Komunat në konflikt për tokën

28/07/2012 19:55

Disa ngastra tokë të ndodhura në kufirin administrativ ndarës midis Lushnjes dhe Fierit janë kthyer në një burim konflikti midis komunës Libofsh të Fierit dhe komunës Kolonjë në Lushnje.

Në bazë të dokumenteve që zotërojnë, secila prej komunave pretendon pronësinë e tokës, duke u bërë kështu pengesë për investimet që kanë nisur të kryen në atë zonë.

“Dokumenti bazë që vërteton që kjo sipërfaqe toke është e fshatit Gorre janë librat kadastralë. Unë i drejtohem zyrtarisht në bazë të ligjit, me shkresën 132 datë 27.03.2012, Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë qarkut Fier. Unë i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë, Institutit të studimit të tokave në Fushë Krujë, Zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive në Tiranë dhe më rezulton se sipërfaqja e tokës që bëhet fjalë është në territorin e komunës Kolonjë”, deklaron Jakup Beqiri, kryetar i komunës Kolonjë.

Ndërkohë, përfaqësues të komunës Libofsh pretendojne të kundërtën. “Ky është libri i matjeve të dyta në 1992-shin dhe sipas këtij regjistrimi ne na rezulton që kjo pjesë është e jona”, deklaron Dhoksa Gjergji, shefe e zyrës së urbanistikes së komunës Libofsh.

Për zgjidhjen e këtij konflikti është angazhuar prefektura e Fierit, nga e cila është kërkuar që t’i vihet në dispozicion dokumentacioni përkatës.

“I kemi kërkuar informacion Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë këshillit të qarkut. Komuna Kolonjë ka bërë një korrespondencë me Drejtorinë qendrore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Nga dokumentet që kemi grumbulluar dhe arshivuar, deri tani mua më rezulton se është në favor të komunës Kolonjë”, thotë Arben Dukaj, drejtor i komisionit të verifikimit të pronësisë pranë prefekturës së Fierit.

Ndërkohë që institucioni i Prefektit duhet të presë shtatorin e këtij viti për të dhënë një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë konflikt pronësie, burime nga brenda komunave bëjnë me dije se për këtë çështje do t’i drejtohen dyerve të gjykatës.

Top Channel