Shqiptari i shpëton ekstradimit nga Anglia

26/07/2012 00:00

Një hajdut shqiptar i depërtuar për në Shqipëri një herë dhe që arriti
të rikthehet ilegalisht në Britaninë e Madhe, ku u kap duke manipuluar
makineritë e bixhozit, u lejua të qëndrojë në këtë vend pavarësisht se
është dënuar dy herë.

Historia e Florian Abazit, 27 vjeç, ka acaruar disi median angleze, e cila flet me tone të ashpra mbi faktin se si një i dënuar dy herë arriti të fitojë lejeqëndrimin për shkak të ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Abazi, bën të ditur “Shqip” qe dënuar me katër vjet burg për vjedhje më 2005 dhe në fund të dënimit, iu dhanë 750 paund me kushtin që të kthehej në atdhe. Por ai arriti të rikthehet në Britaninë e Madhe dhe jetoi atje ilegalisht për shumë vite.U kap pak më vonë duke manipuluar makinat e bixhozit dhe u dënua me 12 muaj burg.

Abazi përdorte një çelës të posaçëm për të ndaluar lojën në makineri në rast se vërente se po humbte dhe në këtë mënyrë e fillonte nga e para.  Vijonte të bënte këtë punë deri sa arrinte të fitonte. Pas dënimit të dytë, Policia britanike udhëroi riatdhesimin në Shqipëri, por ai apeloi nën pretendimin se është babai i një vajze të vogël me një grua britanike dhe se riatdhesimi në Shqipëri shkel të drejtën e tij për një jetë familjare.

Gjykata vendosi se ai ka të drejtë të qëndrojë në Britaninë e Madhe. Një aventurë shumëvjeçare që duket se po përfundon mirë për emigrantin shqiptar.

Top Channel