Një tjetër behar i shëmtuar

09/08/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – Zakonisht në anët tona vapa nis që herët, që nga fundi i
majit, a fillimi i qershorit. Kështu që për verën e këtij viti mund të
nisnim të flisnim që në atë kohë, porse gushti është vërtet ai që i
largon njerëzit nga qytetet e mëdha drejt qendrave turistike brenda e
jashtë vendit, ky është muaji kur mbyllen shumica e zyrave, Parlamenti,
gjykatat.

Gushti është muaji kur qytetet e mëdha bëhen si të zbrazura. Gjallëria e dikurshme shkon drejt detit, trafiku legjendar i makinave bie, vapa nis të përzhisë të mbeturit mes asfaltit, betonit dhe pemëve që kanë nisur të veniten. Pikërisht në këtë kohë, të mbeturit, pra ata që nuk janë përfshirë ende nga ngazëllimi i plazheve, nisin të bëjnë ndonjë bilanc të kësaj vere. Nuk është se verat tona në këto dekadat e fundit kanë qenë nga më të lumturat për shqiptarët, porse, të paktën, kur vinin pushimet, sikur zbriste disi ai tensioni, i cili në muajt e tjerë ndihej në ajër e ndër fytyra të vrerëta. Me ndonjë përjashtim, të cilin më mirë të mos e kujtojmë, në beharet që porsa kaluam, shqiptarët bëheshin si disa fëmijë të lumtur që i gëzoheshin pushimit pas një viti të lodhshëm pune. Për dreq ky behar po rezulton më i shëmtuari nga të gjithë ata që kemi parë deri më tash. Ja sepse.

Çmimi i zeruar i jetës

Një baba që flak nga dritarja fëmijën e porsalindur, një burrë që shëtit nëpër rrugët e Poliçanit me kokën e prerë të një njeriu në dorë duke ulëritur sa ka në kokë, një baba që vret të bijën për një fjalë goje, një grua që theret për vdekje në sy të fëmijëve vetëm për një varëse, makina të çmendura që vrasin njerëzinë… Ku po jetojmë? Në ndonjë film horror? Në ndonjë roman fiction? Në ndonjë ëndërr të keqe? Ku? Për fat të keq të gjitha janë të vërteta, madje ka edhe më, ne përmendëm vetëm pak të atyre rasteve që kanë përgjakur Shqipërinë. Shtoji këtij gjaku edhe peizazhin e përflakur të pyjeve që digjen përditë dhe ja ku jemi, ne, një nga “perlat e Ballkanit”, sikurse na e pëlqen ta quajmë veten.

Nuk është puna te rënia apo rritja e krimit. Krimi ekziston kudo, madje edhe ai absurd sikurse ndodhi në SHBA, vetëm disa ditë më parë. Puna është te mënyra se sa thjeshtë, kollaj, madje edhe me një lloj krenarie e heqim qafe tjetrin, njësoj sikur ky apo kjo të ishte një guriçkë që duhej flakur tutje. Shifrat e krimit duhet patjetër t’i preokupojnë politikanët, sociologët, psikologët, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë janë vrasjet prej të çmendurish antinjerëzorë. Duket sikur urrejtja është ngjizur aq fort në brakun e disa njerëzve saqë ata tashmë urrejnë jo vetëm të tjerët, jo vetëm viktimat e tyre, jo vetëm ata që kanë rreth e rrotull, por edhe vetë veten e tyre, njerëzimin vetë. Me pak fjalë ky behar na ka treguar se mesh nesh kemi antinjeriun. E bukur shpikje!

Turpi olimpik

Ne e kemi zakon të ngrefosurit. Mbase vjen nga koha e gjyshërve stërgjyshërve tanë, të cilët meqë nuk kishin edhe aq shumë për të rrëfyer ngrefoseshin në biseda të gjata lavdie, patriotike, historike e kështu me radhë. Ata të shkretë, mbase e kishin mirë, vetëm kështu ndokush mund t’ua vinte veshin, porse ne sot harrojmë që jetojmë në 2012, në një tjetër mijëvjeçar, në një kohë kur puna, modestia, kultura, edukata janë armët të cilat të garantojnë suksesin. Këtë nuk e dinin me sa duket sportistët tanë të cilët shkuan në Londër me një ngazëllim të madh, të sigurt se do mbulonin shpatullat me flamurin kuqezi teksa shkelnin mbi podiumin e nderit. Delegacioni u nis për në Londër, i ngrefosur dhe ngazëllyer si gjithnjë dhe u kthye me bisht ndër shalë. Nuk është vetëm te rezultatet, specialistët thonë më të dobëtat në gjithë historinë tonë të shkurtër olimpike. Përballë gjigantëve është e sigurt që do të humbësh. Puna është se tanët humbën në një mënyrë të shëmtuar, duke bërë salto e skena, duke marrë doping për kuaj, gati-gati duke u sjellë sikur tanëve po u mohohej një e drejtë që ua kishte dhënë vetë Zoti. Ngrefosja e parë e kishte bërë efektin. Mirë që na fillon emri me A, se përndryshe do të mbaheshim mend gjatë në Londër vetëm për gafat pa kripë që bënë tanët. Le të rrekemi ne më kot të themi se “populli ynë në këtë 100-vjetor ka bërë këtë e atë, se populli ynë është i tillë e i atillë, se është më trimi në botë, se ka bërë gjithnjë beteja – pra edhe gara – të ndershme, se…”. Do ta kemi kot. Të huajt edhe për shumë e shumë kohë do të thonë: Shqiptarët? Ah, po i mbaj mend. Ishin ata që u jepnin sportistëve doping për kuaj! Ja se ku na kthyen këtë behar sportistët tanë, në kohën kur na e bënin me gisht për skafet, klandestinët dhe prostitutat. Askush nga shqiptarët nuk ua kishte për borxh këtë “nder”.

Parlamenti shkrihet në vapë

Ja paskemi mbështjellë kot gjithë këto vite. Parlamenti nuk na u dashka fare. Ligjet, që sot e tutje do t’i votojë populli. Deputetët do t’i bëjnë gati, pastaj ata do në na i shpjegojnë neve dhe pastaj, ne, një herë në dy-tre muaj do t’i votojmë “fshatçe”. Kuvendi i Shqipërisë dështoi të hënën në mënyrën më të turpshme të mundshme. Deputetët treguan vetëm se nuk e kanë aspak as mendjen, por me sa duket as aftësinë dhe as burrërinë, që përpara se t’u shërbejnë komandantëve, t’u shërbejnë vatrave të tyre, fshatrave të tyre, qyteteve të tyre, rrugicave ku janë rritur, vendit të tyre. Këtë herë arriti vërtet kulmi. Të dyja kahet e mëdha u zunë as më pak e as më shumë për një gjë për të cilën ishin dakord. Të dyja palët ishin betuar e përdëllyer se kanë qenë dakord për heqjen e imunitetit, por jo, pas kësaj nisën “cic-micet”. Jo e pata thënë unë i pari, jo ti hajde më parë te lagjja ime, jo po jemi që jemi hajde të diskutojmë edhe ca gjëra të tjera, jo po më parë të ikë qeveria pastaj të heqim imunitetin… Punë kalamajsh fare të palezetshëm, e fort të pandërgjegjshëm. Këta “kalamaj” nuk e thonë, porse është afër mendsh që tashmë fushata elektorale ka nisur, madje fort fuqishëm. Puna nuk është thjesht te votat e Parlamentit. Puna është se politika jonë sukseset, ato të paktat që janë arritur, nuk i konsideron si fitore të të gjithëve, të djersës së popullit shqiptar, të zellit të shumë të rinjve për të punuar, të ëndrrave të shumë biznesmenëve për ta ndryshuar jetën me punë të ndershme, përkundrazi i konsideron si fitore të njërit apo tjetrit lider. Ja përse ngërçi mbërrin edhe atje ku palët në parim janë dakord, sepse nuk duan t’i lëshojnë njëri-tjetrit monopolin e suksesit, i cili më pas do përdoret fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qerthull alogjik e bezdisës është ngatërruar edhe një tjetër teori, ajo e dhuratës që Europa mund të na bëka meqë në nëntor kemi 100-vjetorin? Pra ndokush ka rast t’i shtojë sukseset në listën e tij dhe ndokush tjetër ka në dorë ta pengojë atë. Kjo puna e dhuratës është një tjetër budallallëk me okë. Ne për Europën jemi një nga fëmijët më problematikë, dhe mbase më problematiku. Tani ky fëmijë problematik pret një dhuratë të mirë meqë na paska ditëlindjen. Çdo prind me mend në kokë më parë do vriste mendjen nëse ky fëmijë e meriton vërtet dhuratën apo jo, pavarësisht ditëlindjeve që shkojnë e vijnë. Behari i këtij viti i mbushur me urrejtje, marrëzira, gjak, pluhur, vapë, të shara, absurditete, smira, ligësira… nuk është se na bën nga fëmijët më të mbarë të Europës. Kështu si po sillemi a meritojmë vërtet dhuratën?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA