Mustafa Nano – Regjimin e Tiranës mund ta mundim në kutitë e votimit. Fakti që ky
regjim po mbahet më këmbë me ndihmën e partive të tjera, do të thotë se
trukimit të rezultatit i është besuar deri në një farë pike.
Sikur, fjala vjen, diferenca mes Ramës e Bashës të mos ish dhjetë vota, por treqind, në zgjedhjet administrative të 8 majit 2010, edhe një ushtri Ristanësh do të dilte e pavlefshme dhe e pamjaftueshme për ta ndryshuar rezultatin. Prandaj, ideja se Berisha ka për t’i vjedhur se s’bën zgjedhjet e vitit të ardhshëm është e pabazë, dhe kapitullante. Ai do t’i përdorë, sigurisht, të gjitha mjetet që ka në dorë për ta trukuar sa të mundet rezultatin, por kjo rrugë nuk i jep garanci. Cila është rruga tjetër? Është krijimi i një koalicioni sa më të gjerë elektoral. Dhe duhet thënë se Berisha beson më shumë te ky ‘truk’, se sa te truku i vjedhjes së zgjedhjeve.
E keni vënë re? Nëse ky ‘truk’ rrezikohet, apo bëhet i pamundur, d.m.th. nëse partitë e tjera të vogla të koalicionit qeverisës hedhin vickla e bëjnë rolin e kuçkës, duke iu vardisur në të njëjtën kohë edhe Ramës për të rritur pazarin, Berisha bëhet keq. E pamë sesi u bë, kur doli lajmi i takimit të Lalëzit, e kur Ilir Meta po jepte shenja se edhe mund ta braktiste. I iku fytyra krejt; dhe të vetët u mekën fare. Por shumë shpejt e kuptoi se ç’duhej bërë: duhej rinegociuar çmimi i ri i LSI-së. Është një proces rinegocimi që ka filluar e do të mbarojë para zgjedhjeve, por është një proces që Berisha di ta mbajë nën kontroll. Ai ka avantazhin se në këto negociata s’ka asgjë për të humbur. Ai mund t’i japë pa të keq Metës, Idrizit, Mediut, Ndokës etj., atë që ata kërkojnë. Ka kosto në qeverisjen e ardhshme kjo gjë? Atij aq i bën. Objektivi i tij është të rrijë në pushtet, e jo të qeverisë, dhe ky fakt ka përbërë në negociata të tilla një avantazh të tijin në raport me Ramën; ky i fundit, deri para pak kohësh (saktësisht, deri në zgjedhjet e 8 majit, kur humbi bashkinë thjesht për shkak të refuzimit prej snobi që i bëri Hysni Milloshit), jetonte me shpresën se mund ta merrte i vetëm, kundër të gjithëve, pushtetin. Tani nuk mendon kështu. Zgjedhjet e ardhshme janë shansi i fundit për Ramën. Nëse humbet, do të largohet (kuptohet, nëse është i lirë të marrë vendime, nëse e ka veten në dorë, e nëse nuk është krejt i marrosur pas pushtetit), e për të shmangur një situatë kësodore, i duhet të fitojë me çdo kusht. E në këtë kuptim, ndeshja e ardhshme elektorale do të jetë një duel njerëzish të dëshpëruar, që të vetmin program ‘qeverisës’ kanë fitoren me çdo kusht.
Thashë pak më sipër se Berisha ka dy rrugë për të shpresuar fitoren: 1. Të vjedhë zgjedhjet; dhe 2. Të futet në zgjedhje me një koalicion sa më të gjerë në pikëpamje numerike. Sa më shumë i ngushtohet rruga e parë, aq më shumë i duhet të zgjerojë rrugën e dytë, e prandaj ai përpiqet t’i mbajë afër ata që i ka të vetët e të ndjellë të tjerë që janë afër Ramës. Nuk e ka të lehtë, pasi nuk është se të gjitha partitë e vogla mund të rrinë bashkë në një koalicion, por Berisha ka dhënë prova se është një alkimist i mirë.
Po Rama sa rrugë ka? Rama nuk ka në dorë të vjedhë zgjedhjet, por ai ka dy rrugë, gjithashtu: 1. Të krijojë një frymë nacionale, e cila të mobilizojë të gjithë ata që s’kanë asnjë lidhje me regjimin e të vërë përpara të gjithë ata që janë të lidhur me regjimin; dhe 2. Të futet në zgjedhje – jemi te rruga 2 e Berishës – me një koalicion sa më të gjerë në pikëpamje numerike. Të parën, Rama nuk e bën dot. Në Shqipëri ka nevojë për një leader që mund të krijojë një frymë antiregjim, por Rama nuk është leader-i që mund ta bëjë këtë gjë. Rama është një politikan që ka dëshmuar, ashtu si të fuqishmit e tjerë të këtij vendi, se s’ka skrupuj e parime. Atëherë mbetet vetëm rruga e dytë. E prandaj, të dyve, Ramës e Berishës, do t’u duhet të hahen në të njëjtën fushë e me të njëjtat armë. Kush do të krijojë koalicionin më të madh, do të fitojë zgjedhjet.
Deri para ca kohësh, ideja që mund të vinte në pushtet e të tërhiqej zvarrë nga tekat e Metës, Nokës, Idrizit, Gjinushit, Milos etj., e bënte Ramën të mendonte se “më mirë t’mos e kesh një pushtet, sesa ta marrësh e ta lësh në dorë të vicklave të ca njerëzve, me të cilët s’të lidh ndonjë gjë e madhe”. Këtë e mendonte, të kuptohemi, ngaqë kish një siguri se do të fitonte, e jo ngaqë, si një shtetar i mirë, ish i merakosur për fatin e qeverisjes së ardhshme. Mirëpo, Rama nuk është më ai i pari. Tani nuk është se dremit më mbi sigurira të tilla. Përkundrazi, nëse ka një gjë që s’e mendon më, kjo është ardhja në pushtet i vetëm. Është duke menduar bash të kundërtën. E është duke punuar për të. Deri para ca kohësh ndihej i bezdisur nga ideja e bashkëpunimit dhe e ndarjes së pushtetit me të tjerë. Ndërsa tani kjo ide, jo vetëm që nuk i shkakton asnjë lloj problemi e sikleti, por e ka bërë të hapur e kooperativ. Atij i duhet të fitojë, e fitorja arrihet duke mbledhur çdo votë të mundshme. Dhe kuptohet, në këto rrethana, meraku për një qeverisje të nesërme është një luks që Edi Rama s’mund t’ia lejojë vetes, n’daçi për një dispozicion të vetin amoral, n’daçi për një hesap elektoral, n’daçi për një axhendë politike të emergjencës që ka ky vend (jemi nën hyqmin e një satrapi marrok).
E bukura është se, sikur të mos jetë mjaft kjo tërheqje morale që kemi pranuar, apo kemi inkurajuar, një pyetje mbetet, prapëseprapë: Është në gjendje Rama të krijojë karvanin elektoral që lipset për t’u ballafaquar me satrapin marrok? Unë personalisht ende nuk kam një përgjigje për këtë.
Gazeta “Shqip”
Top Channel