ARTAN MULLAJ – Para disa ditësh, në Shkodër, ndodhi një aksident i
rëndë. Dy zonja dhe drejtuesi i një mjeti, një djalë në moshë fare të
re, dhanë frymën e fundit në asfalt. Duke lëvizur me shpejtësi në hyrje
të qytetit, vetura goditi dy gratë fatkeqe, që shëtisnin me biçikleta
dhe më pas u përplas edhe vetë në hendek. Ngjarje si kjo janë bërë të
zakonshme.

Edhe një herë, kamerat televizive fiksuan njollat e gjakut mbi asfalt. Kronika ishte e përsëritur në llojin e vet dhe rrëqethëse njëherësh. Të jesh i moshuar, të jesh i pafajshëm në lirinë tënde për të shëtitur në mëngjesin e freskët, të jesh femër dhe papritur, për një çast, ndodh një shpërthim fatal, që është apokalipsi vetë. Si ndryshon rrjedha e ngjarjeve për njeriun! Sa i brishtë është njeriu dhe sa e pamëshirshme rastësia. Në një sekondë, befas, çelësi stakohet. Bien perdet. Shuhet drita. Nuk je më! Të paktën, jo më në këtë botë të çuditshme. Atë mëngjes, zonjat e lanë në mes bisedën rutinë sapo mbi to u derdh dhunshëm furia e metalit. A ishin të vetëdijshme për ndodhinë atë çast, kur si me gërshërë, mjeti vrasës, ju preu sakaq në mes programin femëror të ditës, fantazinë e gatimit të drekës apo përgatitjes së ëmbëlsirave? A kuptuan ç’ju ndodhi atë çast terrori të beftë, kur bota shpërtheu frikshëm jashtë, por edhe në mendjen e tyre? Apo gjithçka ndodhi më shpejt nga ç’mund të vlerësohej prej tyre? Mbase ato arritën të ndjejnë për një çast, mes tmerrit të kalimit të botëve, se misteri i ekzistencës i kishte mbështjellë me një vorbull fatale, për t’i çuar tjetërkund, larg, kushedi ku. Dosja e planeve të tyre prej zonjash të mira dhe nënash të dhembshura, u mbyll. Këtë verë nuk do të shkojnë në plazh me fëmijët dhe mbesat. Nuk do të jenë më në ditëlindjet e tyre me dhuratat e tyre përmallëse dhe nuk do të jenë dëshmitare të rritjeve dhe arritjeve të tyre. Nuk do të gatuajnë lakror me petë dhe as do t’ju bëjnë surpriza, me lekët e mundimshme, të mbledhur tinëz, nga rrogat e vogla, vit pas viti.

Fati, si një përbindësh, iu këputi fillin e mistershëm të jetës, duke i shtyrë në humnerën e fatalitetit. Ato, as nuk do të shëtisin më me biçikleta mëngjeseve, ashtu si drejtuesi fatkeq i mjetit, shkaktari i tragjedisë, nuk do vazhdojë t’i japë më gabim edhe me nxitim makinës dhe as do të jetë më arsyeja, se përse prindërit e tij punojnë fort e luftojnë…

Raste si ky, në të cilin jeta humbet pa të drejtë, ka plot. Asfaltet tona skuqen përditë, me gjak fëmijësh dhe pleqsh. Por nuk janë veç aksidentet që dëshmojnë zhvlerësimin e jetës në Shqipëri. Statistikat tregojnë se jemi kampionë botërorë në vrasje ndërkohë që krimi në Shqipëri, si për të arritur një rekord të kobshëm, ka arritur nivele të frikshme. Njerëzit vriten shpesh edhe lehtë. Vriten në rrugë aksidentalisht, por vriten edhe për motive të dobëta. Për xhelozi, për burrëri, për prona, për larje hesapesh, vriten njëri me tjetrin edhe për shkak të idiotësisë, varfërisë, mentalitetit, gjakmarrjes. Kjo gjë dihet dhe pranohet qetësisht nga të gjithë. Vriten edhe për shkak se nuk ka drejtësi të shëndetshme dhe gjykata të pastra. Vriten për të bërë vetëgjyqësi. Ky është një mallkim që nuk i kursen as të rinjtë, as të vjetrit, as të pafajshmit. Rrëqethja kolektive vjen njëlloj nga vetëvrasjet e shtuara, nga menaxhimi primitiv që i bëhet këtij vendi dhe nga paaftësia kolektive për të marrë seriozisht jetën si diçka të shtrenjtë dhe të shenjtë. Jo rrallë dëgjojmë se dikush u dorëzua në betejën e trishtë me realitetin e vrazhdë, duke vrarë veten. Kjo gjë shton numrin e jetimëve. Duke shtuar numrin e jetimëve, këta dezertorë të ekzistencës, shënojnë përditë emrin në listën e rritur të viktimave të mizerjes ku ky vend ka rënë.

Çfarë na tregon kujtesa jonë e gërvishtur gjithë këto vjet? E shkuara jonë e tranzicionit nuk është veçse një mozaik ngjarjesh të zeza e të pashembullta. Këto ngjarje vazhdojnë të jenë pasoja të marrëzisë, të krimit ordiner, të krimit shtetëror, të fatkeqësive natyrale, të aksidenteve shokuese. Mbrapa kemi lënë armatën e të humburve në kufijtë e Shqipërisë, rininë e vrarë të ‘97-s, turpin dhe krimin e Otrantos, tragjedinë e Farkës, rrallimin e minatorëve në Bulqizë, Gërdecin me gjak ende të patharë, vrasje të pazbuluara deputetësh dhe gjykatësish, 21 janarin dhe shumë të tjera, për ta mbyllur me aksidentet e shumta në rrugët vrasëse të Shqipërisë, që janë shndërruar në Gërdecë të padukshëm. Tek ne ndodh kaq shpesh edhe kaq rëndom humbja fluturimthi e jetës, dhe kaq thjesht, dhe kaq pa kuptim, dhe kaq barbarisht, sa mund të supozohet se siguria e jetës tani është shndërruar në një sfidë rutine.

Le të jemi indiferentë sa të duam dhe le ta shpërfillim këtë rutinë kobe! Si kurrkund tjetër, energjia jonë qenësore, ka aksione të ulëta në bursën biologjike të krijimit… E dimë këtë gjë, e shohim këtë gjë në sytë tanë dhe e pranojmë këtë realitet me qesëndi, me eufori, me krenarinë e sfidës së kotë. E konstatojmë! E dimë që këto ngjarje janë më shumë se gjëmime kambane për të ardhmen e kombit. E dimë që janë ngasje terrori shpirtëror dhe jo vetëm kaq.

Siguria e jetës nuk është thjesht çështje kualiteti, as çështje identiteti. Madje, përzier me to, as çështje morali! Si një koncept, ajo është vetëdija e pastër që intelekti njerëzor ka krijuar për të bashkëshoqëruar instinktin universal të vetëmbrojtjes, në mbështetje të vlerës maksimale, që është ekzistenca.

Kur kjo siguri është e cenuar, i cenuar është koncepti themelor, psikologjia jetësore dhe rrjedhimisht, personaliteti njerëzor.

Por, nëse kemi personalitet të cunguar, aq na bën! Në shpinë kemi kallo të ashpra durimi!

Vuajtjet popullore të kujtesës do të duhej të kishin përmirësuar kodin e sigurisë dhe aksionet e jetës shqiptare do duhej të ishin rritur, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Të gjitha bashkë janë një dhimbje e skajshme për t’u duruar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA