Rama: Po përgjohen ambasadorët

17/07/2012 00:00

Opozita këmbëngul në mbikëqyrjen parlamentare të Ministrisë së Mbrotjes duke akuzuar ashpër ministrin Arben Imami për përgjim të opozitës dhe trupit diplomatik përmes pajisjeve të blera miliona dollarë në mënyrë të dyshimtë, çka përbën shkeljen e demokracisë me të gjitha mënyrat në Shqipëri.

“Përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisjeje është përgjuar dhe vazhdon të përgjohet opozita. Kjo është një atentat kundër Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në botën demokratike kjo as që mund të përfytyrohet. Në Shqipëri kjo është e ndaluar me ligj, por është bërë dhe bëhet përditë madje duke futur nën përgjim përfaqësuesit diplomatikë të vendeve aleate të NATO-s nëpërmjet një njesia përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Ky shtet s’ka asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës”, tha kreu socialistëve, Edi Rama.

Rama duke përdorur si rast analog skandalin e “Ëatergate” dhe dorëheqjen e Niksonit 30 vjet më parë në SHBA për përgjim të opozitës, i ka kërkuar qeverisë shqiptare të marrë përgjegjësitë për këtë skandal.

Dokumentat e kontrollit

Ndërkaq, deputetë të opozitës në Komisionin e Sigurisë deklarojnë se kreu i qeverisë dhe Ministri i Mbrojtjes Imami gënjejnë kur thonë se s’ka asnjë procedurë për kontrollin e Komisionit të Sigurisë në këtë ministri.

Pirro Lutaj gjatë një interviste dhënë për Top Channel shprehet se vetë Ministri i Mbrojtjes ishte prezent në komision më 18 maj të këtij viti, kur u miratua lista e grupeve të kontrollit dhe se në datën 12 dhe 25 qershor ka marrë 2 shkresa të tjera nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ku i bëhej e ditur miratimi i mbikqyrjes parlamentare mbi ministrinë.

“Në fakt është shkresa 1608, datë 12 qershor 2012 ku Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes vajtjen në Ministrinë e Mbrojtjes të anëtarëve të Komisionit të Sigurisë për të zbatuar vendimin e Komisionit. Kuvendi i Shqipërisë, sërish nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, me shkresë 1608/1, në datën 25 qershor i është drejtuar përsëri Ministrit të Mbrojtjes duke i thënë se bashkëlidhur po ju dërgoj një vendim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe i thotë në mënyrë eksplicite: Zoti Ministër, sic ju kemi informuar Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar planin e seancave dëgjimore dhe planin e mbikqyrjeve parlamentare të Ministrisë së Mbrojtjes”, deklaron Lutaj.

Ligjshmërinë e kësaj mbikqyrjeje parlamentare, Lutaj e gjen në nenin 75 të Kushtetutës si edhe në nenin 103 pika 2 e rregullores së parlamentit. Por për socialistët mospranimi i kësaj kërkese të miratuar dhe nga vetë parlamenti si dhe zvarritja në kohë, lë hije të rënda dyshimi për manipulim.

“Opinioni publik dhe ne personalisht nga ky moment kemi të drejtë të dyshojmë për gjithcka të mundshme që mund të bëjë kjo mazhorancë. Ajo që kërkojmë është që Ministri i Mbrojtjes, Kryeministri i vendit të tërhiqen nga kjo marrëzi”, u shpreh deputeti socialist.

Ndërsa deputeti socialist Erjon Braçe në mbledhjen e grupit socialist ka kërkuar që t’i shkohet deri në fund kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke e cilësuar këtë si një krim që duhet të hetohet nga prokuroria. Braçe është shprehur se PS ka mbledhur dokumenta dhe dëshmi që vërtetojnë veprimet anti-kushtetuese të ministrit Arben Imami.

Top Channel