Rama: Reforma, garanci për votën

12/07/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, nga takimi i Komitetit të Internacionales Socialiste
për Europën Juglindore që po zhvillohet në Selanik u shpreh se procesi i
reformës zgjedhore është një garanci për qytetarët, se ajo që ndodhi
nuk do të përsëritet dhe se zgjedhjet e 2013, PS do t’i fitojë pasi vota
nuk do të preket.

“Çdo reformë zgjedhore është objekt debati dhe kundërshtish. Ajo qe na duhet është që të garantojmë një sërë aspektesh, që deri kanë qenë aspekte të errëta të procesit zgjedhor dhe besoj se jemi në një proces, ku do të kemi një sërë garancish të reja, të cila jo vetëm nuk janë pak, por përbëjnë një bazë shumë të mirë për t’u thënë qytetarëve që ajo që tanimë ka ndodhur, nuk do të përsëritet dhe se zgjedhjet e vitit 2013 do t’i fitojmë pasi vota juaj nuk do të preket dhe procesi do të jetë i hapur dhe transparent”, tha Rama.

“Demokracia, ekonomia, shoqëria dhe e ardhmja europiane” ishte tema e diskutimit në takimin e Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, ku Edi Rama është kryetar bashkëdrejtues i këtij Komiteti.
 
“Komiteti përbëhet nga liderët e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit dhe sot u mblodh për të diskutuar lidhur me sfidat që kanë të bëjnë me ekonominë, që kanë të bëjnë më shoqërinë, demokracinë në rajon dhe që kanë të bëjnë në tërësi me atë çka duhet të mishërojë e majta e këtij shekulli në një kohë krizash”, tha Rama.

Top Channel