Sequi: Imunitetet nuk mjaftojnë

17/07/2012 00:00

Kreu delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi në një
intervistë për Top Channel analizon progresin e deritanishëm të
Shqipërisë në plotësimin e 12 prioriteve për marrjen e statusit të
vendit kandidat.

Ambasadori Sequi pergezon perpjekjet e deritanishme te klases politike pas marrëveshjes se nentorit 2011 ne proceset integruese, por shprehet se mbetet shume pune per te bere. Sequi thote se heqja e imuniteteve eshte vetem njera ane e medaljes ana tjeter sipas kryediplomatit te BE-së eshte te luftuarit te kultures se korrupsionit.

TCH –
Zoti Ambasador, cili është vlerësimi juaj për punën e bërë deri më tani që lidhet me plotësimin e 12 prioriteteve, që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë statusin e vëndit kandidat?

Sequi –
Siç e dini, progres-raporti do të publikohet në tetor dhe ne jemi duke punuar për këtë. Nëse krahasojmë situatën aktuale me atë që ishte në nëntor 2011, e mund të them se është arritur progres. Maxhoranca dhe opozita duhet të përgëzohen për këtë, pasi kanë treguar vullnet politik dhe dhe vendosmëri. Por, kjo nuk mjafton. Krahas çështjeve siç është reforma zgjedhore duhen adresuar edhe çështje te tilla si ato që pritet të diskutohen në parlament ditët e ardhshme, përfshi edhe çështje që lidhen me reformën parlamentare, luftën kundra korrupsionit, imunitetet etj.

TCH – Reforma zgjedhore duket se do të votohet këtë javë në parlament, por reforma parlamentare mbetet ende e pa përfundur ndërca cështja e imuniteve duket se nuk do të jetë e lehtë të marrë zgjidhje. Nëse këto dy çështje nuk zgjidhen, a është e drejtë të thuhet se shancet për marrjen e vëndit kandidat shkojnë drejt zeros?

Sequi – Unë preferoj të shikoj drejt të ardhmes bazuar në arritjet. Dhe kur flas për arritje i referohem atyre më të fundit siç ishte reforma zgjedhore që ishte një çështje e komplikuar, për të cilën maxhoranca dhe opozita treguan vendosmëri dhe vullnet politik. Është e vështirë të flasësh për shkallën e përqindjes së shanseve. Por, mendoj se nëse kjo situatë e vullnetit të mirë vijon të ekzistojë, shanset padyshim që do të rriten.

TCH –
Opozita thotë se ne kemi bërë çfarë na kërkohet të bëjmë për prioritetet politike 1 deri 4. Sipas jush, a i ka bërë si duhet opozita “detyrat” për të përmbushur këto prioritete? Po qeveria?

Sequi – Faleminderit për pyetjen, e cila është me të vërtetë interesante. Unë dëshiroj të shikoj plotësimin e prioriteve të integrimit si një proces parësor që vijon. Nëse do të gjykoja se çfarë është arritur deri më tani do të thoja se të dyja palët duhen përgëzuar pasi shpeshherë kanë gjetur kompromisin, kur ka qenë e vështirë për ta bërë një gjë të tillë. Natyrisht ka patur progres, por qeveria dhe opozita janë në pozicione të ndryshme pasi njëra palë është në pushtet dhe tjera në opozitë. Merita dhe vlerësimi duhet t’u jepet të gjithëve.

TCH –
Në disa progres-raporte të Komisionit Europian nënvizohet shqetësimi mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë për çështjet korruptive dhe abuzim me pushtetin. A do të jetë mjaftushëm për luftën ndaj korrupsionit heqja e imuniteteve?

Sequi –
Heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm, por qartësisht nuk është e mjaftueshme. Kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme. Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e gjithanshme dhe në vetevetë është një proces. Çdo tullë që i shtohet murit ka rëndësinë e vet. Ju e dini një prej fjalëve të urta shqiptare që parapëlqej është “gur gur bëhet mur”. Ne duhet ta ndërtojmë luftën kundër korrupsionit dhe çfarë është më e rëndësishmja atë të luftuarit të kulturës së korrupsionit me të gjitha mënyrat. Heqja e imuniteteve është një prej tullave të këtij murit. Mund t’ju them se ne jemi duke parë nga afër dhe me kujdes të gjitha propozimet që janë bërë. Ekspertët tanë nga projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, Euralius, PACA natyrisht edhe ata amerikanë të OPDAT-it, përfshirë edhe ata nga OSBE-ja janë duke punuar për të vlerësuar se çfarë sjellin këto propozime.

TCH – Zyra juaj është duke punuar ne krijimin e klubit të integrimit. Cfare përmban ky projekt dhe cfarë synoni të arrini?

Sequi – Jam partizan i konceptit që gjithçka është në duart e shqiptarëve.  Besoj se roli komunitetit ndërkombëtar është një rol i rëndësishëm në ndihmën, inkurajimin, të shprehurin e pikëpamjeve. Por, qartësisht janë vetë shqiptarët, intelektualët e këtij vendi duhet të jenë motori, e theksoj ai motori i fuqishëm i përpjekjeve që po bëhen për të shkuar drejt Europës. Këto përpjekje janë përshkruar në mënyrë elokuente nga komisioneri Fyle si fuqi transformimi, prandaj mendoj se duhet të inkurajojmë qytetarët shqiptarë dhe intelektualët përfshi këtu edhe shoqërinë civile për të rritur perceptimin e rëndësisë që merr për Shqipërinë integrim së bashku me atë që do ta quaja bashkëpronësi ose zotërim të këtij procesi nga vetë shqiptarët. Ky klub do të quhet Klubi BE-së.

TCH – Është mëse e qartë që politikanet shqiptarë veprojnë për interesa dhe klasë axhenda të cilat nuk u përkasin qytetarëve. Disa javë më parë, ambasadori Arvizu lançoi nismën “Act Now”. Si e shikoni këtë nismë dhe çfarë prisni nga njerëzit?

Sequi – Iniciativën e lançuar nga ambasadori Arvizu, “act now”, do ta quaja si një iniciativë shumë të mirë, gjë të cilën e kam mbështetur që në fillim. Mendoj se iniciativa jonë është përplotësuese pasi ka një fokus të paracaktuar në mënyrë të qartë, të shkohet drejt Evropës, bazuar në principe të njëjta. Siç e dini, një prej fjalive që kam përdorur kohët e fundit është “duhet lëvizur” …e cila ishte një shprehje që shkonte në një linjë me iniciativën “Act now”.  Prandaj roli i qytetarëve, intelektualëve, shoqërisë civile është vendimtar në këtë aspekt. Ambasadorët nuk votojnë. Njerëzit janë ata që votojnë. Prandaj zotërimi dhe pronësia shqiptare mbi proceset transformuese do të shërbejë për të shtyrë politikanët të shkojnë në drejtimin e duhur.

TCH –
A mendoni se shqiptarët janë pesimistë ndaj integrimit përtej dëshirës të të gjithëve që urojnë të jenë pjesë e familjes europiane?

Sequi –
Besoj se populli shqiptar është ekstremisht i motivuar për të shkuar drejt Europës. Unë kam kërkuar kryerjen e një studimi rezultatet e të cilit janë interesate dhe na tregojnë që më shumë se 85 % e shqiptarëve nëse do të kishte një referendum do të votonin pro-integrimit në Europë. Populli shqiptar tashmë e di se çfarë është në interesin e tij dhe do të doja të inkurajoja këtë ndjesi duke shpresuar se përpjekjet për të shkuar drejt Bashkimit Europian nuk do të rreshtin kurrë. Dua të përdor këto fjalë. “Jo pushim, por integrim”.

Top Channel