Berat, zjarr në lagjen Goricë

21/07/2012 18:45

Një zjarr i fuqishëm ka rënë pasditen e së shtunës në kurorën e gjelbër në lagjen Goricë të Beratit, duke kërcënuar disa banesa.

Sipas informacioneve të fundit të autoriteteve lokale, zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.

Burimet zyrtare njoftojnë gjithashtu se dyshohet që zjarri të jetë vënë qëllimisht, por hetimet që do të kryhen pasi ai të jetë shuar do ta zbardhin skenarin.

Të njëjtat burime shtojnë më tej se nga flakët e zjarrit po rrezikohen edhe objekte të tjera si kisha e Shën Thomait dhe disa biznese.

Një tjetër zjarr i rënë më herët në lagjen muzeale të Kalasë bëri që prefekti i Beratit të mblidhte në një takim pune shtabin e emergjencave civile.

Në takim merrnin pjesë drejtues të drejtorisë së zjarrfikëseve, policisë pyjore, policisë së rendit, si dhe kryetarët e njësive vendore, të cilët u njohën me situatën e deritanishme dhe morën një sërë detyrash për përballimin e situatës.

Nga raportimi që prefekti i qarkut Hoxhaj i bëri situatës së zjarreve për periudhën janar-korrik rezulton se në qarkun e Beratit ka pasur mbi 100 zjarre.

Nga këto në Berat 66 raste, në Skrapar 19 raste, në Kuçovë 26 raste, ndërkohë që muajt më problematik konsiderohen ata nga marsi deri në korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA