Vijon ende i fortë konflikti në Qarkun e Fierit në lidhje me të drejtën se kush është kryetari i Këshillit të Qarkut.

Në këtë qark janë dy persona që pretendojnë të jenë në krye të Këshillit të Qarkut, një i zgjedhur nga PS dhe konfirmuar në gjykatë, por që nuk ka vulën e institucionit dhe tjetri i zgjedhur nga PD, i rrëzuar nga gjykata por që mban vulën e institucionit.

Mbështetësit e këtij të fundit, pasditen e së premtes ndërruan bravën e derës së kryetarit të qarkut, zgjedhur nga PS në mënyrë që të hënën mos hynte në zyrë.

Mbështetësit e kryetarit Vangjel Ndreko kanë shpejtuar të ndryshojnë edhe ata bravën dhe kjo ka sjellë një konflikt ku është dashur ndërhyrja e policisë.

“Kërkojmë nga kryeministri që të vendosë para përgjegjësisë ata njerëz që nuk zbatojnë dispozitat ligjore, të vendosë para përgjegjësisë ata njerëz që nisen nga interesat e tyre private dhe jo nga interesat që ka komuniteti. Unë kërkoj vetëm drejtësi, të zbatohet ligjshmëria, kërkoj atë që thotë vetë kryeministri për një shtet ligjor”, thotë i zgjedhuri nga PS në krye të Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko.

Kryetari tjetër i zgjedhur nga të djathtët thotë të kundertën.

“U bëj thirrje organeve më të larta të qeverisë shqiptare, Ministris së Brendshme, Drejtorisë së Policisë, institucioneve të tjera të prokurorisë dhe gjykatës të marrin masa urgjente për këtë dhunim të paparë në institucionet shqiptare. I bëj thirrje zotit Ndreka të njohë vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka rrëzuar kërkesën për masën e sigurisë për efekt të aktet administrative”, deklaron i zgjedhuri i PD-së në krye të Këshillit të Qarkut, Artur Shehu.

Socialistët që janë shumicë në Qarkun e Fierit thonë se do e zgjidhin përfundimisht këtë konfikt në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Qarkut.

Top Channel