Dhurata e Vlorës për Ismail Qemalin

10/08/2012 20:20

Për 100-Vjetorin e Pavarësisë, Vlora do të ketë një shtatore të Ismalil Qemalit, shtatë metra të lartë, e cila do të vendoset në sheshin e Skelës, aty ku dikur ka qenë shtatorja e Hysni Kapos, një prej udhëheqësve komunistë të kohës.

Skulptori Zeqi Alizotaj është duke përfunduar veprën që së shpejti pritet të hidhet në bronz. “Ismail Qemali nuk ka shtatore në Vlorë. Në Sheshin e Flamurit është vetëm Monumenti i Pavarësisë, ndërsa kjo është shtatorja e parë që ngrihet për të”, deklaron Alizotaj.

Shpenzimet për ndërtimin e shtatores së një prej figurave më të fuqishme të historisë shqiptare, që mundësoi pavarësinë e vendit dhe ishte kryeminsitri i parë, do të përballohen nga bashkia e Vlorës.

“Ky është një investim me fondet e bashkisë së Vlorës, një projekt i shpalosur më 24 janar, që përkon me ditën përkujtimore të Ismail Qemalit. Për këtë projekt u hap një konkurs”, deklaron Arben Beqiri, nënkryetar i bashkisë së Vlorës.

Nisma për ndërtimin e kësaj shtatoreje ka qenë e bashkisë së Vlorës dhe është miratuar nga këshilli bashkiak. Paralelisht në Tiranë, qeveria ka menduar që një tjetër shtatore për Ismail Qemalin të vendoset në ambjentet publike të kryeqytetit. Mendohet të jetë shtatorja e cila sot ndodhet në Muzeun Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali.

Top Channel