I pranishëm në një vizitë në qytetin e Gjirokastrës ambasadori i
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka
kërkuar nga klasa politike shqiptare, që plotësimi i kritereve për të
marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, të mos bëhet
thjesht për fasadë.

“Në fakt Shtetet e Bashkuara nuk kanë votë që vendi juaj të marrë statusin e kandidatit në BE,por qartësisht ne mbështesim qëllimin e thënë nga të gjithë drejtuesit  e Shqipërisë, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së. Përsa kohë që këto zhvillime po e lëvizin vendin drejt atij drejtimi atëherë ne jemi shumë mbështetës për këtë por unë gjithmonë kam thënë aq sa e admirueshme është që mund të arrihet statusi i kandidatit për mua është e rëndësishme që këto gjëra të mos bëhen thjesht për të marrë statusin e kandidatit, por se janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, ka pohuar ambasadori Arvizu.  

Gjithashtu ai ka komentuar për gazetarët edhe zhvillimet më të fundit politike në vend. “Ne e kemi mirëpritur marrëveshjen për Reformën  Zgjedhore, kjo është qartazi shumë e rëndësishme për vendin. Jam veçanërisht i kënaqur që palët kanë arritur një marrëveshje për Kodin Elektoral. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme sepse në thelb të tij ka qenë KQZ-ja dhe duke parë performancën në të shkuarën të KQZ-së është e qartë që ishte e nevojshme për një mekanizëm të ri që t’i jepte besim njerëzve. Ndaj jam i kënaqur që ka një format të ri për këtë”, ka pohuar ambasadori i SHBA-së .

Ndërkohë për nismat e mara së fundi për heqjen e imunitetit ambasadori Arvizu është shprehur se: “ne presim me kënaqësi  6 gushtin, që është dita në të cilën është planifikuar që të ndodhë votimi për heqjen e imunitetit. Mendoj që janë  duke qarkulluar versione, drafte të ndryshme. Partia Demokratike ka përgatitur një draft po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim  kështu që qartazi të gjithë duan të bëjnë diçka për heqjen e imunitetit. Dhe mendoj se kjo është jetike e rëndësishme sepse ka gjyqtarë të mirë, ka parlamentarë të mirë po gjithashtu ka edhe hajdut mes tyre kështu që çështja e imuniteteve abuzohet në këtë vend dhe nëse njerëzit do të ishin seriozë për përmirësimin e shtetit ligjor atëherë duhet të ketë një marrëveshje për heqjen e imuniteteve. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ndihmojë  në këtë drejtim. Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë gjë por në fakt  aksioni,  veprimi  i vërtetë, do të qëndrojë,  do të mbetet me partitë. Por presim që më 6 gusht do të kalohet diçka, duhet patjetër të miratohet diçka  sepse nëse nuk ndodh atëherë ky do të jetë një zhgënjim shumë i madh për Shtetet e Bashkuara prandaj ata duhet ta bëjnë  këtë”.

Ambasadori Arvizu ka qenë i pranishëm në qytetin e Gjirokastrës në një tur dy ditor vizitash dhe takimesh të cilat kanë patur në qendër nismën “Vepro tani”, si dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore në qytetin e gurtë.

Top Channel