Ekstradohen nga Greqia dy të kërkuar

06/07/2012 00:00

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Greqia të enjten, dy persona të
shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga Athina, janë ekstraduar në vendin
tonë shtetasit Arben Kallo, 41vjeç, lindur në Korçë, si dhe Ergus Dhima,
34 vjeç.

Kapja dhe ekstradimi i tyre u bë pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar shtetasin Arben Kallo me 15 vjet burg, për veprën penale të “trafikimit të të miturve” . Po kështu, e njëjta gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Ergus Dhima, për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Shtetasi Arben Kallo ka trafikuar drejt Greqisë fëmijë të mitur me qëllim përdorimin e tyre si lypës. Ndërsa shtetasi Ergus Dhima në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2009, ka blerë me qëllim trafikimin në drejtim të Greqisë, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kanabis sativa. Arrestimi i tyre në Greqi u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Top Channel