Thatësira e zgjatur në zonat qendrore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara është kthyer në kërcënim serioz për të mbjellat.
Fermerët po përpiqen me çdo mënyrë të shpëtojnë ç’të munden nga prodhimi i tyre në mesin e të nxehtit që ka pushtuar rajonet në fjale.
Philip Ayers, drejtor ekzekutiv i Shërbimit të Fermave në Kirksvill të Misurit, thotë se situata është shumë e rëndë.
“Po i afrohemi standarteve të 1988-ës për thatësirat. Kjo është zona kryesore e Shteteve të Bashkuara për të mbjellat, Ajoua, Ilinois, Misuri, Nebraska. Nga këtu vjen pjesa më e madhe e prodhimit të misrit dhe sojës në rang vendi, e këto janë pikërisht zonat ku ka pllakosur thatësira. Gjendja është serioze”, deklaron Ayers.
Nëse shiu nuk mbërrin shpejt, shumë nga fushat me misër nuk do ta marrin veten, shton ai. Impakti i një situate të tillë mund të jetë edhe më i fuqishëm nga sa mendohet, sepse që tani ka nisur të prekë çmimin global të misrit.
Kostoja e thatësirës më të madhe që Amerika ka parë në 24 vjet ende nuk ka filluar të ndihet, thotë CNN, por shumë shpejt njerëzit mund ta gjejnë veten duke i paguar më shtrenjtë ushqimet këtë vit.
Autoritetet kanë shpallur zona të fatkeqësisë natyrore mbi 1.000 konte në 26 shtete. Një percaktim i tillë jepet për ato rajone që kanë përjetuar thatësire ekstreme për më shumë se 8 javë rresht.
Top Channel