
Një zjarr i shkaktuar dy ditë më parë si rrjedhojë e neglizhencës njerëzore në bashkinë e Bujanovcit është përhapur në mënyrë alarmante në zonat e banuara nga shqiptarë në Serbi.
Zjarri i nisur pranë fshatit të Biljacës, ka prekur zona deri 15 kilometra nga Bujanovci dhe kërcënon edhe qendrën e luginës, Preshevën.
Zjarrëfikës nga lokalitet përreth e kanë patur të pamundur të përmbajnë deri të mërkurën flakët, ndërsa ndihma janë dërguar nga autoritetet qendrore dhe Rusia, që ka nisur një helikopter në gjendje të lëshojë deri në pesë tonë ujë nga ajri dhe disa ekspertë të emergjencave civile.
Kryebashkiaku i Bujanovcit, Nagip Arifi, ishte vetë prezent gjatë ditës për të udhëhequr operacionet e zjarrëfikëseve.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, temperaturat e larta, thatësira dhe mungesa e rreshjeve do të vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve edhe në ditët në vazhdim.
Top Channel