ANDREA STEFANI – Qeveria po bën një zhurmë të madhe propagandistike për
të kompleksuar opozitën dhe për të thuajse imponuar një amendim të
nxituar të Kushtetutës lidhur me kufizimin e imunitetit të deputetëve
dhe gjyqtarëve.
Si kufi kohor kanë vendosur 6 gushtin. Berisha e K° bërtasin me të madhe se heqja e imuniteteve është kusht i BE për marrjen nga Shqipëria të statusit të kandidatit, se amendimet janë përgatitur nga ekspertët më të mirë ndaj duhen aprovuar pa kundërshtime, se çdo objeksion për këto amendime do të ishte një përpjekje për të bllokuar integrimin. Në të vërtetë është krejt e kundërta. Autokratizmi ndesh edhe disa pengesa në Kushtetutë dhe prandaj synon ta bëjë kurban atë. Prandaj një miratim i nxituar i amendimeve do të ishte një tjetër hap i gabuar i politikës shqiptare (por edhe i ndërkombëtarëve nëse e aprovojnë një gjë të tillë) në dëm të integrimit. Sepse integrimit të Shqipërisë me komunitetin e shteteve perëndimore i vlen vetëm ai kufizim imunitetesh që i shërben luftës kundër korrupsionit, forcimit të shtetit ligjor dhe jo fuqizimit të një pushteti autokratik dhe të korruptuar. Ky rrezik mund të shmanget vetëm nëse amendimet e Kushtetutës i nënshtrohen një shqyrtimi të kujdesshëm edhe nga segmente të shoqërisë civile, juristët e konstitucionalistët. Mendimi qytetar nuk mund të shmanget nga qeveria me argumentin se “nuk ka kohë” për te vjelë mendimin qytetar. Dhe ajo qeveri që shmang qytetarët në një vendimmarrje kaq të rëndësishme, tregon se nuk u përket më qytetarëve dhe nuk ka qëllime të njëjta me ta!
***
Kushtetuta është kryeligji i shtetit. Shteti nuk është pushteti, por është tërësia e qytetarëve. Shteti demokratik është bashkësia e qytetarëve që themelohet mbi kontratën sociale që është Kushtetuta. Prandaj qytetarët nuk mund të privohen nga e drejta për t’u shprehur për kontratën e tyre sociale me “arsye” banale të ngutjes për gjoja marrjen e statusit të kandidatit në vjeshtë. Mjerisht, mund ta themi me siguri, se Shqipëria nuk mund ta marrë statusin e kandidatit këtë vjeshtë kryesisht për shkak të korrupsionit dhe autokratizmit të qeverisë që mbetet burimi i krizës politike në vend. Mosmarrja e parathënë e statusit të kandidatit nuk ka të bëjë fare me kufizimin, ose jo, të imuniteteve deri më 6 gusht. Atëherë përse propaganda berishiste shantazhon opozitën duke lidhur artificialisht heqjen e imuniteteve me marrjen e statusit të kandidatit? Ka vetëm një shpjegim. Qeveria kërkon ta trullosë opozitën për ta detyruar të miratojë, thuajse symbyllur, një formulë të kufizimit të imuniteteve që i shërben zgjatjes së jetës së saj dhe, meqenëse ajo është dhe gjeneruesja më e madhe e korrupsionit, jo luftës kundër këtij të fundit. Qytetarëve shqiptarë u duhet tjetër gjë. U duhet një kufizim imunitetesh që t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit. Dhe vetëm nga shoqëria civile mund të dalin ato grupe ekspertësh dhe konstitucionalistësh që duke qenë të prirur nga interesi publik dhe jo partiak, mund të propozojnë një reformë që t’i shërbejë interesit publik. Amendimet e vitit 2008 kanë provuar se çfarë katastrofe mund të sjellë në themelet e shtetit arroganca e partive politike që refuzojnë mendimin dhe ekspertizën qytetare. Ishin dy partitë më të mëdha, PD-PS, që pretenduan se me ndryshimet e Kushtetutës do bënin të mundur stabilitetin. E kundërta ndodhi. Vendi u zhyt në instabilitet e krizë politike më gjatë dhe më thellë se kurrë më parë. Injorimi i mendimit qytetar bëri që amendimet e Kushtetutës të cenonin rëndë ndarjen e pushteteve dhe balancën mes tyre. Rrjedhimisht, reforma e kufizimit të imuniteteve nuk mund të bëhet si duhet, pa marrë parasysh edhe realitetet e ndryshuara nga amendimet e vitit 2008. Në segmente të ndryshme të shoqërisë civile, veçanërisht mes konstitucionalistëve, është shfaqur mendimi se kufizimi i imuniteteve duhet të jetë pjesë e një pakete ndryshimesh të Kushtetutës që do të mund të restauronin, sa më shumë të jetë e mundur, nga ndarja e pushteteve të rrënuar prej amendimeve të vitit 2008. Tashmë kur do të kemi një President Republike besnik të Kryeministrit, më e pakta gjë për të minimizuar dëmin që mund të bëhet, është të vendosen garanci kushtetuese se Kryeprokurori i Republikës nuk do të jetë edhe ai një vegël e Berishës apo e çdo Kryeministri pasardhës. Por që të gatuhen paketa të tilla duhet kohë, kohë që Berisha refuzon me arrogancë t’ia japë shoqërisë civile. Dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë mund të parashikohet thuajse me saktësi matematikore se heqja e imuniteteve, do t’i shërbejë gjuetisë së shtrigave që një pushtet tashmë dukshëm i tejkorruptuar, do zhvillojë kundër opozitës nën maskën e “antikorrupsionit”. Ja pse nxiton Berisha. Synon ta zhvillojë gjuetinë e shtrigave mbi opozitën në vigjilje të zgjedhjeve të 2013-s. Kërkon ta shfrytëzojë edhe një herë kauzën e “antikorrupsionit” si në vitin 2005, kur u rikthye në pushtet. Por këtë herë për të mbrojtur korrupsionin me “antikorrupsion”. Kërkon të bëhet edhe një herë “princi i kaltër” që do të vrasë kuçedrën e korrupsionit pikërisht ky autokrat që jo vetëm ka ushqyer korrupsionin tashmë (sipas institucioneve ndërkombëtare) galopant të Shqipërisë, por që edhe ka bërë gjithçka për të vrarë armikun kryesor të korrupsionit, pushtetin e pavarur të drejtësisë. Prandaj deklaron: Do fitojmë në 2013, sepse kemi kauzën antikorrupsion! Dhe aq “e vërtetë” është kjo gënjeshtër sa në 8 vjet rresht, qeveritë Berisha kanë listuar skandale korruptive, madje edhe të përgjakshme, para të cilave, skandalet e qeverisë së Fatos Nanos duken foshnjore. Ndoshta për këtë shkak, Berisha nuk e konsideron më Nanon të korruptuar. Por a mund t’i vlente integrimit të Shqipërisë në BE një kryqëzatë “antikorrupsion”, një maskë “antikorrupsion” në kokën e një qeverie të korruptuar?
Top Channel