë ndërmend Shqipëria, vendi ynë, që sot është praktikisht pa rrjet hekurudhor, duke mos marrë në konsideratë rrjetin e fosilizuar trashëguar nga komunizmi, ku trenat zvarriten si krimba të ndryshkur me dritaret e vagonëve me xhama të qorruar prej çunave të fshatrave buzë shinave, që s’dihet sepse, kanë dy dekada që vazhdojnë t’i gjuajnë pa u lodhur me gurë e “llastika”.
Po le të mbetemi në Orlean. Nja dy vjet më parë, bashkia e qytetit ndërmori një investim të madh për të zgjeruar rrjetin e tramvajit. Gërmoi jo vetëm qendrën, por edhe në disa anë të tjera të qytetit. Askush nuk u ngrit të protestonte se po pengohej trafiku, siç ndodhi për gërmimet e nisura nga bashkia për qendrën e Tiranës gjatë mandatit të Ramës. Me ardhjen e Lulzim Bashës, “demokratët”, që nuk mund ta toleronin që një investim mbresëlënës për kryeqytetin të mbante vulën e kundërshtarëve, i mbyllën shpejt e shpejt gërmimet ashtu si kirurgët mbyllin hapjen e një pacienti kanceroz. Brenda barkut të këtij pacienti, që është Tirana, mbetën miliona të investuara për një rrjet tubacionesh dhe kabllosh komunikimi. Ndërsa sipër, si për të mbuluar gjurmët e krimit, u shtruan ca rrugë të rëndomta që i kanë dhënë qendrës së kryeqytetit pamjen e një piste kartingu.
Si në jo pak qytete të tjera të Europës, edhe në Orlean është shumë pastër. Nuk është vetëm edukata e qytetarëve që nuk hedhin plehra kuturu, e aq më pak nga dritaret e pallateve siç ndodh rëndom në Tiranë. Nëse del pak herët në mëngjes, do të shohësh disa lloj autobotësh, të formateve të ndryshme, që nxitojnë të lajnë krejt qytetin, rrugët, sheshet dhe deri rrugicat e tij të kalldrëmta. Orleanasit paguajnë për pastrimin dhe në kthim, marrin nga bashkia pastërti. Nga çdo anë e qytetit ke kosha për hedhjen e mbeturinave, nuk ka grumbuj plehrash që qelben me ditë, nuk ka pluhur, nuk ka pisllëk si në Tiranë, pisllëk që nuk na vret më sytë, ndonëse na vret në mushkëri. Edhe trafiku është i qartë, i rregullt, habitërisht i qetë. Vizime dhe tabela të shumta japin drejtimin. Por edhe ngarësit e makinave kanë një sjellje krejt tjetër. Pa atë nervozizëm për të nxituar për në askund, duke i zënë rrugën tjetrit a duke sfiduar e tromaksur këmbësorët. Ky i fundit ka përparësi edhe kur qëllon të ndodhet në semafor të gabuar. Respektohet njeriu. Makina duhet të presë. Nuk është ajo përplasja në kryqëzime e jeshiles së këmbësorëve me jeshilen e makinave në kthesë, aq tipike dhe stresuese në Tiranë, ku makina triumfon cinikisht mbi këmbësorin. Nuk dëgjohet histeria e borive neurotike, nuk këmbehen të shara nga veturat. Aty këtu shohim edhe radarë që monitorojnë automatikisht respektimin e shpejtësisë. Policë thuajse askund. Në Shqipëri ka nja dy vjet që në rrugën Tiranë-Durrës janë vënë disa tabela radarësh, por vetë radarët s’dihet se kur do të instalohen.
Janë pa fund dallimet që shihen me sy mes Orleanit dhe Tiranës, dallime që nuk shlyhen dot kollaj, sepse kanë të bëjnë jo vetëm me qeveritë, por edhe me atë që bëjnë dhe nuk bëjnë vetë njerëzit. Janë dallime që nuk mund të mos e bëjnë Europën të na duket si mbretëria e shumë-shumë largut, pavarësisht nëse hiqen apo jo imunitetet e deputetëve. Por tani le të kalojmë te disa dallime më pak të dukshme. Gjithsesi, jo tek ato abstraktet, si p.sh. ndarja e pushteteve apo imunitetet, por për gjëra përsëri mjaft të afërta për njeriun. Në Francë ndihet kriza, si kudo në Europë. Papunësia është rritur, por i papuni merr rreth 500 euro në muaj, përveç bonuseve të tjera në pagesën e qirasë apo të dritave, për shëndetësinë apo për fëmijët. Në Shqipëri, edhe për një të punësuar, marrja e 500 eurove është një lavdi. Në Shqipëri mbetja pa punë është një tragjedi e vërtetë. Shumica e të papunëve nuk marrin asgjë nga qeveria që fsheh kokën pas shifrave të papunësisë, të manipuluara qëllimisht për të zvogëluar detyrimin e saj para të papunëve. Pensioni mesatar në Francë është 1500 euro, ndërsa në Shqipëri, Kryeministri shqiptar mburret me rritjen e pensioneve, që për shumë pensionistë që marrin 80 euro në muaj nuk është as 2 euro. E di, e di, do të nxitojnë të thonë se Franca, Orleani dhe Europa kanë shekuj që kanë punuar për këtë ditë. Do të thonë se Shqipëria nuk mund ta arrijë Francën për 20 vjet. Do të thonë pavarësisht dallimeve, gjithsesi, Shqipëria ka bërë shumë ndryshime që nga viti 1990. Një propagandë që nuk mund të mos sjellë ndërmend mburrjen e regjimit komunist për arritjet, krahasuar jo me Europën, por me vitin 1938. Nëse shqiptarët do të kishin ndryshuar pikë krahasimi, nëse do të kishin nisur të krahasoheshin me Europën dhe jo me të kaluarën e tyre të prapambetur, do të kishin ecur më shpejt përpara, do të ishin sot shumë më afër Europës. Por qeveritarët shqiptarë të të gjitha kohërave, kanë ndier përherë nevojën të prodhojnë “suksese”, duke u krahasuar me të shkuarën e errët. Kam kaq ditë këtu në Francë dhe nuk e kam parë as edhe një herë Presidentin Hollande apo Kryeministrin Erolt në televizor. Në Shqipëri, Kryeministri shqiptar, u rrëfen përnatë shqiptarëve nga ekranet, përralla mbi “mrekullitë” që po bën qeveria e tij. Janë tamam si përrallat e gjysheve që rreken ta bëjnë më të bukur natën që po bie.
Top Channel