Vritet një grua në Tiranë

07/08/2012 00:00

Një xhiro familjare në këmbë ka përfunduar në një fatkeqësi të radhës, të ardhur nga krimi i rrugës në Tiranë. 37 vjecarja Fatbardha Tafa është qëlluar për vdekje nga dy të rinj në sy të fëmijëve të saj, ndërsa është plagosur në krah edhe motra e saj, Lumturie Gjana.

Të dyja gratë që shoqëroheshin nga tre fëmijët e tyre janë sulmuar nga dy grabitës me motorr të cilët kanë tentuar t’u rrëmbejnë femrave varëset dhe cantat , por ndërsa kanë hasur në rezistencën e tyre, njëri nga grabitësit ka qëlluar mbi Fatbardhën me thikë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në derën e shtëpisë së familjes Ahmetaj, pranë ish-fushës së aviacionit në Tiranë. Një familje ka dëgjuar vetëm të qara dhe fjalën ‘ndihmë.

“Ne dëgjuam zhurmë dhe ulërima. Fëmijët po qanin dhe dy motrat njëra e shtrirë tjetra që e mbante mbështetur te dera. Kur dëgjuam që kërkuan ndihmë ne kemi dalë përjashta kemi marrë fëmijët e kemi gjetur viktimën të mbuluar me gjak”, tha Sanije Ahmetaj, dëshmitare.

“Kemi marrë kalmajtë i kemi freskuar me ujë, se edhe ata ishin duke mbaruar nga të qarat, nuk kemi parë njeri që i ka qëlluar”, tha Fatbardha Ahmetaj, dëshmitare.

Nga informacionet e mbledhura paraprakisht në vendngjarje, policia pohon në rrugë jo zyrtare se njëri nga grabitësit ka qënë me skafandër ndërsa tjetri i pamaskuar, ndërsa ka dyshime të forta se dy të dyshuarit ende të paidentifikuar mund të jenë nga ai kontigjent i krimit të rrugës që kryen grabitje me motorr, një metodë kjo shqetësuese për rrugicat periferike të kryeqytetit ku banojnë banorët e zonave informale.

Aktualisht policia ka vendosur 10 mijë euro shpërblim për cdo informacion të vlefshëm që mundëson arrestimin e autorëve.

POLICIA PËRVEC NUMRIT PA PAGESË 129 VENDOS NË DISPOZICION EDHE CELULARIN 069 41 04 111.

Vjedhja e cantave dhe bizhuterive të femrave është kthyer në një shqetësim të përditshëm kryesisht në rrugicat e kryeqytetit nga grupmosha 16 deri në 24 vjec, por me gjithë dhjetra arrestime që kryhen përditë nga policia ky fenomen nuk po frenohet dot. Bandat e adoleshentëve janë kthyer në një minë me sahat për shoqërinë, pasi sipas policisë ky nuk është krim që prodhohet si pasojë e kushteve ekonomike, por janë kontigjente adoleshentësh që kanë dalë jashtë kontrollit të shkollës dhe familjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA