Banorët e fshatit Krrabë, në periferi të Tiranës janë bërë dëshmitarët e një vrasjeje të paralajmëruar. 18-vjeçarja Nazmije Visha nga fshati Vilë ka vrarë në mesnatë 45-vjeçarin Fiqiri Muça, pas një historie intime plot me mistere që dyshohet se ka nisur që kur autorja e krimit ishte vetëm 14 vjeçe.
Viktima me origjinë nga Burreli, me statusin i martuar ishte mik shtëpie në familjen e adoleshentes, pasi motra e saj është e martuar me vëllain e tij. Policia shpreson që të zbardhe arsyet kontradiktore të këtij krimi tek një ngjarje e denoncuar në muajin maj të këtij viti, atëherë kur edhe media njoftonte zhdukjen e Nazmije Vishës dhe kur madje edhe e ëma e saj tentoi të vetvritej për këtë shkak.
Adoleshentja u gjet në Burrel dhe i kishte deklaruar policise se ishte rrëmbyer nga 45-vjeçari Muça, dhe që sipas saj ai e kishte mbajtur me dhunë në një pyll. Por, më pas adoleshentja kishte tërhequr denoncimin, duke thënë se kishte ikur me dëshirën e saj. Kaq kishte mjaftuar që policia e Burrelit ta mbyllte dosjen.
”Ajo u largua përpara dy muajsh, nuk erdhi pasi e kishin rrëmbyer dhe e mbajtën 11 ditë në një pyll. Menduam se mos i kishte ndodhur gjë apo se mos e kishte shitur, por ajo s’na mori në telefon dhe s’na tha që e kishte marrë. Ajo e mbajti atje dhe nuk kishte rrugëzgjidhje sepse rrugët ishin bllokuar”, deklaroi Safete Visha, kushërira e autores.
Pas këtij momenti, adoleshentja është dërguar tek gjysherit e saj në Krrabë, për të qenë më e sigurtë nga ndonjë sulm i 45-vjeçarit. Vajza ndërkohë ishte fejuar dhe duket se kjo kishte shtuar agresivitetin e burrit ndaj saj.
Mbrëmjen e krimit, viktima ka mbërritur i shoqëruar nga një taksist në fshatin Krrabë dhe dyshohet se qëllimi i tij ishte ta rrëmbente sërisht 18-vjeçaren.
Adoleshentja thotë një burim i policisë ka qëlluar me armë, duke e ndjekur me breshëri të shtënash nga porta deri sa e ka lënë të vrarë pothuajse 500 metra larg shtëpisë në një livadh.
”E ka mbajtur me zor ai dhe ajo kishte frikë se e kërcënonte që do i vriste familjarët e do i digjte shtëpinë. Tashmë ajo ka 8-9 muaj që ishte fejuar dhe i fejuari donte ta merrte edhe pse u rrëmbye. E rrëmbeu (viktima 45-vjeçar) përpara dy muajsh nga shtëpia e saj”, shtoi kushërira.
Nga ana e saj, Policia e Tiranës deklaron në njoftimin për shtyp se viktima është ish-bashkëjetuesi i adoleshentes dhe se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Top Channel