Kumbarët e korrupsionit

03/08/2012 00:00

XHEVDET POZHARI- Korrupsioni, fjalë e stërpërsëritur, e bastarduar dhe e
nxjerrë plotësisht nga kuptimi i saj. Nuk kalon ditë që lidhur me këtë
fenomen, i cili i ka lëshuar rrënjët thellë, nuk dëgjojmë se u formua ky
komision, u ndërmorën këto veprime, ngecën ato raste, u pranuan këto
raporte…

Korrupsioni sot ka lëshuar rrënjë gjithandej. Shtrohet pyetja se çfarë dallojnë nga njerëzit e korruptuar ata që hezitojnë të flasin për rastet korruptive në shoqëri, në vendin e punës apo kudo që ata ballafaqohen me këtë fenomen, që në vazhdimësi shënon rritje, duke trimëruar kështu ata që preferojnë të jetojnë pa asnjë normë ligjore dhe etikë njerëzore. Sot, të korruptuar quhen vetëm aktorët e drejtpërdrejtë, ndërkohë harrojmë se interesat meskine na kanë verbëruar të gjithëve, madje deri në ato përmasa sa edhe disa media, të cilat financiarisht janë të varura nga bizneset që e shfrytëzojnë hapësirën e tyre reklamuese, heshtin nëse “konsumatori” i tyre përballet me ndonjë kontest gjyqësor. Ku ta dish, mbase ky standard i dyfishtë praktikohet edhe gjithandej nëpër botë, mirëpo ajo që e bën më të pështirë këtë lloj “zanati” në Kosovë është se në momentin kur ndalet “ceshmja”, janë pikërisht ato mediume që sulen si hiena përmbi mbetjet e korrupsionit, shpeshherë edhe në përpjekje për ta shpëtuar vetveten, pasi më nuk u ka mbetur çfarë të humbasin!

Situatë akoma më e rëndë, sa i përket denoncimit të korrupsionit publik, është në Maqedoni. Bllokada fillon që nga mbrojtësit më të devotshëm të “kumbarisë”, mediat. Tashmë botërisht dihet se nuk është profesionalizmi dhe etika gazetareske ajo që përcakton standardet e mirëfillta të gazetarisë në këtë shtet, por barometri i saktë i të qenët “gazetar i mirë” në taborin maqedonas është antishqiptarizmi, ndërsa te shumica e mediave shqiptare “suksesin” e garanton servilizmi dhe gjunjëzimi përballë pushtetit. Që të dy taborët takohen në një pikë – interesat e ngushta personale. Mediat e pakta që kanë zgjedhur rrugën të përçojnë një frymë sadopak të lirë, rrezikohen ose nga falimentimi financiar ose nga ngushtica e burgjeve të errëta, ku në numër më të madh ndodhen kundërshtuesit e sistemit se sa, bie fjala në këtë rast, të korruptuarit.

Kohë më parë i gjithë publiku shqiptar pati rastin të jetë dëshmitar i një beteje publike midis dy personaliteteve që e kishin lënë pas arsyen dhe kishin nxjerrë në pah veset, inatet dhe hidhërimet fëmijërore. Pavarësisht gjuhës së artikuluar, mendimeve të ndritura, ishte pikërisht e kaluara e përbashkët ajo që ishte bërë shkaktare e mosdurimeve. Ajo e kaluar e cila edhe njërit edhe tjetrit ia kujtonte mëkatet e ëmbla që lidheshin me të mirat materiale dhe mbeti pa u kuptuar se cili prej tyre e kishte zili tjetrin. Mes rreshtave fshiheshin akuza të rënda, njëri e shpalli tjetrin si “kumbarë” të autostradës së kombit dhe përkrahës të devotshëm të “kryekumbarës”, e tjetri e zbuloi se akuzuesi ishte “kumbarë” i termit “president konsensual” dhe njeri i varur dëshpërimisht nga ambiciet e tij. Pra, ishte pikërisht e kaluara e përbashkët që e ushqente tërë atë mosdurim dhe ta krijonte përshtypjen se sikur mos t’ia dinin sekretet njëra–tjetrës, prostitutat mbase një ditë mund të shndërroheshin edhe në zonja. Se hapësira midis pohimit dhe mohimit të një “njohëseje të zanatit” varet vetëm nga oferta dhe lajkat për rritje të çmimit. Kudo, në cilindo shtet demokratik, pas akuzave dhe kundërakuzave të tilla publike, ngrihet proces gjyqësor që të zbulohet vërtetësia e pretendimeve. Vetëm te ne ndodh që ngjarje të tilla të na ngjallin interesim po aq sa telenovelat turke dhe latine, ndërkohë që presim vazhdimin e episodeve, të cilat bëhen edhe më “interesante” kur lirohen zagarët dhe sahanlëpirësit e të dyja palëve, të cilët mbrojnë njërin dhe lehin në kundërshtim të tjetrit.

Njeriu sado që dëshiron ta lërë të kaluarën mbrapa, ajo i ngjitet pas si hije, dhe varësisht nga refleksioni i zhvillimeve në jetë herë i del përpara, e herë shtrihet prapa tij. Ngado që e kthen shikimin, në momentin kur e jeton të sotmen apo mendon në të ardhmen, e kaluara mbetet nyja që e ka vulosur fatin. E kaluara, e cila sot i përcjell si hije e errët të gjithë ata që premtuan se Kosovën një ditë do ta çlirojnë nga korrupsioni, e ndërkohë bënë të kundërtën, të gjithë popullin, pa vetëdije dhe dashje, e bënë mbrojtësin më të mirë të këtij fenomeni, i cili nuk është çudi që një ditë të legalizohet në Kosovë. Duke qenë institucionet publike punëdhënësi më i madh, duke iu referuar shifrave të llahtarshme të varfërisë që rriten dita-ditës, cili individ do ta rrezikonte kafshatën e bukës ta denonconte korrupsionin, madje edhe nëse do të ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të një zinxhiri shkeljesh e diskriminimesh. Kush do ta merrte guximin ta mbështeste besimin në institucionin me nivelin më të ulët të besueshmërisë në Kosovë – gjyqësorin. Dihet se njeriu duhet të mbështetet në bindjen e vet, e jo në bindjet që ua përcaktojnë të tjerët, por kur këto bindje varet nga disponimet dhe situatat që na i përcaktojnë rrethanat, atëherë vërtet është për të dyshuar në tërë këtë luftë mediatike të rrejshme, e cila zhvillohet në emër të luftimit të korrupsionit.

Dhe derisa ne e kemi zgjedhur rolin e shikuesit pasiv të kësaj maskarade publike, atëherë me vetëdije të plotë kemi pranuar të jemi “kumbarë” të korrupsionit. Dhe, nuk do të jetë e largët dita kur frytin që e kemi pagëzuar sot, do të duhet kokulur t’i dalim zot nesër. Ndërsa brezave që do të vijnë nuk do t’u lëmë bindje tjetër pos përshtypjes së hidhur se ishim vetëm zvarranikë që tërhiqeshim zvarrë pas mbetjeve të kohës, të cilët kurrë nuk mësuan ta shalojnë me mburrje fatin e tyre. Se një ditë “prindërit” e vërtetë të kësaj “pjelle” do të ikin nga ky vend, e neve do të na mbetet të kujdesemi për “frytin” që kemi zgjedhur t’i bëjmë kumbari.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA