Ambasadorët: Votoni imunitetet

16/07/2012 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksander Arvizu, kreu misionit të BE-së Ettore Sequi
dhe ai i OSBE-së Eugen Wollfarth, e kanë nisur javën me një takim në
selinë e Partisë Socialiste.

Mësohet se ky takim është kërkuar nga kreu i opozitës Edi Rama, për të diskutuar në lidhje me çështjen më të nxehtë të momentit për politikën shqiptare, atë të imuniteteve të zyrtarëve.

Top Channel ka mësuar se kreu opozitës Edi Rama i ka dorëzuar trojkës së ambasadorëve një projektligj  të hartuar nga ekspertët ligjorë të PS-së, në lidhje me heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Pas takimit që ka zgjatur më shumë se 60 minuta, të tre ambasadorët dhanë prononicimet e tyre për median.

“Votimi në parlament për imunitetet është caktuar data 6 Gusht. Me mënyrës se si e matin kohën shqiptarët, kjo është një kohë e përjetshme. Ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar dhe marrë parasysh të gjitha këndvështrimet e ndryshme. Siç ndodh me çdo pjesë të legjislacionit, nuk duhet të lejohet që e përsosura të jetë armik i së mirës.Eshtë koha për të arritur me një ligj të mirë, pasi ekzistojnë disa propozime mbi tavolinë. Bazuar në bisedën që patëm sot kemi besim se Partia Socialiste kërkon të jetë konstruktive dhe një partner pozitiv në kërkim të konsensusit për imunitetet”, tha Arvizu.

“Çështja e imunitetit është vendimtare për Shqipërinë për rrugën drejt
Bashkimit Europian.Po aq të rëndësishme sa imuniteti janë edhe reformat e
tjera, si ajo për rregulloren e parlamentit e arritur në nëntor të viti
të kaluar. Ne shpresojmë që me reformën do bëhet aq progres sa edhe me
imunitetin.Marrëveshja për kodin zgjedhor është një hap i mire, të
shoqërohet edhe nga heqja e imunitetit e reforma për rregulloren e
parlamentit. Po e them troç, shpresojmë të arrihet kompromisi. Nuk po iu
kërkoj politikanëve të pëlqejnë njëri-tjetrin, por të punojnë me njëri
–tjetrin”, tha Wollfarth.

“Çështja e imuniteteve kur ka të bëjë me zyrtarë të rëndësishëm, siç janë parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët i jep më shumë vlerë sistemit të garancive dhe sigurive të një vendi dhe për këtë arsye duhet të trajtohet me shumë kujdes.  Të qënurit i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe Ligjit, për të gjithë, përfshi edhe zyrtarët është shumë e rëndësishme, prandaj dënueshmëria për akte që bien në kundërshtim me ligjin apo Kushtetutën duhet të ekzistojë”, tha Sequi.

PS nëpërmjet një deklarate pas takimit thotë se “opozita e konsideron të domosdoshëm një proces diskutimi gjithëpërfshirës për krijimin e një kuadri ligjor të qëndrushëm dhe afatgjatë që do t’i shërbejë të gjthë qytetarëve të këtij vendi, bazuar në sugjerimet e konstitucionalistëve, si dhe përvojën e institucioneve që ofrojnë asistencë juridike për vendin tonë si, Euralius, Projekti Paka, Komisioni i Venecias, etj.

Mbetet ende e paqartë koha, kur PS do të depozitojë në kuvend draftin e hartuar, ndërkohë që për momentin PD dhe LSI kanë depozituar projektligjet e tyre, për çështjen e imuniteteve. 

Ndërkaq, duket haptas një presion në rritje nga komuniteti ndërkombëtar vecanarisht nga ambasadori Arvizu, ndaj politikës shqiptare, në domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për Imunitetet, për të cilin kreu opozitës Rama, një javë më parë u shpreh se nuk duhet të ndërmarrin një vrapim drejt ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa kreu maxhorancës Berisha ka ripërsëritur ftesën që PS të votojë propozimet e demokratëve.

Top Channel