Berisha: Opozita të votojë për heqjen e imunitetit

16/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e së hënës të grupit parlamentar
demokrat ftoi opozitën që të votojë për heqjen e imunitetit të
zyrtarëve.

Sipas shefit të qeverisë, heqja e imunitetit është në interes të taksapaguesve shqiptarë.

Duke kujtuar se korrupsioni është armiku që dhunon të drejtat e shqiptarëve, Berisha kërkoi që ndryshe nga Reforma Zgjedhore, çështja e imunitetit të ketë më pak debat.

“Imuniteti duhet të kufizohet nëpërmjet ligjeve që janë organike”, tha Berisha, ndërsa shtoi se heqja e imunitetit ka si qëllim transparencën e institucioneve dhe zyrtarëve.

Në mbledhjen e grupit Berisha folie dhe për zgjerimin e Rrugës Tiranë-Elbasan, duke garantuar shoqërinë civile se çdo gur që do të hiqet nga rrethimi i Pallatit të Brigadave do të rikthehet sërish në vend.

“Rruga prek një monument kulture, i cili është rrethimi i Pallatit të Brigadave dhe është një stil i kohës, arkitekturor i veçantë. Ndaj dhe ministria përkatëse, ministri Olldashi dhe Drejtoria e Rrugëve do mund të bëjnë rrugën pasi të garantojnë që çdo gur i atij muri do kthehet po në atë mur, se harqet do rikthehen identik siç janë, pasi të garantoj rikthimin në original një për një”, theksoi Berisha.

Top Channel