Aleanca Kuq e Zi ka nisur nga Durrësi fushatën në zonat turistike bregdetare të vendit. Në fjalën e mbajtur në plazhin e Durrësit, kreu i Aleancës, Kreshnik Spahiu duke i uruar mirëseardhjen në vend emigrantëve shqiptarë, ka fshikulluar me akuza dy partitë e mëdha politikë të cilat sipas tij kanë tradhëtuar besimin e shqiptarëve të emigruar.

“Ne këtu nga brigjet e Dyrrrahut u bëjmë thirrje emigrantëve; braktisni dy partitë tradhëtare, ato që tradhtuan interesat tuaja”, tha kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.

Ai i bëri thirrje emigrantëve të kthejnë sytë nga vendi i tyre duke deklaruar dhe përpjekjet që AK do të bëjë për vendosjen e të drejtës së votës për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë.

“Çlidhje kanë ata me shqiptarët? Iu mohojnë të drejtën e votës? Ju numërojnë si turistë? A e patë kryeministrin Berisha 3 ditë më parë? Ishte në përurimin e portit të Durrësit dhe në temperaturën 40 gradë doli me antiplumb. Ky ishte mesazhi që ai u dha shqiptarëve që kthehen në atdhe; nëse do të vini, vishni antiplumb se kjo është Shqipëria”, u shpreh Spahiu.

Gjatë fushatës bregdetare në plazhet e Durrësit e Kavajës vetëm gjatë një jave, AK thotë se ka bërë rreth 1200 anëtarsime të reja.

Top Channel