Dukagjini u trondit sërish nga një ngjarjë e rëndë pasditen e së mërkurës. Babai vrau vajzën e tij 14-vjeçare dhe më pas edhe veten.
Ngjarja ndodhi në fshatin Arrë, një nga zonat më të thella të komunës Themal, në zonën e Dukagjinit në Shkodër.
Policia e qarkut njoftoi se 45-vjeçari Mirash Bregu qëlloi me armë vajzën e tij adoleshente, Marjana Bregu dhe me pas vrau edhe veten. Ngjarjen e rëndë e kanë raportuar fqinjët.
Policia tha se për shkak të zonës së thellë malore edhe uniformat blu me grupin hetimor e patën të vështirë të mbërrinin. Viktimat ishin nga fshati Bardhaj, por kishte disa ditë që kishin shkuar në fshatin Arrë ku kullosnin bagëtine.
Adoleshentja i ka kërkuar të atit që të kthehej në shtëpi pasi ishte mërzitur duke kullotur bagëtinë. Kjo ka bërë që ai të qëllojë mbi vajzën e tij 14-vjeçare.
Pas vrasjes, Mirash Bregu i telefonoi të vëllait ku e njoftoi se kishte vrarë të bijën dhe se pas kësaj telefonate edhe ai do të vetëvritej. Sipas policisë, Mirash Bregu ishte me preçedentë penalë, pasi në vitin 1993 ka qenë i dënuar për vrasje.
Së fundmi vendi ynë është tronditur nga një seri krimesh, të cilat kanë pasur në sfond problemet familjare dhe gjakmarrjen, që nuk ka kursyer as fëmijët.
Mbrëmjen e së hënës, bashkëshorti i një gruaje të re, i cili kishte rreth një vit që ishte kthyer nga Anglia, mori fëmijën e sapolindur në krahë dhe e hodhi nga dritarja.
Fëmija ra në tarracën e Qendrës së Gruas dhe në momentet që u rekuperua nga infermierët u vu re se kishte marrë dëmtime të rënda, të cilave nuk mundi t’u mbijetonte.
Ndërkohë, vetëm disa ditë pas ekzekutimit në Tiranë të 71-vjeçarit Mark Shkreta, një shpërthim i fuqishëm tronditi banesën e familjes së tij në qytetin e Mamurrasit në mesnatën mes së martës dhe së mërkurës.
Një tjetër ngjarje e rëndë ishte edhe ajo e fundjavës së kaluar, ku një administrator pallati në Fier u vra me armë zjarri nga një i ri, që refuzonte të pagunte 200 lekë për taksën e ashensorit.
Pavarësisht valës së lartë të kriminalitetit që ka përfshirë vendin, nga institucionet duket se nuk ka asnjë reagim për të kontrastuar fenomenin, që vjen si pasojë e indiferencës së shtetit dhe kushteve të rënda sociale dhe ekonomike.
Top Channel