Kontrolle në vijën bregdetare dhe zonat urbane

28/07/2012 00:00

Sot dhe nesër Task-Forca e ekspertëve që monitorojnë zhurmat kanë
parashikuar inspektime dhe kontrolle të vazhdueshme, sidomos në zona të
caktuara. Detajet e aksioneve, kontrolleve dhe zonat e inspektimeve për
këtë fundjavë janë bërë gati dhe, sipas rregullave të reja, janë
dorëzuar edhe në zyrat e prefekturave. Konkretisht sot zona kryesore e
kontrollit do të jetë vija bregdetare dhe Tirana.

“Pas aktit normativ kontrollet do të jenë të përditshme, në fillim prioritet është zona bregdetare dhe më pas do të nisin me ato urbane. Aksioni i fundjavës do të përqendrohet në: Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Velipojë, Vlorë, Sarandë. Por, sipas planit të punës, do të ketë kontrolle edhe në qytetet urbane, si: Elbasani, Shkodra, Pogradeci”, deklaroi kreu i Inspektoratit Mjedisor, Alfred Deshati. Sipas tij, mbrëmja e djeshme deri në të gdhirë ka qenë plot me aksione për Task-Forcën dhe gatishmëri për të gjitha strukturat: Polici e Shtetit, Polici Bashkiake, Inspektorati Mjedisor, Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas kreut të mjedisorëve, kontrollet dhe inspektimet, pas miratimit të aktit normativ, bëhen edhe më komode për të zbatuar ligjin dhe për të vendosur rregull. “Pas ndryshimeve dhe miratimit të aktit normativ, në rast se merret vendimi nga taks forca, atëherë subjekti që shkel ligjin, sekuestrohet në mënyrë të menjëhershme, pa pasur nevojë të pritet e të firmosen shkresa përcjellëse. Në këtë fazë kompetencat e pezullimit i kalojnë Policisë së Shtetit dhe veprimet janë të menjëhershme”, sqaroi Deshati.

Sipas tij, kontrollet do të jenë nga e hëna në të diel. Sekuestrimet do të jenë të menjëhershme, ndërkohë që pezullimi i aktivitetit do të bëhet në prezencë dhe me ndihmën e Policisë së Shtetit. Aksionet në vijën bregdetare, por edhe në zonat turistike do të drejtohen nga prefekti i qarkut. Mjedisorët dhe Instituti i Shëndetit Publik do të bëjë evidentimin dhe konstatimin e zonave më problematike, ndërkohë që “koka” e drejtimit të aksioneve do të jetë Prefekti.

Sakaq, sot kontrollet më të shumta do të përqendrohen në Tiranë dhe Durrës. Zona e Kavalishencës, Golemi, Ura e Dajlanit janë zonat më problematike në Durrës, ndërkohë që në Tiranë mbetet problem zona e Bllokut, klubet e natës pranë zonës së Parlamentit, por edhe “Rruga e Elbasanit”.

Top Channel