Një delegacion i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës do të udhëtojë këtë muaj drejt Brukselit zyrtar për t’u takuar me autoritetet lidhur me vazhdimin e  mandatit të EULEX-it në Kosovë pas shtatorit.

Burimet institucionale bëjnë te ditur se një takim i nivelit të lartë që do të mbahet brenda pak ditësh në Bruksel do të harmonizojë qëndrimet e palëve për mënyrën e funksionimit të tij. Sipas këtyre burimeve, autoritetet kosovare nuk kanë pranuar regullimin e mandatit të EULEX-it nëpërmjet Kushtetutës.
 
Në vend të kësaj aktualisht po punohet në gjetjen e menyrave sipas të cilave EULEX-i do të vazhdojë mandatin në Kosovë, por sërish qëndra e llogaridhënies do të jetë Brukseli dhe jo autoritetet kosovare.
 
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuci i sapokthyer në detyrë,  është njëri nga politikanët i cili është i përfshirë në gjithë këtë proces. Ai të martën zhvilloi një takim me shefin e eulexit ksavier bu de marnak. Por pas takimit nuk u tha asgjë në lidhje me mandatin e EULEX-it.
 
Ndërkohë që Top Channel nga ana tjetër ka siguruar transkriptin e raportimit të Hajredin Kucit në Komisionin Parlamentar për Integrim Europian më datë 11 qershor. Kuci ka shpjeguar domosdoshmërinë e vazhdimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2014.
 
Sipas tij: Arsye kryesore është se pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, në kuptimin legal – juridik duhet të ridefinohet raporti i mandatit dhe legjitimitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të EULEX-it në Kosovë.  

“Ne kemi menduar që dispozitat kalimtare që i kemi paraparë për misionet ndërkombëtare në Kosovë, nuk ka nevojë të jenë në kushtetutën e Kosovës, ngase ne e respektojmë Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, që nënkupton se ne ua njohim të drejtën për privilegje dhe imunitete, por edhe në anën tjetër kemi menduar që nuk ka nevojë që çdo vit të bëhet amendamentimi i kushtetutës.Çështja e dytë që ne e kemi propozuar është që të jetë një marrëveshje në mes Kosovës dhe BE-së, kjo ka qenë pengese për ta për shkak të shteteve anëtare të BE-së”.
 
Bazuar në këtë transkript mësohet se një mënyrë e ndërmjetme e sugjeruar nga qeveria e kosov është letër-këmbimi ku presidentja i dergon një letër  zëvendës-Presidentes se BE-së, Kethrin Ashton dhe ajo më pas kthen një përgjigje pozitive, e cila miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe të konsiderohet si plotësisht legjitime dhe legale për funksionimin e mandatit të EULEX-it.

Top Channel